Barrierat për Ushtrinë e Kosovës

Kosova, si shtet i pavarur që është duhet të ketë ushtrinë e vet. Janë deputet të pozitës dhe të opozitës atë që konsiderojnë se formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës duhet të bëhet bëhet sa më shpejt.

Sipas tyre, krijimi i ushtrisë do të ishte në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Ndërkaq njohës të çështjeve të sigurisë, thonë se formimi i ushtrisë nuk mund të bëhet në mënyrë urgjente .

Naim Maloku, në një prononcim për Indeksonline ka thënë se procesi në fjalë mund të nisë porse mund të zgjasë 8 deri në 10 vite.

“Kjo nuk mund të bëhet në mënyrë urgjente, është një proces që duhet të nisë dhe nuk do të shkojë me ndryshime kushtetuese dhe ligj të ri. Por, duhet brenda kuadrit dhe kornizave me u ngrit kapacitetet. Kjo nuk mund të bëhet në mënyrë urgjente deri në 10 vite. Me këtë buxhet që e ka Kosova duhen 8-10 vite të jetë e aftë me kriju me ndërtu kapacitete për udhëheqje. Qeveria me kriju projekte për kapacitete mbrojtëse edhe për FSK-në edhe për Policinë, për shkak se duhet me u ble pajisje, me u trajnu kuadri”.

Zenun Pajaziti nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë se formimin e ushtrisë e duam të gjithë porse edhe në këtë drejtim ka pengesa.

Sipas tij, çështjen në fjalë nuk duhet ta shohim rrëmbyeshëm.

“Sa i përket Forcave të Armatosura kjo tashmë s’ka dilemë. Të gjithë i duam dhe sa më shpejtë. Por, kjo nuk varet tanimë vetëm nga vullneti dhe mundësitë tona. Ky proces duhet vazhdohet me NATO-n. Poashtu edhe Kushtetuta e rregullon këtë qështje dhe poashtu për momentin ka pengesa edhe në këtë drejtim. Mendoj që nuk duhet ta shohim të rrëmbyeshëm këtë çështje, por me pjekuri kombëtare dhe politike. Temat si kjo nuk duhet të bien bre e imponimeve të momentit apo të axhendave politike të qastit. Ushtria jonë është në proces. Ajo do bëhet me mbështetësin tonë kryesor të sigurisë, NATO-n dhe me kujdesin e përkushtimin maksimal të institucioneve dhe liderishipit tonë”, ka thënë ai në një bisedë për Indeksonline.

Ndërkaq, Rexhep Selimi nga Lëvizja Vetëvendosje thotë se krijimi i ushtrisë është i domosdoshëm për shumë arsye.

Selimi konsideron se krijimi i Forcave të Armatosura të Kosovës është garantuese e sovranitet dhe paqes.

“Krijimi i Forcave të Armatosura të Kosovës nuk është i rëndësishëm por i domosdoshëm për shumë arsye. Dy janë kryesore: E para për ta ndërtuar një forcë garantuese për stabilitet, dhe e dyta për ta krijuar një partner besnik dhe të domosdoshëm në rajon, sepse ushtria është garantuese e sovranitetit dhe partneri më besnik i Nato-s në Kosovë”, ka thënë Selimi për Indeksonline.

Ndërkaq, Ahmet Isufi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vlerëson se është momenti i fundit që FSK të shëndërrohet në FAK.

“Është momenti i fundit që me procedurë të shpejtë në parlamentin e Kosovës duhet të bëhet shëndërrimi nga Forca e Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovoës dhe përmbushja e kapaciteteve në krijim të mbrojtjes së Kosovës. Prandaj dhënia e sinjalit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është tregues se duhet të bëhen veprime energjike në mënyrë që Kosova të mbrohet nga ushtria e saj”.

Formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës pritet të prezantohet në Kuvend nga Qeveria, nëpërmjet projektligjit që përcakton ndryshimet e nevojshme ligjore, të cilat do të diktojnë edhe nevojën e ndryshimeve Kushtetuese./Indeksonline/

Artikulli paraprakLimaj: Të vrasin nëse dëshiron t’i shërbesh vendit
Artikulli vijuesUshtrinë mund ta bëjmë edhe pa e ndryshuar Kushtetutën! Këto janë tri opsionet!