Protagonist i rradhës në intervistën e Almakos “3 pyetje nga Mensur Krasniqi”për këtë të enjte është prezantuesi i lajmeve në tv SHENJA, Avdi Bakiu. Ai në kuadër të kësaj interviste për herë të parë është shprehur mbi vështirësitë nëpër të cilat ka kaluar derisa e ka gjetur veten në këtë profesion. Për Bakiun aspak nuk paraqet kompleks që të zbulojë se “kamarierllëku” ishte profesioni paraprak që më pas e solli deri në prezantues lajmesh. Përveç tjerash ai foli edhe lidhur me aventurën e tij në MTV dhe ALSAT-M, si dhe arsyet pse sot është pjesë e ekipit të tv SHENJA.
Mensur Krasniqi: Opinioni i gjere tashmë ju njeh me zërin e juaj karakteristik si spiker lajmesh. Si u ndodhe në këtë profesion?
Avdi Bakiu: Jo çdo herë mund të ndodhesh atje ku e ke planifikuar të arrijsh. Jeta të ofron mundësi të shumta në momente të caktuara. Në kohët kur vetëm nëse ishe ushtar i partisë (siç është edhe tani) kishe mundësi për një vend pune në administrat, unë punoja si kamarier në një restorant të njohur në Çarshinë e Shkupit. Aty vinin njerëz të profileve të ndryshme për të pirë kafen e mëngjesit, por edhe njerëz të ekranit pë të darkuar me mysafirët që i kishin pasur në emisionet e tyre. Dimrin e vitit 2009 në servisin publik TVM-2, u hap një konkurs për gazetar, unë e lexova dhe në shikim të parë kisha përshtypjen se edhe në këtë televizon si institucion shtetëror vlenë i njejti rregull: “Je me partinë, mund të punësohesh”, dhe kështu vendosa të mos konkuroj. Por gjërat ndryshuan rrjedhën një natë, kur në restorantin ku unë punoja erdhi kryeredaktorja e TVM-2, znj. Migena Gorenca me disa të ftuar që i kishte pas në emision dhe sikur diçka më shtyu që t’i afrohem dhe ta pyes për konkursin, por nuk mora guximin ta pyes. Për fatin tim të mirë, unë i njihja të dy personat që darkonin me znj. Gorenca, dhe njëri nga ata ndërhyri mes meje dhe kryeredaktores, gjë që e mirëpriti ajo dhe që nga dita e nesërme pas një audicioni të shkurtër, unë nënshkrova kontratë pune në TVM-2. Pas një muaji trajnim, në fund të janarit të 2010-ës, ishte paraqitja e parë publike në edicionin e lajmeve të orës 12:00, moment ky që kurrë në jetë nuk do ta harroj. Sa më shumë që shkonin ditët aq më shumë dashurohesha në profesionin e prezantimit të lajmeve. Kështu vazhdova 7 muaj derisa vendosa që të kaloj në Televizionin kombëtar Alsat-M. Të mos harroj, ishte gruaja ime, Farie Dauti-Bakiu, një prezantuese e lajmeve atëherë shumë e njohur, ajo e cila ishte pranë meje në hapat e parë në këtë profesion, kur edhe kisha nëvojë për mbështetje edhe më të madhe.
Mensur Krasniqi: Kishe një aventurë bukur të mirë si i punësuar në Alsat M, dhe për një moment braktise këtë medium televiziv për tu transferuar në Tv Shenja. Cilët ishin motivet?
Avdi Bakiu: Pas shtatë muajve përkushtim në TVM-2, kalova në TV Alsat-M. Kjo më dukej e pamundur, pasi nuk kisha vetëbesimin e duhur, por megjithatë konkurova, dhe sigurisht Zoti deshti e unë u pranova i pari nga 160 kandidatët që u paraqitëm në audicion. Ishte 1 gushti i viti 2010 kur edhe fillova edicionin e parë të lajmeve në këtë televizion. Më duhet të jem i sinqeritë dhe ta pranoj se në Alsat-M u profilizova si prezantues i lajmeve. Falë zërit që është një dhunti prej Zotit, kisha përparësi, por njëkohësisht isha i dashuruar në punën të cilën e bëj. Në fillim sigurisht që kisha momente të vështira dhe më duhej dikush që të më rrinte krah. Aty gjeta mbështetjen e stafit udhëheqës, por që nga dita e parë ishte Ismail Sinani, tani kryeredaktor i TV Shenja, atëherë redaktor në Alsat-M, ai i cili jo vetëm që më mbështeti profesionalisht, por që më këshillonte vazhdimisht dhe ishte pranë meje në çdo moment. Por pavarësisht të gjitha privilegjeve që i gëzoja në Alsat-M, thjesht doja ta sfidoj veten me diçka më të vështirë dhe jo vetëm si prezantues lajmesh, doja të kontriboj në ngritjen e një televizioni të ri. Kështu, kur Ismail Sinani (kryeredaktor i TV Shenja) më ofroi që të bëhem pjesë e këtij televizioni të ri, pranova pa mëdyshje dhe nuk mundem të mos e pranoj se ndihem i plotësuar sepse këtu më ofrohet mundësia ta ndërtoj veten edhe në fushat tjera televizive për dallim prej televizioneve tjera që nuk ma kanë dhënë këtë mundësi. Thjeshtë ajo që më bën të plotësuar, është besimi që më japin prej të cilit unë ndjehem i motivuar që të jap më të mirën nga vetja. Të gjthë më thoshin se bëra gabim që u largova nga TV Alsat-M, bile edhe familja, por thellë në vete e dija që kam bërë zgjedhjen e duhur. Kam bindjen se, sa të jem gjallë do jem pjesë e TV Shenja.
Mensur Krasniqi:Dhe për në fund na tregoni çka është ajo që e bën një spiker lajmesh të veçantë?
Avdi Bakiu: Një prezantues lajmesh përveç zërit, qëndrimit dhe mënyrës së të lexuarit, atë e bëjnë të veçantë, të qenurit në rrjedha me ngjarjet aktuale dhe dashuria për punën të cilën e bën. Pra kjo nuk mund të llogaritet vetëm profesion por pasion i gërshetuar me profesion. Një prezantues lajmesh duhet të jet gjithmonë vetvetja, pasi nëse tenton të emetojë dikë atëherë mund të shndërrohet në një kopje të keqe.