Autoritetet në Belgjikë po vendosin trupa në gjithë vendin për ta mbajtur nën kontroll sigurinë, dy ditë pasi nga ndërhyrja e policisë kundër një grupi të dyshuar terrorist, u vranë dy vetë.
Zyra e kryeministrit, Charles Michel, ka njoftuar sot se afro 300 pjesëtarë të sigurisë po vendosen në kryeqytetin Bruksel, dhe në qytetin verior, Anvers, që ka një popullatë të madhe hebreje.
Trupat, po ashtu, janë dërguar edhe në qytetin Verviers, ku policia i ka vrarë dy terroristë të dyshuar gjatë të shtënave më 15 janar, vonë në mbrëmje.
Një person ishte arrestuar në këtë incident dhe ai e ka hedhur poshtë përfshirjen në çfarëdo aktiviteti terrorist.
Pas kësaj ngjarjeje, forcat e sigurisë së Belgjikës i kanë arrestuar 13 vetë gjatë bastisjeve në gjithë vendin, ndërsa pesë prej tyre janë akuzuar “për pjesëmarrje në aktivitete të grupit terrorist”.
Autoritetet e Belgjikës thanë se disa prej të arrestuarve kishin qëndruar për një kohë në Siri.