BDI përshëndeti nismën e Todor Petrovit

BDI deklaratën e një dite më parë të financuesit dhe iniciatorit të kryqit në Butel, kryetarit të Kongresit Botëror Maqedonas Todor Petrov e cilëson si një hap të guximshëm të cilin duhet respektuar pasi vendimi i tillë i ‘klikës’ që përfaqëson Petrovi kontribuon në tejkalimin e krizës së krijuar ditëve të fundit në Butel.

“Deklarata e fundit e iniciatorit të kryqit se në vend të simboleve që përçajnë duhet të ndërtojmë simbole që bashkojnë komunitetet, është një kualitet i ri dhe deklaratë e guximshme që duhet të respektohet dhe kjo është zgjidhja më e mirë e kësaj situate”,thuhet në kumtesën e BDI-së.
Një ditë më parë Todor Petrovi kërkoi që të ngrihet një përmendore kushtuar Fan Nolit, themeluesit të Kishës Ortodokse Shqiptare si dhe deklaroi se nuk do të ngre padi ndaj sulmuesve që e kishin rrahur atë ditë më parë.
“Kongresi Botëror Maqedonas ngrit iniciativë për ndërtim të një përmendoreje Fan Nolit, themeluesit të Kishës Ortodokse Shqiptare gjatë vitit 1924, edhe atë në kufirin mes Komunës së Çairit dhe Butelit si një dorë e shtrirë për bashkëjetesë mes këtyre dy komunave”, deklaroi Todor Petrov, kryetar i Kongresit Botëror Maqedonas.
Ndërkohë, kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti për Radion Evropa e Lirë ka thënë se nëse në Shkup mund të ketë luanë dhe dema, një kopsht të tërë zoologjik, pse të mos vendoset edhe një shqiponjë dykrenore.

“Nuk mund që shqiponja dykrenore të jetë pretekst për atë që u ndërmor nga komuna e Butelit, edhe atë përmes një vendimi të marr brenda natës, pasi ky simbol nuk është vendosur për inat të tjerëve, por për lartësimin e simbolit të shqiptarëve. Ky veprim i yni bazohet në vendimin e dalë nga programi i vitit 2012, kurse si vendim i veçantë në vitin 2015, duke respektuar principin e Badinterit dhe gjithçka tjetër”, tha Izet Mexhiti, kryetar i Komunës së Çairit.
Por për dallim nga Mexhiti, zyrtari i lartë i Qeverisë i cili hodhi gurë në themelin e kryqit në Butel, zv/kryeministri Vllaldimir Peshevski sot nuk deshi të komentonte se është arritur marrëveshje ose jo!
Alsat-M: z.Peshevski a keni arritur marrëveshje me BDI-në që mos të vendoset kryqi në Butel?
“Do të ketë deklarata të veçanta lidhur me atë temë, vizita e sotme nuk ka të bëjë asgjë me atë temë”, u përgjigj Vlladimir Peshevski, zv/kryeministër.
Nga BDI vazhdojnë të këmbëngulin se simbolet fetare nuk duhet të keqpërdoren për politikë ditore.

Artikulli paraprakBDI-në e kaplon paniku, kërcënon gazetarët e mediave shqipe
Artikulli vijuesKërcënohet Muhamed Zekiri