Bekim ef. Alimi rrëfen për lutjen dhe pjesëmarrjen në Gotthard

Zvicra ka përuruar dje tunelin më të gjatë dhe më të thellë hekurudhor në botë me një ceremoni në Gotthard. Atë e kanë bekuar përfaqësuesit e katër religjioneve më të mëdha të përfaqësuara në Zvicër, ndërsa imami Bekim Alimi ishte aty në emrin e besimtarëve myslimanë. Ndërsa liderët e vendeve fqinje të Zvicrës – kryeministri italian Mateo Renzi, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti i Francës Francois Hollande – u takuan në një shfaqje të solidaritetit evropian.

Në pyetjen tonë se si erdhi që ai të caktohet si përfaqësues i muslimanëve të Zvicrës me rastin e inaugurimit të Tunelit në fjalë, ai është përgjigjur: “Ministria e Transportit, udhëheqjen e inaugurimit, ia ka ofruar priftit katolik, zt. Martin Werlen, i cili më pastaj ka propozuar që të ftohen edhe fetë e tjera monotesite, gjë që edhe e pranuan, duke përjashtuar njëherit përfaqësuesin protestant, me arsyetimin se të krishterët të prezantohen si një fe, me një përfaqësues. Kjo shkaktoi pakënaqësi dhe huti në disa qarqe, dhe pas disa shkrimeve dhe reagimeve, erdhi deri te ftesa e mëvonshme edhe e përfaqësueses protestante. Kurse mua, si përfaqësues i muslimanëve, më ka caktuar organizata ombrellë e shoqatave dhe qendrave islame, më e madhja në vend, FIDS, në kryesinë e së cilës jam i vetmi imam”, ka shtuar për portalin Islampress.info, imami Alimi.

Lutja

Qëllimi i prezencës së përfaqësuesve të religjioneve, por edhe të Islamit, ka qenë që kjo punë e madhe të merr edhe bekimin e Zotit, Allahut Fuqiplotë. Prandaj, ishin të ftuar edhe përfaqësuesit fetarë. Portali ynë ka kërkuar nga imami Bekim Alimi që të na tregojë se çfarë në të vërtetë ka deklaruar apo është lutur ai. Lutja e imamit është me sa vijon:

“Në emër të Allahut, Mëshirëfalësit, Mëshirëplotit. “Falënderuar qoftë Ai (Zoti) që i nënshtroi këto për ne, sepse ne nuk do të kishim mundësi ta bënim këtë. Dhe ne me siguri do të kthehemi te Zoti ynë!” (Kur’ani 43:13-14)
O Allah! Të lutem për mirësinë dhe begatinë Tënde në këtë vend! Të lutem për siguri dhe vëllazëri! Mbështetem te Ti nga çdo e keqe!
O Allah! Na mundëso tejkalimin e të gjitha brengave dhe na bëj të thjeshtë atë që për ne është e vështirë! Na jep më tepër të mira se sa që mendojmë se meritojmë! Largo çdo të keqe nga ne, që rrezikon shëndetin dhe njerëzinë tonë, o Mëshirues!
O Allah! Në këtë udhëtim dhe në këtë mjet udhëtimi të lutemi për përkushtim dhe përkujdesje! Të lutemi për drejtësi dhe mëshirë mes nesh!
Lehtësojua rrugën atyre që këtë udhëtim tonin na e kanë lehtësuar dhe na mundëso që edhe ne t’ua lehtësojmë të tjerëve udhëtimin e tyre!
O Allah! Të lutem mu ashtu siç të është lutur pejgamberi Ibrahim: “Zoti im, bëje këtë vend të sigurt dhe banorët e tij furnizoji me lloje të ndryshme të frutave dhe ushqimeve!”
Amin!”

bekim alimi

Akuzat për radikalizëm

Nga ana tjetër, pjesëmarrjen e tij sikur nuk e mirëpritën të gjithë, sidomos disa media dhe disa politikanë, të cilët hodhën akuzën se, gjoja, ka lidhje me grupe dhe individë radikale, sidomos në këtë kohë. Se a ishte kjo një tentativë për ta zbehur pjesëmarrjen tuaj apo vërtetë ka pasur qëllime për t’ju penguar për mos shkuarje atje, këtë më së miri na e tregon vetë imami, ku thotë: “Unë nuk mund dhe nuk dua të paragjykoj, por atë që e di mirë është se akuzat kanë qenë të paargumentuara dhe të pavend. Këtë e vërtetoi edhe Ministria e Transportit të shtetit Zviceran, e cila edhe ka pasur burime thelbësore për mua. Ata janë shprehur shumë qartë se akuzat janë të paargumentuara.”

Islami si një fe e njohur në Zvicër

Përfaqësimi i muslimanëve në një event kaq të madh, në nivel të lartë shtetëror, krijon përshtypjen se në këtë vend Islami ka një respekt dhe qytetarët muslimanë të këtij vendi janë të barabartë me të tjerët. Se a mund të llogaritet kjo si një njohje e Islamit, në mënyrë indirekte, e shtetit Zvicran, pasi vetë paraqitja e figurave fetare paraqet fytyrën e shtetit me religjionet dominuese ne vend, imami Bekim Alimi, jep këtë përgjigje: “Do të ishte gjë e madhe po të shpreheshim kështu. Unë nuk mendoj që kjo simbolizon njohjen zyrtare publike të Islamit nga ana e shtetit, sikur që janë dy fetë e tjera, ajo katolike dhe protestante, mirëpo është një hap i madh në këtë drejtim. Është një shenjë e fuqishme e demokracisë së vendit. Është një mirënjohje ndaj organizatave islame, të cilat në vend kultivojnë paqen dhe integrimin e muslimanëve në vend.”

Historia e Tunelit

Bëhet fjalë për megaprojektin që Zvicra e ka filluar në vitin 1999 dhe në të është punuar 17 vite, ku kanë punuar rreth 2400 njerëz dhe ka kushtuar 11 miliardë euro.
Tuneli Gotthard lidh luginën Reus në kantonin Uri me luginën e Tiçinos dhe është tuneli i parë në histori që me linjë direkte kalon nën zinxhirin e alpeve. Tuneli ka dy korsi, njëra e gjatë 57.09 kilometra dhe tjetra 57.104 kilometra, dhe nëse bashkohen me tunelët ndihmëse atherë gjatësia e saj është 151.84 kilometra. Në këtë tunel do të kalojnë vetëm trenat, ku do të bëhet edhe tuneli më i gjatë në botë, ku pas tij do të mbetet ai Seikan i Japonisë që lidh ishujt Honshu dhe Hokaido (53.9 kilometra) dhe tuneli që lidh Francën me Anglinë Lamanche (50.9 kilometra). Duke patur parasysh se kalon nëpër Alpe, ky tunel është edhe më i thelli, ku në një pjesë kalon në 2300 metra nën majen e Alpeve.

https://www.youtube.com/watch?v=RpYaHmX2f88

Artikulli paraprakDavutoglu kthen të gjitha dhuratat që i janë dhënë si kryeministër
Artikulli vijuesErdogan: Muslimanët nuk duhet t’i kushtojnë vëmendje kontrollit të lindjes