BE-ja akuzon Google për dhënie prioriteti faqeve të saj në rastin e kërkimeve

Komisioni Evropian ka nisur një hetim kundër Google, nën dyshimet se abuzon me pozitën e saj dominuese në treg për kërkime përmes internetit në vendet e Zonës Ekonomike Evropiane, ashtu që përdoruesit në mënyrë sistematike i drejton në faqet e saj gjatë kërkimeve, raporton Anadolu Agency (AA).
 
Komisionerja evropiane e ngarkuar për politikën e konkurrencës, Margrethe Vestager shprehu shqetësim rreth avantazhit, që kompania Google u jep faqeve të saj përmes të cilave bëhen blerjet.
 
“Jam e shqetësuar në rastin Google, pasi kompania u jep avantazh të padrejtë faqeve të saj për blerje, e cila paraqet shkelje të rregullave të besimit në Bashkimin Evropian”, tha Komisionerja nëpërmjet njoftimit për shtyp të Komisionit Evropian.
 
Komisioni Evropian gjithashtu ka nisur një hetim formal të sistemit operativ celular Android në dyshimin se Google pengon zhvillimin dhe qasjen në treg të rivalëve të sistemeve operative celulare, aplikacioneve dhe shërbimeve në dëm të konsumatorëve dhe shpikësve të shërbimeve dhe produkteve të reja, e cila gjithashtu është në kundërshtim me rregullat e besimit të vendosura nga Bashkimi Evropian.
 
“Gjithashtu kam nisur edhe një hetim formal të shkeljeve të besimit në lidhje me sistemet operative celulare, aplikacionet dhe shërbimet e ofruara nga Google. Telefonat e mençur, tabletat dhe pajisje të ngjashme kanë një rol të madh në jetën e përditshme të shumë njerëzve dhe dua të jem e sigurt se tregu mund të përparojë pa kufij antikonkurrues të vendosura nga cila do kompani”, tha komisionerja Margrethe Vestager.
 
Krahasuar me kontinente e tjera, Google është më e fuqishme në tregun evropian. Në disa vende të BE-së kompania mban 90 përqind të tregut. Komisioni Evropian i ka dhënë kompanisë një periudhë prej 10 javësh për të ofruar një shpjegim pas të cilit do të vendosë për hapin e ardhshëm.
Artikulli paraprakUshtria shqiptare, stërvitje të përbashkëta me ushtrinë serbe në Serbi
Artikulli vijuesKryetari i Ferizajt tallet me Labinot Tahirin