Bekim Sali: “BESËN” e Çairit e përbëjnë djemtë dhe vajzat më të mira që ka kjo komunë

Intervistës “3 pyetje nga Mensur Krasniqi” kësaj rradhe i’u është përgjigjur kryetari i Këshillit Komunal të Komunës së Çairit në Lëvizjen Besa, Bekim Sali. Në saje të kësaj interviste përveç procesit të formimit të nëndegëve të Lëvizjes Besa në Çair dhe pritshmëritë e protestës së Këshillit Opozitar me datë 9 maj,  ai për së pari herë publikisht është shprehur edhe mbi raportet miqësore dhe angazhimin e tij në kabinetin e ish ministrit të shëndetësisë, tani zëdhënës i BDI-së, Bujar Osmanin.

Mensur Krasniqi: Meqë edhe jeni kryetar i Këshillit Komunal të Komunës së Çairit në Lëvizjen Besa. Mund të na thoni sa keni arritur deri tani të formoni strukturat e nëndegëve dhe mbi cilat parime bëhet përzgjedhja e anëtarëve dhe kryetarëve?

Bekim Sali: Formimi i këshillave vendore, siç i kemi emërtuar ne ato struktura që të tjerët i kanë quajtur nën nëndegë, deri tash ka vajtur shumë mirë. Si udhëheqës i Këshillit Komunal të Çairit, jam i kënaqur nga ndërtimi i këtyre strukturave, jo vetëm për nga sasia – edhe pse kemi aktivizuar një numër relativisht të madh njerëzish për një parti, por aq më shumë jam i kënaqur që për këto struktura kemi gjetur djemtë dhe vajzat mbase më të mira që i ka komuna jonë. Me një identitet që ka afirmuar seleksionimin cilësor, në BESË rëndom vijnë dhe kërkojnë hapësirë njerëz të moshës së mesme ose të re dhe njerëz që janë të realizuar në aspektin profesional. Ndërkaq, ajo që po ashtu është shumë e rëndësishme për ne – dimensioni moral, ka qenë një prurje me të cilën vërtet mund të mburremi. Madje, në kohën kur partia në pushtet ka filluar ta bëjë mburrje të kundërtën e kësaj, ne vërtet mburremi që në BESË kemi njerëz që shquhen dhe dallohen si njerëz të dijshëm, të realizuar, profesionistë dhe të moralshëm. Kur krejt kësaj ia shtojmë edhe motivin e pjesëmarrjes në politikë – që nuk është vetëm karrierist, por që më shumë është i shtyrë nga ideali për ta shpëtuar popullin nga kjo greminë dhe për të prodhuar më shumë mirëqenie, më duhet që publikisht t’i falënderoj të gjithë që janë bashkuar me BESËN, në përgjithësi, e në Çair – në veçanti.

Mensur Krasniqi: Në rrjetet sociale kishte komente të tipit,  “Bekim Saliu  deri dje ka qenë në kabinetin e Bujar Osmanit derisa ishte ministër i Shëndetësisë”. Ç’lidhje ka kjo?

Bekim Sali: Çairi jonë është i vogël dhe ne të gjithë njihemi mirë mes vete, ashtu që edhe të vërtetat edhe shpifjet përhapen më shpejt se era, por e mira është se Çairi – si lagje urbane që është – nuk e ha byrekun me gjizë për byrek me djathë.

Meqë me Bujar Osmanin kemi filluar klasën e parë fillore në një bankë, jeta na ka bërë që ujërat profesionale të na bashkohen dhe pothuajse gjatë gjithë jetës të njihemi, në fakultet ai në mjekësi e unë në stomatologji. Këtë unë nuk e fsheh dhe nuk jam penduar kurrë për këtë. Bujar Osmani është një mjek i mirë dhe të gjithë ne që e njohim profesionalisht, nuk e fshehim admirimin tonë. Ndërkaq, për pjesën tjetër – dimensionin politik, kemi dallime dhe për këtë arsye jemi në kampe të ndryshme. Unë, me ftesë të tij personale, pra jo me delegim partiak – sepse asnjëherë nuk kam qenë anëtar dhe aktivist i BDI-së, jam përfshirë një kohë të shkurtër në kabinetin e tij, derisa ai ishte ministër, por kjo ka qenë një periudhë të shkurtër. Pa dashur të lë koment të keq, po e them më butë se unë jam tërhequr nga ai kabinet pak më herët se të pendohesha pse kisha pranuar një angazhim të tillë dhe këtë e dinë edhe ata që mund të hamenden se pse ka qenë Bekimi në atë detyrë.

Mensur Krasniqi: Nga ana tjetër kemi protestën e 9 majit, protestë kjo e organizuar nga Këshilli Opozitar si organ i themeluar me iniciativë të Lëvizjes Besa. Cilat janë pritshmëritë për këtë protestë?

Bekim Sali: Protesta organizohet nga Këshilli Opozitar, ndërsa BESA është vetëm logjistikë e tij. Ne, si anëtarë të Këshillit Opozitar, do ta ndihmojmë organizimin e kësaj proteste dhe do ta japim mbështetjen tonë të parezervë për suksesin e saj. Në këtë drejtim u kemi bërë thirrje strukturave të BESËS që të dalin në protestë dhe jam i bindur se kjo protestë do të dalë e suksesshme. Fundja, suksesin e një proteste – sipas meje – nuk e bën numri i pjesëmarrësve, sa është i rëndësishëm mesazhi. Kjo protestë përcjell disa mesazhe: duke qenë 9 maji Dita e Evropës, ne dërgojmë porosinë se – në kohën që pushteti VMRO-BDI po shfaq prirje drejt Lindjes, në do të dëshmojmë se shqiptarët janë të përcaktuar për rrugën e Perëndimit, pra të BE-së; meqë z. Ivanov gati e ka suprimuar Prokurorinë Speciale Publike, shpresën e vetme për drejtësi në Maqedoni, ne do të protestojmë që të kërkojmë drejtësi në Maqedoni, aq më shumë që padrejtësinë në këtë vend më shumë e kanë vuajtur shqiptarë; dhe, e fundit, meqë Maqedonia tashmë ka kaluar në diktaturë, kjo protestë përcjell mesazhin se rikthimi i vlerave demokratike është detyrimi më i lartë për zgjidhjen e krizës. Ndërkaq çelësi i demokracisë është vullneti i popullit, që shprehet përmes zgjedhjeve të lira. E, meqë ne jemi të sigurt se zgjedhjet që janë shpallur njëanshëm për 5 qershor do të jenë reprizë e manipulimit të vullnetit të popullit dhe nuk kemi fare shpresë se me to do të fillojë të funksionojë demokracia e mirëfilltë edhe në Maqedonia, kjo protestë shpreh vullnetin tonë se shqiptarët kërkojnë detyrimisht demokraci në plotkuptimin e fjalës./ Almakos

Artikulli paraprakMuhamed Zeqiri “selam” ministrave të rinj të BDI-së
Artikulli vijuesKim Mehmeti: Zëri i protestës së 9 Majit u pengon edhe vasalëve shqiptarë