“NËSE SOT JAM KËSHTU, KA NDODHUR PËR SHKAK TË FAMILJES SIME”: SHUMË PREJ NESH E MENDOJNË KËSHTU HISTORINË E TYRE DHE PËRPIQEN TË FAJËSOJNË PRINDËRIT, SEPSE MBETEN GJITHMONË “FËMIJË”
“I gjithë faji është i prindërve”: kjo është një prej frazave që përsëritet më shpesh nga pacientët që shkojnë në psikoterapi, sidomos gjatë seancave të para. Edhe kur gjykohen si prindër të mirë, faji rëndon njësoj mbi ata: “Kanë qenë shumë të dashur me mua, më kanë mbrojtur më shumë sesa duhet, të gjitha gjërat i kam gjetur gati gjithmonë”; ose e kundërta për shembull: “Më kanë ngarkuar shumë përgjegjësi”. Kështu, kur gjërat nuk shkojnë ashtu siç shpresonin, përpiqen ta gjejnë arsyen te brezi paraardhës.
Rritja është një hap i rëndësishëm
Nëse nga njëra anë ekziston bindja që figura prindërore ndikon në formimin e personalitetit të secilit prej nesh, nga ana tjetër duhet theksuar, nëse të gjitha telashet na vijnë prej tyre duhet të kalojmë edhe një herë në mendje të gjithë historinë tonë për të gjetur përgjegjësit e vërtetë të problemeve të sotme. Është normale që çdo brez ia hedh fajin atij paraardhës. Por pavarësisht ngjarjeve prej të cilave jemi ndikuar gjatë fëmijërisë ose adoleshencës, në një periudhë të jetës duhet të marrim në dorë fatin tonë dhe gjithashtu përgjegjësinë për të zgjidhur të ashtuquajturat “dëme”, që mes shumë gjërave të mira padashur një nënë ose baba mund të na kenë shkaktuar. Nëse nuk arrijmë të hedhim këtë hap të rëndësishëm, zhvillimi i ndërgjegjes sonë do të bllokohet deri në atë masë sa nuk do të jetë më në gjendje të përballojë në mënyrën e duhur realitetin e të rriturve.
Tre hapa të rëndësishëm
Janë pikërisht disa momente të rëndësishme në jetë kur ndiejmë nevojën të jemi larg justifikimeve, sepse psikologjikisht na shtyjnë që të mos jemi më “fëmijë”, por të rritemi e të formohemi. Ky kalim i rëndësishëm nga fëmijë në një adult zhvillohet në tri faza. E para dhe më e rëndësishmja është: një vështrim i shpejtë i të kaluarës, njësoj siç sheh një spektator një film në kinema. Faza e dytë është ajo e pranimit të historisë personale. Pra, çdonjëri prej nesh duhet të pranojë vështirësitë e kaluara gjatë fëmijërisë. Nëse falni dhe kapërceni gjithçka atëherë nuk do të jetë e vështirë të kaloni në fazën e tretë, ajo që përkon me përgjegjësinë personale, ku qartësohet gjithçka dhe vetëm ju mund ta ndihmoni veten që ta kapërceni këtë gjendje. Nuk ka kuptim që t’ua hidhni fajin të tjerëve dhe të kaluarës.
Protagonistët e vërtetë
Ky është momenti që të bëheni protagonistët e vërtetë të jetës suaj, gjeni guximin që të përballeni me problemet. Kështu, gjithçka ndodh, e mirë ose e keqe, është krejtësisht e juaja, por mund ta jetoni me të tjerët në mënyrë që të kaloni lehtësisht gjithçka.
Gabimet që nuk duhen bërë
Të kërkoni shkakun, fajin, përgjegjësinë, të kapeni me të tjerët ose me veten. Është reagimi tipik kur zhytemi në situata të këqija, si trishtimi, ankthi, depresioni. Kërkimi i shkakut nuk ju ndihmon aspak, madje ju zhyt më keq në konfuzion.
“Duhet të reagoj”
Kur zhytemi në të tilla gjendje të brendshme të pakëndshme, si trishtimi, nuk ndodh rastësisht ose nga inati. Janë disa sinjale të rëndësishme që duhen dëgjuar. T’i perceptosh pa kërkuar shkaqet, të pranosh momentin që po jeton pa kundërshtuar, këto janë sjellje më terapeutike, sesa ato të motivuara nga frika e gjykimit se çfarë mendojnë të tjerët.
Njihni gabimet
Ajo që ka vërtet rëndësi është ta injoroni bindjen e zakonshme që “prindërit janë fajtorë për gjithçka” dhe se “e kaluara është një periudhë që nuk dua ta kujtoj”. Nuk është kështu. Kapërcimi i kësaj gjendjeje do t’ju ndihmojë t’i zgjidhni konkretisht problemet që keni me veten në të tashmen. Këtë mund ta bëni vetë ose me ndihmën e një psikoterapeuti.
Pranojeni vërtet veten
Është e pamundur të jetoni pa u përballur me vështirësitë: ato janë pjesë e jetës që kur lindim e derisa vdesim. Mendoni sikur ajo që ka ndodhur në pjesën e parë të jetës është një karakteristikë e fatit tënd personal, e kohës, vendit ku të ka rënë për pjesë të jetosh. Pozitive ose negative, kanë qenë ngjarje të pashmangshme. Kjo është jeta jote, pranoje.
Merrni në dorë të ardhmen
Bëjini këto dy hapa, është momenti të merrni në dorë të gjitha përgjegjësitë e jetës suaj. Tashmë nuk është më çështje për t’ia ngecur fajin dikujt, për të kujtuar traumat e së kaluarës për të rihapur plagët e vjetra. Tani duhet vetëm të jetoni, duke i përballuar problemet si çështje personale dhe se vetëm ju mund t’i zgjidhni, asnjë tjetër./GSH