Avokatët mbrojtës dyshime të reja për “Monstra”

Procesi gjyqësor “Monstra” lidhur me vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit ka nxjerrë dyshime të reja të shfaqura nga avokatët mbrojtës.

Avokatët mbrojtës të të akuzuarve nga hetuesia për vrasjen e pesë maqedonasve pranë liqenit të Smilkovcit dyshimet i kanë mbi analizat e ekspertëve lidhur me ADN-të e siguruara në makinën e dyshuar, e cila gjithashtu është një mister që mjegullon tërë aktakuzën e ngritur.

Avokati mbrojtës, Naser Raufi sot nga ekspertët e analizës së ADN-së ka kërkuar hollësi se gjatë marrjes së mostrave nga makina që sipas hetuesisë ishte përdorur nga të akuzuarit për kryerjen e vrasjes. Avokati Raufi ka pyetur ekspertët se gjatë marrjes së mostrave a ka pasur pëlhurë mbrojtëse makina “Opel Omega” në karriget e pasme, ku pretendohet se është zbuluar ADN-ja e të akuzuarit Alil Demiri.

Me këtë pretendim, avokati Raufi ka theksuar se ka dyshime të mëdha se mund të ketë kurdisje të analizës.

“Për ekspertizën e Opel Omegës u tregua se vet eksperti nuk e di a ka pasur pëlhurë në vendin ku është gjetur AND-ja. Në këtë rast mund të bëhet keqpërdorim, në rastin e ADN-së të të akuzuarit. Kjo është arsyeja! Si argument për këtë dyshim është edhe fakti se deri sot nuk e kemi parë këtë veturë”, deklaroi avokati Naser Raufi, pas mbylljes së seancës.

Ekspertët kanë pretenduar se kanë dhënë dëshmi plotësuese, ndërsa pala mbrojtëse ka pasur vërejtje rreth ekspertizës së kryer tek makina “Opel Omega”, për shkak se akoma nuk dihet pronari i kësaj makine. Kjo makinë siç u tha asnjëherë nuk ishte regjistruar në Maqedoni, ndërsa target e saj të vendosura i takonin një makine tjetër të regjistruar të tipit “Mercedes” në pronësi të një banori të Haraçinës. “Për ne me rëndësi janë gjurmët e gjetura në makinë, për shkak se pretendohet se gjurmët e njërit nga të akuzuarit është gjetur në karrigen e pasme. Ekziston mundësia se bëhet fjalë për pëlhurë të ndonjë makine tjetër. Mund të themi se kemi të bëjmë me një montim”, deklaroi avokati Raufi. Ai ka shprehur vërejtje edhe për gjurmët e gjetura tek gomat e makinës tek lokaliteti i dyshuar. Sipas tij, ekspertiza e kryer ka qenë krahasuese dhe nuk është kryer në laborator.

Avokatët presin që ti mundësohet të shohin makinën “Opel Omega” e cila shërben si dëshmi kyçe për vrasjen në Smilkovc. Nga ana tjetër, do të kërkohet hollësi nga Interpoli për të zbuluar origjinën e makinës së dyshuar, e cila ka hyrë ilegalisht në Maqedoni dhe asnjëherë nuk është regjistruar.

Në këtë seancë është diskutuar sërish mungesa e dy të akuzuarëve kryesor Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq, të cilët po vuajnë dënimin me burg në Prishtinë për posedim të paligjshëm të armëve dhe se nuk është kryer akoma ekstradimi i tyre në Maqedoni.

Avokati Naser Raufi bën të ditur se Ministria kosovare e Drejtësisë ka ndaluar procedurën e ekstradimit. Kosovarët përveç aktakuzës, kërkojnë edhe prova për përfshirjen e të akuzuarve në krim, për të kompletuar ekstradimin.

“Vetë Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës, përveç aktakuzës kërkon edhe prova. Në këtë rast nuk janë dorëzuar dhe kjo është arsyeja se pse kërkohen prova, që të mund eventualisht të bëhet ekstradimi. Sepse sipas meje ekstradimi duhet të ndalohet, dhe është i ndaluar, nëse nuk ka prova përveç aktakuzës”, deklaroi avokati mbrojtës.

Lidhur me vrasjen e pesëfishtë që ndodhi më 12 prill 2012 akuzohen tetë të rinj shqiptarë nga rajoni i Shkupit, si autorë për kryerjen e kësaj masakre. Dy të akuzuarit kryesor janë Alil Demiri nga Haraçina dhe Afrim Ismailoviq nga Hasanbegu i Shkupit, të cilët po vuajnë një dënim me burg në Prishtinë, pasi që vitin e kaluar u arrestuan në Kosovë për posedim të paligjshëm të armëve të zjarrit. Procesi gjyqësor që përmban një aktakuzë disa faqëshe po vazhdon më shumë se 22 muaj, ndërsa ai pritet të mbyllet gjatë muajve të ardhshëm. (INA)/kohaislame

Artikulli paraprakNjë muaj paraburgim për Ukë Rugovën
Artikulli vijuesKreditë shiten shtrenjtë në Kosovë