Origjina dhe përkufizimi i civilizimit perëndimor

Pjesa e parë

Abdullah el-Endelusi

Autori është një folës ndërkombëtar, mendimtar dhe aktivist intelektual për Islamin dhe çështjet islamike, që merr opinionet nga shkollat e mendimit Sunit (Ehlu-Sunneh wel-Xhem’a)

Hyrje – përse është e rëndësishme të kuptohet dhe të përkufizohet “Perëndimi”?

Termat ‘Perëndimi’, ‘bota perëndimore’, dhe ‘kultura perëndimore’ përdoren gjerësisht nga politikanët ‘perëndimorë’, nga mediet dhe nga akademikët për t’iu referuar fenomenit specifik të ‘civilizimit perëndimor’. Shumica e njerëzve që përdorin termin ‘Perëndimi’, e bëjnë këtë në mënyrë intuitive dhe përgjithësisht pajtohen rreth asaj se cilat janë vendet dhe shtetet kryesore të Perëndimit.

Mirëpo, ka raste kur disa njerëz vejnë në dyshim etiketën ‘Perëndimi’ duke kërkuar të anashkalojnë përdorimin e tij, kur përballen me argumentet që kritikojnë ‘Perëndimin’ për historinë e tij kolektive të abuzimeve kolonialiste, intervenimeve të pandërprera ushtarake, dhe rrjedhën e pafundme të produkteve kulturore që Perëndimi eksporton në mënyrë agresive në tërë botën.

Në përgjithësi, shumica e njerëzve do të pajtoheshin se Anglia, Franca, gjermania, SHBA, Kanadaja dhe Australia janë vende perëndimore, kurse vendet si Nigeria, Turqia dhe Koreja e Veriut janë të perëndimorëzuara. Nga kjo shohim qartë se ‘Perëndimi’ nuk nënkupton vetëm Evropën, përndryshe Australia dhe SHBA nuk do të përfshiheshin, kurse Rusia do të përfshihej.

Por, çfarë do të thotë ‘perëndimor’? Nga erdhi ky term dhe cilat janë kriteret që përcaktojnë çka është ‘perëndimore’, ‘e perëndimorëzuar’ dhe ‘joperëndimore’?

Sigurisht, të kuptuarit e origjinës së Perëndimit dhe ajo që përkufizon atë do të na ndihmojnë që përfundimisht të dallojmë dhe të parashohim karakterin dhe sjelljen e tij.

Origjina e Perëndimit

Perandoria Romake

Diskutimi rreth Perëndimit nis me Republikën Romake (509BC-27BC). Republika Romake zgjati deri në vitin 27BC, kur sistemi politik republikan i përfaqësuesve të aristokratëve të zgjedhur dhe të pazgjedhur u përmbys nga ardhja në pushtet e gjeneralit ushtarak Oktavit, i cili u bë perandori i parë i Romës duke transformuar Romën në një perandori. Republika Romake tashmë kontrollonte shumë provinca që kishte pushtuar më herët përreth Mesdheut, para se të transformohej në perandori. Kjo meqë Roma nën përfaqësuesit e zgjedhur nuk ishte më pak luftarake sesa kur nisi të sundohej nga perandorë; në fakt, ajo ishte më luftarake sesa gjatë periudhës perandorake.[1] Mes viteve 274-148BC, Republika Romake nuk ka pasur asnjë vit pa gjendje lufte me shtetet tjera, përfshirë dhe luftën kundër republikave të tjera si Kartagjena.

Kurse civilizimi perëndimor me siguri u ngrit në Evropë, shumë supozojnë gabueshëm se civilizimi perëndimor bazohet në tokat e okupuara nga perandoria Romake, gjë që s’është e saktë. Romakët nuk i shihnin vetët e tyre si një perandori evropiane, por më shumë si një perandori mesdhetare (‘mediterranea’ në latinisht do të thotë mesi i Tokës). Roma nuk qe evropiane, meqë shumë vende të Evropës për ta nuk qenë të civilizuara dhe nuk qenë pushtuar, siç qenë territoret jashtë kontrollit romak në veri-perëndim të Evropës, që populloheshin nga popuj që romakët i konsideronin barbarë, si: Kaledonia (Skocia), Hibernia (Irlanda), apo në veri Skatinavia (Skandinavia), dhe në lindje Magna Germania (Gjermania/Polonia). Për më shumë, perandoria romake nuk qe një perandori evropiane, sepse kishte në përbërje të veten vende të lindjes së afërt dhe të Afrikës veriore.

Territoret e perandorisë Romake nuk i përgjigjen Perëndimit modern e as

Evropës. Farat e civilizimit perëndimor nuk nisën në Evropë, por në Lindjen e

Mesme. Përvetësimi që Roma i bëri provincës së Judesë në Lindjen e Mesme më vonë do të ndikonte në ngritjen e një sekti fetar të panjohur, që më vonë do të quhej krishterim dhe do të kishte një rol të rëndësishëm në krijimin e civilizimit perëndimor.

Provinca e okupuar romake e Judesë dhe Judaizmi

Judea romake gjendej në rajonin e okupuar më herët nga mbretëria e lashtë biblike e Izraelit (1050-931BC). Mbretëria e Izraelit përbëhej nga 12 fiset e Izraelit, një popull që, sipas Tanakh (shkrimeve çifute/Dhiata e Vjetër) dhe Kuranit, u nxor nga robëria në Egjipt dhe u zgjodh nga Zoti për t’ia përcjellë botës monoteizmin dhe drejtësinë nën ligjin e Musës .

Sipas Tanakh, Musa nxori 12 fiset e Izraelit nga Egjipti në shkretëtirën e

Sinait. Këto 12 fise përbëjnë 12 klanet që dolën nga 12 bijtë e pejgamberit

Jakub , të cilit i qe dhënë emri Izrael. Ndërsa gjendej në shkretëtirë, Musa  përcolli Ligjin e Zotit që pranoi nëpërmjet Shpalljes (i quajtur Ligji i Moisiut) dhe vendosi ndërtimin e një tende-tempulli lëvizëse (Tabernakulli) për Zotin e vetëm. Këtyre 12 fiseve Musa  u premtoi tokën e Kenanëve (Libani dhe Palestina e sotme), përveç[2] shteteve-qytet të Filistinit (Gaza e sotme)3.

Pushtimi i Kenanit dhe epoka e gjykatësve

Pas 40 vitesh pritjeje në shkretëtirë si nomadë dhe rritjes së fuqisë, vdekjen e Musës  e përcolli pushtimi i suksesshëm i Kenanit nga 12 fiset të udhëhequra nga Jusha (Joshua, të cilit iu dha titulli gjykatës në shkrimet çifute). [3][4] fiset jetonin në një konfederatë të çlirët, nën udhëheqës të njëpasnjëshëm të quajtur ‘gjykatës’, që ishin më shumë sesa gjykatës në kuptimin ligjor dhe në shkrimet çifute konsideroheshin pejgamberë. Për shkak të luftërave kufitare me filistinët, konfederata e 12 fiseve kërkoi të kishte një mbret, andaj dhe u bashkuan në mbretërinë e Izraelit nga pejgamberi Semuel, nën mbretin Saul (1050BC), i cili më vonë u hoq nga kjo pozitë nga pejgamberi Semuel, për shkak të moszbatimit të urdhrave të Zotit, dhe u zëvendësua me mbretin Daud  (David) nga fisi i Judesë.

Koncepti çifut i Mbretërisë së Zotit

Në shkrimet çifute tokat e Izraelit u përshkruan si të sunduara nga Ligji i Zotit, i cili do të ishte Mbreti i tyre. Gjatë kohës së Gjykatësve, Gjykatësit drejtonin fiset e Izraelit nëpërmjet gjykimeve të Zotit. Pasi merrte pushtetin, mbreti konsiderohej mëkëmbës i Zotit dhe sundonte Izraelin në emër të Tijin sipas ligjit të Musës . Ligji i Musës ishte një mënyrë e plotë jete për kohën e vet, që udhëzonte për ritualet shpirtërore, për mirësjellje, për transaksione ekonomike, për strukturën e shoqërisë çifute, për ligjet dhe për shtetin. Të kuptuarit çifut të Mbretërisë së Zotit ishte një mbretëri tokësore, që vendoste drejtësinë dhe adhurimin e Zotit në Tokë.

Pejgamberët mbretër të Izraelit

Mbreti Daud mori qytetin e Xhebusit nga fisi i Xhebusitëve të Kenanit, pas çka e riemërtoi atë në Jerusalem (po ashtu dhe Qyteti i Daudit, Sion). Pasi vdes Daudi , biri i tij, Sulejmani  (Solomon 970BC-931BC), bëhet mbret dhe ndërton tempullin e një Zoti në Jerusalem. Mbretëria e Izraelit vazhdoi deri në vdekjen e Sulejmanit , kur dhe ndahet në 10 fise që formojnë Mbretërinë

Veriore të Izraelit (përreth kryeqytetit Samaria), dhe dy fiset e tjera të

Benjaminit dhe të Judës që formojnë Mbretërinë Jugore të Judesë (përreth kryeqytetit të Jerusalemit).

Mbretëria Veriore e Izraelit u pushtua nga perandoria Asiriane (720p.e.s), për shkak të – siç thuhet në Tanakh – ndëshkimit hyjnor për gjynahet dhe kthimit të tyre në idhujtari. Fiset e tij u përzunë nga Asirianët dhe njihen si dhjetë fiset e humbura të Izraelit.

Ishte mbretëria e mbetur e Judës, që dominohej nga fisi i Judës, ajo nga e cila doli fjala ‘judaizëm’, që do të thotë feja e popullit të Judesë.

Shkatërrimi i mbretërisë së Judesë dhe fillimi i epokës së pushtimit

Më vonë, babilonasit pushtuan asirianët dhe morën Mbretërinë Jugore të

Judesë (587BC), duke shkatërruar tempullin e parë të Sulejmanit dhe duke marrë me vete popullatën çifute si skllevër në Babiloni. Pastaj babilonasit u pushtuan nga persianët nën Kisranë e Madh (539BC), i cili u lejoi çifutëve të ktheheshin në Kenan dhe të ndërtonin tempullin e dytë në Jerusalem. Çifutëve iu dha rrethina e Jerusalemit si një rajon autonom përbrenda perandorisë persiane. Sipas radhës, persianët u pushtuan nga grekët e udhëhequr nga Aleksandri 3 i Maqedonisë apo Aleksandri i Madh (331BC), i cili përhapi kulturën greke (të quajtur helenizëm nga historianët) dhe gjuhën greke gjithandej pjesëve lindore të Mesdheut dhe Lindjes së Mesme, e cila më vonë do të bënte ndikimin vendimtar në krijimin e kufijve të civilizimit perëndimor.

Perandoria e Aleksandrit u nda pas vdekjes së tij (323BC) nga gjeneralët. Gjenerali i Aleksandrit, Seluku, mori nën kontroll rajonin që sot njihet si Turqi dhe Levantin (Palestinën/Sirinë) deri në Pakistanin e sotëm. Kjo më vonë do të quhej perandoria Selukide, e cila do të përleshej me Romën në Greqi dhe më vonë do të shembej dhe do t’u binte në duar persianëve parthianë, që do të invadonin nga Lindja. Nën sundimin e Selukut, shumë çifutë u përmbaheshin ligjeve të Musës  dhe besimit në një Zot karshi helenizmit pagan që dominonte Lindjen e Mesme dhe Mesdheun lindor. Megjithatë, shumë çifutë u helenizuan dhe adoptuan kulturën greke, madje dhe fenë greke.

Fundi i okupimit dhe vendosja e mbretërisë së Judesë

Në vitin 167BC, mbreti Selukid Antioku Epifan IV urdhëroi që çifutët e pa helenizuar të ndaloheshin nga zbatimi i fesë, i ligjeve dhe kulturës së tyre, duke i urdhëruar të adoptonin fenë, traditat dhe ligjet helene. Kjo shkaktoi revoltë në mesin e çifutëve që njihet si Revolta e Makabit, e cila zgjati 7 vite dhe përplasi çifutët me kolaboracionistët nga mesi i çifutëve të helenizuar dhe me autoritetin Selukid. Revolta çoi në fitoren e forcave çifute dhe vendosjen e mbretërisë së Judesë (160BC-63BC). Tempujt paganë u shkatërruan dhe tempulli i Sulejmanit  u pastrua nga idhujtaria dhe iu kushtua vetëm një Zoti (këtë ngjarje çifutët e festojnë edhe sot si festa e Hanukas).

Mbretëria e Judesë qe e pavarur për pothuajse 100 vite dhe zgjeroi kufijtë gjatë kësaj kohe. Mirëpo, helenizmi ende ishte i fortë politikisht dhe një forcë kulturore, ndërsa shoqëria çifute ishte e ndarë në një numër fraksionesh e partish politike, disa prej të cilave bazoheshin në ruajtjen e traditës çifute dhe refuzimin e helenizmit, dhe disa të tjera që kishin bërë një përshtatje të butë ndaj kulturës dhe filozofisë helene. Tri fraksionet kryesore qenë farisenjtë (tradicionalistët çifutë), saducenjtë (aristokratët dhe ata që anonin nga filozofia helene që, për shembull, mohonte jetën e përtejme) dhe esenët (asketët).4

Fillimi i okupimit romak të Judesë

Në vitin 63BC, një luftë civile në mbretërinë e Judesë i mundësoi Republikës

Romake të ndërhynte. Jerusalemi u pushtua nga gjenerali romak, Pompei i Madh (63BC), dhe mbretëria e Judesë u bë një shtet i varur nga Roma me sundues marioneta. Në vitin 63BC, sunduesi marionetë Arkelus u bë sundues i Judesë me miratimin e Romës, por nuk ishte i popullarizuar. Kjo bëri që Roma të largonte këtë sundues dhe të kthente mbretërinë e Judesë në një provincë romake.

Okupimi dhe taksimi romak shkaktuan shfaqjen e dy grupeve: zelotëve (pasues të qëllimit farisik, por kundërshtues aktivë të okupimit romak dhe pagimit të taksave atyre) dhe sikarotëve (nga greqishtja: njerëz të thikave/kamave), një grup individësh të dhunshëm, që ndërmerrnin aksione kundër romakeve dhe çifutëve që identifikoheshin si mbledhës taksash dhe kolaboracionistë.

Ardhja e Isës  (Jezusit)

Përçarja mes çifutëve sa vinte e shtohej dhe, përgjatë shekujve, që nga koha e Sulejmanit  të kuptuarit e judaizmit ishte zbehur, duke kaluar në pasim verbazi të doktrinave dhe ligjeve të Musës , të cilave u mungonin nuancat dhe hollësirat e rrethanave. Në anën tjetër, shumë çifutë i ishin nënshtruar filozofisë greke dhe kishin adoptuar devijime në teologjinë çifute (si mohimi i jetës së përtejme), ndërsa të tjerë adoptuan asketizmin dhe ndarjen e plotë nga jeta e kësaj bote.

Në këto rrethana erdhi Isa  (Jezusi), i rritur në Nazaret (Galile, në veri të Judesë). Ai pohoi pranimin e Shpalljes dhe se ishte Mesia (hebraisht: i vajosuri) i profetizuar që do ta udhëhiqte Izraelin për t’i zbatuar urdhrat e Zotit, për të vërë drejtësi dhe për t’i asgjësuar armiqtë e tyre. Besohet se Isa  predikoi gjithandej Judesë, duke ndrequr të kuptuarit dhe praktikat e ndërlikuara të farisenjve e duke kthyer të kuptuarit e praktikave fillestare të kohës së Musës (a.s) . Isa (a.s) po ashtu argumentonte kundër teologjisë së korruptuar të saducenjëve që ishin ndikuar nga grekët, dhe jetoi midis komunitetit dhe jo i ndarë nga ai.

Mirëpo, ndonëse nga shumë historianë të sotëm besohet se Isa  u ekzekutua nga romakët me iniciativën e autoriteteve koloniale çifute, koleksioni i librave të Dhiatës së Re dhe Kurani pohojnë se ai qe parë i gjallë dhe shëndoshë pas kryqëzimit të supozuar (Kurani argumenton se ai nuk qe vrarë). Sipas të dyja këtyre burimeve, Isa  më vonë u ngrit në qiell dhe besohet se do të kthehet për të përmbushur misionin e tij në të ardhmen.

Që nga ngritja e Isës  nga Toka (dikur rreth vitit 27AD), nxënësit (dishepujt) e Isës  formuan një këshill në Jerusalem, kryeqytetin e provincës romake të Judesë së okupuar. Këta individë konsideroheshin si çifutë praktikues, dhe disa historianë shkojnë deri aty sa t’i quajnë sekti i judaizmit. Ky sekt çifutësh ndiqnin mësimet e Isës  të cilat konfirmonin ardhjen e Mesisë së premtuar çifut, dhe ishin çifutë të devotshëm që u përmbaheshin ligjeve të Musës . Ato u bënë të njohur nga çifutët e tjerë si Notzrim (Nazaretas, njerëz nga Nazareti; apo Nazoraioi në greqisht).

Rënia e Nazaretasve dhe lindja e krishterimit romako-helen

Pas zhdukjes së Isës , midis sektit të ri të nazaretasve u shqua Sauli i Tarsusit. I njohur më vonë si Pali i shenjtë, Sauli qe një student rabin, punues tendash dhe një qytetar romak. Ai qe një pasues i shkollës çifute të farisenjve, i cili fillimisht persekutoi nazaretasit, por më vonë pohoi të kishte parë Isën  në një vizion dhe u konvertua në sektin e ri rrugës për Damask. Karizma e Palit e kombinuar me qytetarinë e tij romake si dhe njohja e greqishtes, e kulturës romake dhe e filozofisë greke, i lejuan atij të merrte rolin udhëheqës në predikimin ndaj joçifutëve. Pali u predikoi joçifutëve një mesazh besimi dhe spiritualiteti, por shpërfilli rëndësinë e ligjeve të Musës  që udhëhiqnin çifutët në jetët e tyre personale, shoqërore e politike. Për më shumë, Pali predikonte një doktrinë pasive dhe nënshtruese, duke i urdhëruar njerëzit t’i paguanin taksat Romës, që izraelitët të ishin apolitikë dhe të pritnin ardhjen e Isës . ‘Interpretimi’ i Palit i mësimeve të sektit të ri të judaizmit për romakët dhe grekët do të ishte më i pëlqyer sesa mënyra shoqërore e politike e mësuar nga Musa , e cila kishte shkaktuar kryengritje çifute kundër okupimit romak.

“Mbretëria e Zotit’ e Palit nuk do të ishte më një mbretëri tokësore, siç e kuptoi Musa , meqë Pali e interpretonte atë si një ‘mbretëri shpirtërore’, që ekzistonte vetëm në zemra dhe në botën e ardhme të ardhjes së Isës .

Në punimet e Palit është shënuar emri i ri, i bazuar në greqisht, për sektin e ri çifut: të krishterët (Greqisht: Kristianoi, pasues të Krishtit)[5].

Shfuqizimi që Pali i bëri ligjit të Musës  i shkaktoi atij përplasje me këshillin e Jerusalemit lidhur me atë se a do të duhej të zbatohej ligji i Musës  nga joçifutët, apo jo. Mësimet e tij u nënshtroheshin autoriteteve politike të asaj kohe, kështu që ‘të kuptuarit’ e tij të mësimeve të Isës  arriti të shtrinte ndikimin, pavarësisht se Pali kurrë s’e kishte njohur Isën  e as nuk kishte mësuar nga shoqëruesit (nxënësit) e tij. Shekuj më vonë, 14 apo 27 libra të Testamentit të Ri të krishterë do të përbëheshin krejtësisht vetëm nga shkrimet e tij. Ai vdiq në Romë, pasi kishte mbështetur Pjetrin në themelimin e një komuniteti të krishterë aty.

Një numër revoltash çifute kundër sundimit romak dështuan, gjë që çoi në shkatërrimin e tempullit të tretë nga romakët në vitin 70AD. 60 vite më vonë, dështoi një tjetër revoltë e çifutëve quajtur Bar Kokhba (132-135AD) dhe, për pasojë, romakët shkatërruan provincën e Judesë duke vrarë e përzërë banorët çifutë. Romakët riemërtuan Judenë në një emër të lashtë të këtij rajoni – Palestina, dhe bashkuan provincën romake të Judesë me provincën romake të Sirisë për të krijuar një provincë të re të quajtur Siria Palestina.

Pas shkatërrimit të Judesë në vitin 130AD, karakteri i krishterimit dominohej nga komunitetet besimtare joçifute të quajtura Kisha (greqisht Eklesia: tubim) të cilët ishin të shpërndara gjithandej rajonit të Mesdheut.

Pas vitit 130AD, qendra e gravitetit të krishterimit kaloi nga Jerusalemi në Kishën e Romës, e cila nisi të fitonte në rëndësi për shkakun se ishte kryeqyteti i perandorisë romake. Supozohet se komunitetin e krishterë në Romë e themeloi Pjetri (një nxënës i Isës  për të cilin besohet se erdhi në Romë, dhe u vra nga perandori Nero rreth viti 67AD) dhe më vonë u mbështet nga Pali.

Megjithatë, krishterimi nisi të shihej me dyshim gjithandej perandorisë romake, gjë që çoi në shumë persekutime dhe vrasje të të krishterëve që zgjatën më shumë së dyqind vjet. Për të krishterët dyshohej se nuk ishin besnikë ndaj Romës dhe perandorit, nuk merrnin pjesë në sistemin politik të Romës apo në ushtri, dhe mbanin ide që kërcënonin vlerat dhe besimet tradicionale romake.

Gjatë kësaj kohe, u shkruan besimet e komunitetit të krishterë; secili komunitet shkroi versionin e tyre të mësimeve dhe jetës së Isës  të quajtur Ungjill (greqisht Evangelion: lajm i mirë). Shkrime të tjera përfshijnë historinë e shoqëruesve të Isës  apo të kishave të hershme, si dhe shkrime të tjera që përmendnin vizione rreth së ardhmes që të krishterët e mëvonshëm pohonin t’i kishin pranuar (greqisht Apokalypses: shpallja). Shekuj më vonë, këta ungjij do të mblidheshin; disa u lanë, disa u zgjodhën varësisht nga përputhja që kishin me besimet e shumicës së krishterëve të asaj kohe (që ishin grekë e romakë). Përfundimisht këta libra u përmblodhën në një kompilim të quajtur Dhiata e Re (Tanakh-ut apo shkrimeve çifute pas kësaj iu referua si Dhiata e Vjetër).

Perandoria romake adopton krishterimin

Krishterimi u qëndroi persekutimeve dhe vazhdoi të përhapej deri në pikën ku u mbështet nga perandori romak Konstantin. Disa historianë thonë se ai bëri këtë për t’i shtypur rivalët e tij dhe për të imponuar rendin në një perandori në rënie. Pas mbështetjes nga perandorët e krishterë të radhës, nën perandorin Teodos, në vitin 380AD, krishterimi u shpall feja e vetme e ligjshme e perandorisë romake e po ashtu edhe Kisha katolike (greqisht Katolikos:

universal). Në vitet vijuese shumë paganë u detyruan të konvertoheshin në të krishterë apo t’i humbnin pozitat, të kërcënoheshin apo dhe të vriteshin.

Në këtë pikë, Kisha e krishtere nuk e kishte të unifikuar hierarkinë. Ajo përbëhej nga koleksione të shpërndara të komuniteteve të krishtere (kisha) në rajone të ndryshme të perandorisë romake, ku secila udhëhiqej nga peshkoi i tyre (greqisht Episkopos: mbikëqyrës ose rojtar) dhe ndiqnin ungjij të ndryshëm dhe shkrime të tjera.

Kurdo që duhej të vendosej për ndonjë çështje doktrinare apo ndonjë mospajtim, perandori romak thërriste peshkopët e të gjitha rajoneve brenda perandorisë për të marrë pjesë në një këshill apo sinod, ku vendosej me votim për secilën çështje. Këshilli i Nikesë në vitin 325AD qe një shembull i kësaj, që u thirr nga Konstantini për të vendosur çështjen e hyjnisë së Isës  me anë të votës, gjë që rezultoi në votimin e shumicës për shpalljen e Isës  si i qenë një me Zotin, dhe vetë Zoti, pavarësisht kundërshtimit nga një pakicë.

Ndarja e perandorisë romake dhe Lindje dhe në Perëndim

Adoptimi i krishterimit nuk parandaloi vazhdimin e luftërave civile, krizën e ndarjeve të territoreve, invadimet e pandërprera barbare dhe rënien graduale ekonomike që shembi perandorinë romake. Pas vdekjes së perandorit Teodos I në vitin 395AD, perandoria romake u nda në dysh. Gjysma perëndimore përbëhej nga folësit latinë, ndërsa gjysma lindore në folës grekë.

Perandoria lindore romake mbeti dhe më vonë nga historianët u quajt Bizanti, sepse perandori Konstantin zhvendosi kryeqytetin në qytetin e mëparshëm grek Bizantium, e rindërtoi dhe e riemërtoi në Kostandinopojë. Pavarësisht krejt kësaj, perandoria lindore i konsideronin vetët e tyre thjesht siromakë dhe i shihnin tokat e tyre si një vazhdimësi e perandorisë romake.

Perandoria perëndimore romake vazhdoi rënien dhe u tërhoq nga territoret veriore të saj në Evropë. Perandoria zgjati (zyrtarisht) deri më 4 shtator

476AD, kur Roma u pushtua dhe shfronësua nga një forcë invaduese barbare e udhëhequr nga Odoker.

Me kalimin e kohës, traditat dhe praktikat e kishave perëndimore dhe lindore do të ndaheshin gradualisht duke vështirësuar kështu komunikimin, dhe, për shkak të dallimeve në përkthim, do të shfaqeshin mospajtimet teologjike dhe do të bëheshin edhe më të vështira me heqjen nga përdorimi të latinishtes dhe greqishtes në të dyja zonat.

Më fillimin e rënies së perandorisë romake, fiset dhe hordhitë nomade të Skatinavias dhe Germanias – frankët, vizigotët, vandalët, lombardët dhe saksonët – iu vërsulen tokave të mëhershme romake duke i arnuar me çifligje e mbretëri të reja. Fiset relativisht të paedukuara dhe të pasofistikuara barbare nuk mundnin t’i riparonin teknologjitë dhe ndërtesat, kështu që i lanë të shembeshin ngadalë. Vendet e mësimit ranë në dëshpërim dhe njohuritë teknike romake u zhdukën, gjë që lajmëroi atë që historianët do ta quanin Epoka e Errët evropiane. Epoka e Errët nuk qe një produkt i krishterimit siç keqinterpretojnë sot disa sekularistë modernë, por qe një rezultat i natyrshëm i shembjes së perandorisë (krishtere) romake dhe i uzurpimit të tokave të saja nga fiset barbare.

Perandoria romake e lindjes nuk ra dhe arriti të ruante tërë njohuritë dhe teknologjinë nga perandoria romake dhe po ashtu nuk vuajti nën ‘epokën e errët.’ Kjo periudhë e errët u ndodhi vetëm mbetjeve të perandorisë romake në perëndim, duke përgatitur skenën për atë që do të vinte.

Ndarja e perandorisë romake në gjysmën perëndimore latino-folëse dhe gjysmën lindore greko-folëse do të vendoste kursin e krijimit të Perëndimit modern. Mbetjet që mbijetuan nga rënia e Romës, Kisha e Romës, do të operonte brenda gjysmës latino-folëse dhe do të shkaktonte transformimin e radhës duke përdorur fenë (që u mor nga Lindja e Mesme në Evropë) e ndryshuar në mënyrë radikale dhe duke e transformuar në një hibrid mes besimeve të lashta semite dhe filozofisë e mitologjisë greko-romake. Feja hibride, përgjatë 1000 vjetëve të mëpasshme, do të krijonte një anomali historike e cila do të formonte civilizimin perëndimor dhe do ta dallonte nga të gjitha civilizimet e tjera.

 

Pjesa e dytë

 

Në pjesën e dytë do të shohim çfarë ndodhi pas rënies së perandorisë romake të perëndimit dhe si u ngrit institucioni i fundit i mbijetuar, Kisha romake, me anë të aktivitetit të pavetëdijshëm të një civilizimi të ri – Islamit. Përplasja e fiseve të krishtera të Evropës perëndimore me civilizimin islamik do të prodhonte forca që do të çonin në lindjen e Perëndimit si një civilizim i veçantë. Ngritja e Islamit do të krijonte Perëndimin.

Rënia e perandorisë romake të perëndimit dhe kolonizimi “barbar” i Evropës

Perandoria romake e perëndimit po shembej ekonomikisht dhe ushtarakisht, kështu që nisi të tërhiqej nga shumë rajone të Perandorisë; në shumë vende ajo u dorëzoi territore fiseve barbare për t’u vendosur në to dhe nuk u bëri rezistencë.

Pas shfronësimit të Romës nga Alarik dhe armata e tij gotike në vitin 410AD, qytetit të Romës i mbeti vetëm një hije e zbehët nga respekti që kishte dikur. Armatat gotike të Odoaker (një ish oficer romak) larguan perandorin e fundit romak të perëndimit në vitin 476AD dhe Odoaker u shpall mbreti (barbar) i parë i Italisë. Kjo i dha fund zyrtarisht perandorisë romake të perëndimit.

Me rënien e perandorisë romake, Evropa u shkel nga fiset barbare; nga Gjermania frankët, lombardët, vizigotët, saksonët, frisianët, si dhe anglët dhe danët nga Skandinavia.

Galët autoktonë dhe Keltët, që më parë kishin jetuar gjithandej Evropës perëndimore nën pushtetin romak, qenë të krishterë; po ashtu shumë komunitete të krishtera të perandorisë romake të perëndimit mbijetuan dhe u përshtatën me zotërinjtë e rinj paganë.

Më vonë, perandoria romake e lindjes nën perandorin Justinian (sundoi 527AD-565AD) u orvat t’i ripushtonte rajonet e perandorisë së kaluar romake në perëndim në një perandori të ribashkuar romake, gjë që pati sukses deri në njëfarë mase, por, për shkak të resurseve të shpërndara, ajo përfundimisht u tkurr në gjendjen e mëparshme.

Megjithatë, perandoria romake e lindjes arriti ta mbante Romën, duke lënë pas vetes një garnizon për ta mbrojtur atë. Qyteti i Romës mbështetej në perandorinë romake të lindjes për t’u mbrojtur nga barbarët evropianë. Peshkopi i Romës merrte pjesë në këshillat dhe sinodet e kolegëve të tij peshkopë në perandorinë romake të lindjes (secili udhëhiqte kisha në Antiok, Aleksandri, dhe Kostandinopojë), por kjo nuk zgjati shumë.

Ngritja e Islamit & Kisha e shkëputur e Romës

Të shtyrë nga luftërat e vazhdueshme kundër perandorisë persiane sasanide dhe bullgarëve invadues, ngritja e Islamit dhe disfatat ushtarake të armatave lindore romake (Bizantit), tkurri perandorinë romake të lindjes duke e bërë të humbte Afrikën e Veriut, Egjiptin, Levantin (Mesdheun lindor) dhe ishujt e Mesdheut.  Kostandinopoja mezi u rezistoi një numri rrethimesh nga kalifi Muavije duke u mbështetur në gjuajtësit e zjarreve në zmbrapsjen e forcave muslimane.

Presioni i invadimit barbar lombard në Itali dhe humbja e një sasie të konsiderueshme të provincave ndaj kalifatit islamik, në perandorinë romake të lindjes krijoi një dobësi dhe paaftësi për të mbrojtur gadishullin italian. Kjo e shtyri peshkopin e Romës të kishte konsideratë ndaj zotërinjve të rinj fisnor gjermanë të Evropës, me qëllim që të mbrohej me anë të tyre. Sikur ngritja e kalifatit islamik të mos kishte përfshirë tokat e dominuara nga perandoria romake e lindjes, historia do të merrte një kah krejtësisht të ndryshëm.

Kisha katolike romake gjen kujdestar të rinj

Duke qenë se Kisha romake ishte jashtë kontrollit të perandorisë romake të  lindjes, ajo shfrytëzoi Romën si një bazë të operativës për të dërguar emisarë dhe resurse nga Kisha katolike për t’i konvertuar në krishterim fiset invaduese pagane, për të themeluar komunitete të reja dhe për t’i zgjeruar ekzistueset, çka çoi në krijimin e peshkopëve dhe kishave të reja gjithandej Evropës. Kjo detyrë u lehtësua më shumë nga fakti se shumë nga fiset invaduese tashmë ishin të krishterë me emër, meqë kishin kaluar më herët në të krishterë për shkak të frikë-respektit ndaj fuqisë dhe civilizimit të ish perandorisë romake.

Peshkopët dhe kleri ruajtën gjuhën perëndimore romake (latine) dhe shumë metoda administrative romake, ligje e kode. Ata ofruan ndihmën e tyre dhe kërkuan t’u jepej autoritet i miratuar fetarisht për t’i sunduar mbretërit e rinj fisnor të krishterë në këmbim të kujdesit dhe mbrojtjes. Me kalimin e kohës, invaduesit u latinizuan dhe gjuhët e tyre ndryshuan nën protektoratin e peshkopëve dhe klerit, të cilët ruajtën shumë aspekte të kulturës së vonë romake. Kjo çoi në adoptimin e shumë fjalëve latine nga gjuhët e këtyre fiseve të reja të krishtere, gjë që çoi në formimin e gjuhëve që më vonë do të njiheshin si: frëngjishte, spanjishte, portugalishte, italishte, anglishte, dhe gjermane. Në fund, pushtimet dhe shtimi i pasurisë në këto vendbanime çuan në ngritjen e mbretërive më të mëdha në Evropën perëndimore.

Në vitin 800AD, Papa Leo III kurorëzoi mbretin frank shumë të suksesshëm, Sharlemanin, si Perandori i Shenjt Romak, duke bartur te Kisha e Romës mundësinë për të emëruar dhe aprovuar mbretër dhe trashëgimtarë të vetë perandorisë romake (gjë që u kundërshtua fuqishëm nga perandoresha Irena e perandorisë romake të lindjes dhe pasardhësi i saj perandori Nikeforos I, i cili e konsideronte vetveten si të vetmen vazhdimësi të vërtetë të Perandorisë Romake).

Perandoria franke e Sharlemanit, e quajtur perandoria karolinge, polli Francën e sotme, Gjermaninë e sotme, dhe Italinë Veriore, që u bënë mbrojtës të fuqishëm të krishterimit romak duke i luftuar muslimanët në Spanjë (më suksese të kufizuara), duke pushtuar lombardët në Itali, dhe duke detyruar saksonët në Gjermani të konvertoheshin në të krishterë ose të vdisnin.

Perandoria karolinge zgjati deri në vitin 846AD, kur dhe u nda në tri pjesë mes tre bijve të perandorit frank Luis “i devotshmi” (840AD) në Fransinë Perëndimore, në Italinë Veriore dhe në mbretërinë e tretë, në rajonin ku sot gjendet Gjermania moderne.

Sundimi i mbretërisë franke në rajonin ku sot gjendet Gjermania u zgjerua deri diku dhe më vonë u bë një tjetër “Perandori e Shenjtë Romake”, e përtërirë nën mbretin Otto I në vitin 963AD (zgjati në forma të ndryshme deri në vitin 1809).

Ndërsa peshkopët dhe kishat e perandorisë romake të lindjes ishin marioneta të perandorit dhe u mungonte pavarësia, pavarësia e re politike e Romës dhe e Kishës së saj, për shkak të tkurrjes së perandorisë romake të lindjes, i lejoi peshkopit të Romës të vepronte si i pavarur dhe të vendoste doktrina teologjike jashtë kontrollit perandorak të lindjes. Kjo përfundimisht do të çonte në një ndarje mes komuniteteve të krishtera nën ndikimin e Kishës romake (kishat e Evropës perëndimore) dhe komuniteteve të shquara të krishtera nën sundimin e perandorit romak të lindjes.

Me kalimin e kohës, shumë peshkopë të Romës nisën të pohonin pronësinë e autoritetit suprem në të gjitha çështjet shpirtërore dhe tokësore, duke argumentuar se themeli i bashkimit të Popullit të krishterë (umetit të krishterë) i takonte Pjetrit të shenjtë për të cilin ata argumentonin se i ishin dhënë “çelësat e Mbretërisë Qiellore”. Peshkopët e Romës argumentonin se ata ishin pasardhësit e drejtpërdrejtë të Pjetrit të shenjtë, prandaj dhe trashëgimtarët e ‘pushtetit’ dhe ‘autoritetit’ të njëjtë, që supozohej se qe përcjellë nga Pjetri i shenjtë, duke pretenduar kështu udhëheqjen (‘që u takonte’) e të gjitha komuniteteve të krishtera gjithandej botës.

Në të kaluarën, peshkopët e shumicës së komuniteteve të shquara të krishtere quheshin ‘Papë’ (nga greqishtja: baba), mirëpo peshkopi i Romës tash (sipas vetë atij) do të ishte i vetmi që do të mund të thirrej Papë. Në thelb, peshkopi i Romës vazhdimisht pohonte epërsi, derisa deklaroi se vetëm peshkopi i Romës mund të vendoste njëanshëm doktrinën e krishtere, ritet, kredon, dhe ligjin kanonik pa pasur nevojë për këshillat apo sinodet.

Në vitin 1054, Papa Leo IX dërgoi kardinalin Humbert për t’i dorëzuar një dekret peshkopit kryesor (patriarkut) të Kostandinopojës Mikael Keruler. Dekreti jo vetëm që pohonte autoritet suprem të Papës së Romës, por edhe pohonte se perandori romak Konstantin në shekujt e kaluar ia kishte ‘dhuruar’ perandorinë romake Kishës së Romës (kjo bazohej në një dokument të pavërtetuar dhe, me gjasë, të falsifikuar të quajtur ‘Dhurimi i Konstantinit’). Misioni përfundoi keqas me refuzimin e atij dekreti dhe kardinali ekskomunikoi

(bëri tekfir në) patriarkun e krishterë të Lindjes. Kjo u prit me një ekskomunikim të ndërsjellë nga patriarku ndaj Papa Leos IX. Kjo nisi përçarjen Perëndim-Lindje, duke krijuar atë çfarë sot njihet si Kisha katolike e Romës dhe Kisha ortodokse e lindjes.

Populli i krishterë – Vetëdija e parë e botës Perëndimore

Konvertimi në krishterim i fiseve pagane evropiane tashmë kishte filluar nën sundimin perandorak romak nga shekulli 4 dhe vinte duke u shtuar deri në shekullin 14. Mirëpo, ishte përballja e katolikëve romakë me Islamin ajo që do t’i ndryshonte përgjithmonë të krishterët romakë të perëndimit, dhe jo qëllimisht do të krijonte nismën e civilizimit Perëndimor si një civilizim i veçantë.

Kontrolli i kishave katolike romake ndaj fiseve dhe mbretërive sa vinte e shtohej, por mbrojtësit dhe ndikimi i tyre po përballeshin politikisht me një armik që lehtë do ta pushtonte – civilizimin islamik. Ngado që shikonte Kisha katolike – në perëndim, Iberi (Spanja/Portugalia e sotme), Sicili, Afrikë Veriore, Levant lindor – shihte vetëm toka islame. Kjo bëri që Kisha katolike të hidhte kushtrimi për bashkimin e të gjithë të krishterëve katolikë, që nisi të merrte hovin rreth shekullit 11, duke çuar kështu në një qëllim të ri lufte, në një kryqëzatë (latinisht ‘cruciata’, koha e kryer e thjeshtë e ‘cruciare’, që do të thotë: të shënjosh me kryq) kundër ‘mosbesimtarëve’ (muslimanëve).

Fiset e vendosura të Evropës perëndimore tashmë ishin bërë mbretëri dhe kishin zhvilluar luftëra mes vete. Krijimi i një lloji të ri lufte, një lufte të bazuar në identitetin krishtero-katolik dhe të aprovuar nga feja e tyre, formoi një vetëdije të re në botën që tash ishte bërë një civilizim i veçantë – krishterimi.

“Nga (Papa) Gregori VII (v.1058AD) e këtej, kristianitas (Populli i krishterë) dhe fjalët e ndërlidhura me këtë ndodhnin shumë më shpesh, dhe ishte kjo periudhë në të cilën termi nisi ta fitonte ‘rëndësinë e saj të vërtetë.’ Popullariteti i të krishterëve përputhej me ngritjen e monarkisë papale, dhe ideja e krishterimit më në fund ‘triumfoi’ nën pontifikatin e (Papës) Inosent III (v.1216AD), me gjasë monarkut papal më të fuqishëm. Kjo ide shtrihej në vatrën e botëkuptimit politik dhe veprimeve të Inosentit. Mund të gjesh artikulimin e plotë të nocionit të kristianitas në kronikat kryqtare, ku përdorimi i kësaj fjale ishte i zakonshëm. Kjo bëhet e kuptueshme pasi të shohim se koncepti i Popullit të krishterë ishte i pari nga parakushtet të ndryshme të lëvizjes kryqtare që zuri të merrte formë dhe i fundit që u zhduk. Parakushti i kryqëzatave, koncepti i një Populli të krishterë, u realizua me kryqëzatën. Nisja e kryqëzatës mund të shihet si një shënim i pikës simbolike kur Populli i krishterë u bë ‘realitet i gjallë’, kur u transformua në atë që mund të quhej shoqëri. ‘Ideja e një[1] Populli të krishterë gjeti shprehjen më të fuqishme në kryqëzatë, e cila lartësoi Popullin e krishterë dhe e barti në nivelin më të lartë të entuziazmit.’ Populli i krishterë dhe kryqëzata lindën së bashku.”

Atëherë, nuk është e befasishme që shënimi më i hershëm që ka mbijetuar

deri sot i përdorimit të fjalës ‘kristianitatis’, që do të thotë ‘Populli i krishterë’ si sovranitet i krishterëve (katoliko-romak), ndodh në një kronikë të një luftëtari kryqtar të paemër nga kryqëzata e parë:

‘Turci inimici dei et sanctae christianitatis’ / Turku (muslimani) është një armik i Zotit dhe i Popullit të shenjtë të krishterë’.[2]

Në fakt, Kisha mesjetare katolike krijoi Popullin e krishterë duke radikalizuar popujt katolikë të krishterë të Evropës kundër Islamit.

Deri më tani, fuqia politike e Kishës katolike ka qenë kufizuar vetëm në vulosjen e mbretërve dhe sunduesve katolikë dhe t’u kërkonte popullatave të krishtere t’u bindeshin atyre. Mirëpo, thirrja për kryqëzatë dhe aftësia për të nisur rregullisht luftëra me iniciativën e saj – duke tërhequr vullnetarë si nga klasa fshatare, si nga ajo aristokrate gjithandej mbretërive të krishtera – e ngriti Kishën në nivel më të lartë sesa të gjithë mbretërit katolikë. Vetëdija e re dhe civilizimi i Popullit të krishterë që zgjeroi mbretëritë e Evropës perëndimore dhe tejkaloi kufijtë e tyre, tani do të udhëhiqej nga Kisha katolike.

Mishërimi i parë i diçkaje që i afrohet Perëndimit të ditëve të sotme si dhe një paraardhës i tij ishte ‘Populli i krishterë.’ Ky koncept u referohej të gjitha tokave të dominuara apo të sunduara nga të krishterët e Kishës romake të perëndimit, katolicizmi romak, dhe në përgjithësi nuk përfshinte Kishën ortodokse të lindjes apo tokat e pasuesve të saj.

Teksa Evropa po kalonte në shekujt 11, 12, 13, dhe 14, suedezët dhe danezët u konvertuan në të krishterë katolikë ashtu siç bënë edhe pjesa tjetër e Skandinavisë dhe e Gjermanisë lindore. Sulmuesit vikingë u vendosën në Fransinë perëndimore me kushtin që të konvertoheshin në të krishterë dhe u quajtën normanë (nga latinishtja ‘normanni’, nga frankishtja e vjetër ‘nortmann’, që do të thotë: ‘njerëz veriorë’). Ky rajon tash quhet Normandi.

Më tej në lindje, sllavët dhe popujt e Novgorodit (më vonë Rusia) u konvertuan në të krishterë ortodoksë të lindjes.

 

Rajoni në ilustrimin e mësipërm shënon ndarjen mes Kishës romake të perëndimit (katolicizmit romak) dhe Kishës romake të lindjes (Krishterimit ortodoks të lindjes).

Mbretëritë katolike të Danimarkës, të Polonisë dhe të Suedisë (dhe dy Rendet e kalorësve gjermanë) në shekullin 13-14 nisën kryqëzatën për të përhapur krishterimin dhe për t’i konvertuar me zor paganët e lindjes. Mirëpo, kryqëzatat katolike nuk qenë rezervuar vetëm për paganët dhe muslimanët. Në vitin 1242, Papa Gregori IX mbështeti kryqëzatat veriore kundër mbretërisë së krishtere ortodokse të lindjes së Novgorodit (Rusia e sotme), që përfundoi me disfatën e katolikëve. Këto fushata tash quhen ‘kryqëzatat veriore.’

Nga shekulli 14, tokat nën kontrollin e krishterëve romakë katolikë, apo

Populli i krishterë, vunë themelet për rajonin që më vonë do të quheshin ‘Perëndimorët.’

Një shënim i shkurtër rreth perandorisë romake të lindjes dhe perspektivës së civilizimit islamik ndaj Popullit të krishterë

Që nga ndarja e perandorisë romake në dy pjesë, perandoria romake e lindjes gjithmonë i është referuar gjysmës tjetër si ‘miqtë romakë’. Kur perandoria romake e perëndimit u shkel nga barbarët, barbarët nuk u konsideruan romakë, por, pas latinizmit të kulturës së barbarëve nga angazhimi i Kishës katolike të Romës, perandoria romake e lindjes i quajti latinikoi (greqisht për latinët). Duhet të kihet parasysh se perandoria romake e lindjes vetëm vetët e tyre i konsideronin si vazhdimësi e Perandorisë Romake dhe i quanin vetët e tyre romaioi (greqisht për romakë). ‘Latinët’ e rinj nga Perëndimi thjesht shiheshin si barbarë të latinizuar që sundonin tokat e pushtuara, të cilat i morën nga perandoria romake, dhe trashëguan e imituan një pjesë të kulturës së vjetër, të mbetur nga një pjesë e vdekur e Perandorisë Romake që ishte përzier me të tyren, kështu që vetë ata në asnjë mënyrë s’do të mundnin të ishin romakë.

Civilizimi islamik kishte pushtuar fiset gjermane të vizigotëve dhe i dha fund okupimit të tyre të Iberisë, por më vonë hasi në përleshje kufitare me katolikët e Asturias në rajonin malor të Iberisë veriore (el-Endelus). Muslimanët po ashtu kishin luftuar kundër invadimit normanë të Sicilisë. Megjithatë, muslimanët e asaj kohe nuk e perceptonin Popullin e krishterë si një forcë të bashkuar e as si një civilizim të veçantë.

Kjo do të ndryshonte pas kryqëzatave, kur muslimanët panë të krishterët nga e gjitha Evropa perëndimore të tuboheshin në armata të drejtuara kah Levanti islamik. Por, as kjo nuk i shtyri muslimanët t’i bënin bashkë të gjithë krishterët; ata ende bënin dallimin mes romakëve lindorë, të krishterëve autoktonë të Lindjes së Mesme, dhe ardhacakëve luftarakë nga Evropa perëndimore.

Romakët e krishterë të lindjes thjesht quheshin er-Rum dhe gjuha e tyre greke quhej er-rumij, ndërsa të krishterët që jetonin në tokat islame thjesht quheshin ‘të krishterë’ apo nessara (arabisht për nazaretas).

Emri më i përafërt nga muslimanët për popujt e Popullit (umetit) të krishterë (katolikët romakë të perëndimit) qe një fjalë e sajuar bazuar në grupin etnik më të shquar që ata kishin takuar – el-Frenxhi (fjalë e arabizuar për frankët). Kjo, me gjasë, ishte për shkakun se perandoritë franke të Evropës qenë forcat më të dalluara katolike gjatë pjesës më të madhe të mesjetës, dhe për muslimanët këta qenë njerëzit me të cilët ata ballafaqoheshin më së shpeshti në atë rajon.

Marrë nga: Mburoja.net

Referenca:

[1] Për më shumë informata rreth zgjerimit agresiv të Republikës Romake dhe diskutimit filozofik mbi atë se përse republikat anojnë nga lufta, lexo “ ‘Imperialism In Republican Rome: 327-70 B.C’ (1985, William V. Harris).

[2] Filistinët mungonin në listën e fiseve për të cilët qe dhënë urdhri të shkatërroheshin nga

[3] fiset e Izraelit (Deuteronomia)

[4] Thuhet se fjala moderne ‘Palestinë’ është përftuar nga ‘Filistin’ apo fjala e lashtë egjiptiane ‘Peleset’ (1100BC-800BC) si fjala më e vjetër për pjesën jugore të Kenanit.

[5] Ky term është përftuar nga përkthimi grek i punimit në hebraisht Messia Kristos, i vajosuri.

4 Për më shumë informata lexo raportin e Favius Josephus, Antiquities of the Jews,

18:1: http://sacred-texts.com/jud/josephus/ant-18.htm

 

[1] Crusading Peace Christendom, the Muslim World, and Western Political Order, Tomazˇ

Mastnak, 2002

[2] Gesta Francorum VI, xiii.

Artikulli paraprakA është paraja me të vërtetë motivuesja e veprimeve tona?
Artikulli vijuesBëhu protagonist dhe mos i fajëso prindërit për atë se çfarë je