Banka për Biznes vjedh nga xhirollogaritë e klientëve

Mbi 270 mijë euro dyshohet se u janë vjedhur klientëve në Bankën Për Biznes në Kamenicë  nga drejtori i degës së kësaj banke, Agim Hoda, bashkë me një agjent të kredive.
Ata të dy, dyshohet se kanë keqpërdorur xhirollogaritë bankare të qytetarëve të cilët i kanë besuar ti ruajnë paratë në këtë bankë dhe në disa raste kanë manipuluar e kanë bërë biznes me kreditë.
Sipas informatave që posedon Gazeta Fjala, Hoda, tashmë i larguar nga pozita e drejtorit bashkë me agjentin kreditor të suspenduar,  kanë kurdisur procedurat për kredi dhe u kanë zhvatur klientëve shuma të mëdha parash.
Krejt kjo duke u lëshur kredi disa qytetarëve, të cilëve pastaj ua kanë marrë një pjesë të shumës në emër të pazareve me bankën.
Skandalin me paratë e klientëve e kanë konfirmuar edhe vetë zyrtarët e bankës për Gazetën Fjala,  të cilët thonë se janë duke e shqyrtuar rastin dhe shumë shpejt do të dalin me një raport.
Ata tregojnë se dyshimet për keqpërdorim kishin lindur pasi muaj më parë drejtori i kësaj dege, kishte dhënë dorëheqje pa ndonjë arsyetim të qëndrueshëm.
Gazeta Fjala ka provuar të vë kontakt dhe të marrë qëndrim nga Agim Hoda, por e ka pasur të pamundur të kontaktojë me të.
Me këtë rast, tashmë po merret edhe Policia e Kosovës.
“Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK)  se bashku me Prokurorinë Themelore Gjilan është  duke e hetuar rastin qe ka të bëjë me dyshime  për  keqpërdorim të xhirollogarive bankare  të klientëve nga ana e disa zyrtarëve të Bankës Private të Biznesit me seli në Kamenicë”, kanë konfirmuar për Gazetën Fjala, përmes emailit zyrtarë nga zyra për informim e policisë.
Edhe në Bankën Qendrore të Kosovës janë në dijeni për zhvatjen dhe keqpërdorimin që u është bërë llogarive të klientëve të Bankës për Biznes.
“BQK-ja, lidhur me rastin në fjalë është njoftuar nga banka, të cilët lidhur më këtë rast kanë njoftuar se  kanë formuar një komision të bankës në fjalë dhe se rasti është duke u shqyrtuar nga komisioni i bankës i formuar për këtë rast nga banka dhe nga auditimi i brendshëm i bankës”, thuhet në përgjigjen e zyrtarit për informim të BQK-së, Besnik Kada, dhënë për Gazetën Fjala.
Në këtë institucion thonë se në takimin me zyrtarët e Bankës për Biznes kanë mësuar se raporti final me dëmet e shkaktuara klientëve nga komisioni i bankës pritet të jetë i gatshëm gjatë kësaj jave , ndërsa nga auditori i brendshëm  raporti pritet të jetë i gatshëm  gjatë 

Lorika Govori nga Banka për Biznes thotë se do të ndërmarrin masa lidhur me këtë rast varësisht nga analizat e situatës.
“Banka është duke aplikuar procedurat e saj të brendshme, duke analizuar proceset përkatese brenda për brenda nëndeges në Kamenicë dhe ky proces është në vazhdim”, ka thënë Govori për Gazetën Fjala.
Ndërkaq, sipas saj, klientët do tëë mbrohen dhe për këtë merr ppërgjegjësi të plotë banka.
“Banka për Biznes konfirmon që  çdo rast dhe situatë do të analizohet objektivisht dhe garanton mbrojtjen e interesave të klientelës me përgjegjësi të plotë. Varësisht nga analiza e situatës do të ndërmerren hapat adekuat konform procedurave në fuqi”, ka thënë Govori.
Edhe në Bankën Qëndrore të Kosovës, thonë se klientët do të kompenzohen konform legjislacionit në fuqi dhe këtë kosto e bart Banka për Biznes.
“Poashtu ju vëmi në dijeni se dëmi i supozuar apo i ndodhur për çdo rast nuk i prek në asnjë mënyrë klientët por është kosto që e bart banka  konform legjislacionit në fuqi”, ka thënë Besnik Kada./Gazeta Fjala
Artikulli paraprakJemen, protesta në kryeqytetin e vendit kundra Husive dhe pro presidentit të dorëhequr
Artikulli vijuesA janë të sigurta paratë në Banka?