Batllava kthehet në djerrinë – ujë të pijshëm vetëm edhe për tre muaj?

Kjo është gjendja e liqenit të Batllavës. Niveli i ujit në këtë liqen, nga i cili furnizohen më ujë të pijshëm Podujeva e Prishtina, ka rënë në 11 metra e gjysmë nën nivelin maksimal. Në këtë periudhë të sezonit dimëror, ai duhet të ishte i mbushur me ujë.
Thatësia dhe reshjet e pakta e kanë kthyer një pjesë të liqenit në djerrinë. Përfaqësuesi i fshatit Batllavë, Nuhi Selimi, ka theksuar se në një gjendje të tillë liqeni kishte qenë edhe para më shumë se një dekade.

Selimi ka thënë se shpreson në ndryshimin e motit, që do të mund të sillte përmirësim të gjendjes në liqen. Ai nuk e ka mohuar as faktin se edhe faktori njeri mund të ketë ndikuar për këtë situate, duke e përdorur ujin e pijshëm për vaditje tokash.

Me gjithë se jetojnë afër liqenit që furnizon një pjesë të madhe të qytetarëve me ujë, banorët e kësaj ane më së shumti përballen me mungesën e tij. Zyrtarë të Ujësjellësit… paralajmërojnë se nëse vazhdon kjo gjendje, ujë të pijshëm do të kemi edhe vetëm për tre muaj.

Zëdhënësja Arjeta Mjeku njofton se si pasojë e kësaj gjendjeje, nga e hëna ashpërsia e reduktimeve do të nisë në Podujevë, ku reduktimet do të jenë nga ora 19:00 deri të nesërmen në orën 6:30 të mëngjesit. Ajo thotë se reduktime do të kenë edhe të gjitha fshatrat, nga Batllava deri në Prishtinë. Këto fshatra do të mbesin pa ujë gjatë tërë ditës, nga ora 7:00 deri 20:00 në mbrëmje.

Megjithëkëtë, zyrtarët e Ujësjellësit thonë se situata nuk është aq alarmante. /KTV

Artikulli paraprakFarat e lirit, superhero i ri në ushqimin e shëndetshëm
Artikulli vijuesPartitë politike në Kosovë financohen me mjete të dyshimta kriminale