Berisha: Aalbanofobia, faktor kërcënues për stabilitetin në rajon

“Albanofobia është një faktor madhor kërcënues për paqen dhe stabilitetin në rajon”, deklaroi të hënën, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Kryeministri Sali Berisha.

Kryeministri shprehu bindjen se albanofobia, dhe jo shqiptarët të cilët jetojnë kudo në tokat e tyre, përbën një problem serioz për Ballkanin Perëndimor.

Në vijim, Kryeministri Berisha i bëri apel të gjithë atyre që kanë kontribute të jashtëzakonshme në paqen dhe stabilitetin në rajon, që të shohin zhvillimet në rajon gjatë 8 viteve të fundit. Sipas tij, “me të drejtë janë bërë përpjekje të mëdha për liritë dhe të drejtat e serbëve në Kosovë dhe kjo ka qenë e domosdoshme”.

“Por, nëse përqendrohemi me shumë të drejtë në liritë dhe të drejtat e serbëve në Kosovë, që janë kusht për paqen dhe stabilitetin në Kosovë, nuk mund të injorojmë liritë dhe të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në 5 shtete në Ballkan”, tha Berisha, duke shtuar se, “shqiptarët nuk kanë fobi ndaj të tjerëve, por kërkojnë të jetojnë të lirë dhe të barabartë para ligjit”.

Ai solli në vëmendje miratimin e marrëveshjes ndërkombëtare të Ohrit, e cila sipas Kryeministrit shqiptar u përshëndet me bindjen e thellë se, “zbatimi i saj do të sjellë paqe dhe stabilitet në Republikën mike të Maqedonisë”.

“Sot ka një progres të padiskutueshëm, sikundër ka mangësi të pajustifikueshme në zbatimin e marrëveshjes. Në rrafshin ndërkombëtar nuk po flitet më për këtë marrëveshje, dhe ky është një gabim shumë i madh, sepse nëse ajo harrohet, ju garantoj se rryma tjetër që thotë se marrëveshja është tejkaluar, do të arrijë në mënyrë graduale të bindë njerëzit se ajo nuk është më e vlefshme”, tha Berisha, duke theksuar se, “është e domosdoshme që Marrëveshja e Ohrit të zbatohet, pasi është një dokument i shkëlqyer për të garantuar paqe dhe stabilitet në Maqedoni”.

Ndaj, tha Kryeministri, “zëri im do të jetë kundër albanofobisë”. “Shqipëria ka detyrimin në të gjitha traktatet ndërkombëtare të mbrojë interesat e qytetarëve me origjinë shqiptare, kudo që jetojnë, në përputhje me ato traktate, sikundër do të bëjmë gjithçka për të garantuar standardet më të larta të minoriteteve në Shqipëri. Unë besoj se projekti europian është projekti që realizon bashkimin e shqiptarëve, që i bën kufijtë të parëndësishëm, është projekti që shkrin albanofobinë e trashëguar ndaj tyre”, tha Berisha.

Përsa i përket shqetësimit të ndërkombëtarëve për shtimin e toneve nacionaliste në vend, Berisha tha se, deklaratat e tij kanë qenë dhe janë në tërësinë e tyre një ripërsëritje e qëndrimeve të mëparshme. Ai kujtoi se, në dekretin e 17 korrikut të vitit 1992 thuhet se, shtetësia shqiptare do t’u njihet të gjithë qytetarëve me origjinë apo kombësi shqiptare, kudo që ndodhen pavarësisht nga shtetësia.

“Ky ka qenë standardi i Republikës së Shqipërisë dhe në këtë qëndrim nuk ka asnjë gjë të re përveç zhurmës mediatike”, tha Berisha, ndërsa deklaroi se për qytetarët e Kosovës nuk mund të realizohet ky projekt pa një marrëveshje të mëvonshme me qeverinë e Kosovës, e cila është në një proces të shumanshëm negociatash për vizat dhe negociata me Beogradin për zgjidhjen e një serie problemesh. “Në këto rrethana ne jemi të përkushtuar t’i kontribuojmë me të gjithë forcën tonë konsolidimit të pavarësisë së Kosovës”, tha ai./trt/kohaislame

Artikulli paraprakVaji i Kokosit për mirëqënie të përgjithshme
Artikulli vijuesBritania paralajmëron shkëputjen nga BE