Berisha: Vizitë përçarëse e Ramës në Kosovë

Tashmë ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka hedhur ‘gurë’ ndaj kryeministrit të dekretuar shqiptar, Edi Rama me rastin e fjalimit të tij në Kuvendin e Kosovës.

Mos përmendja e Ibrahim Rugovës në fjalimin e tij, ka hidhëruar jo vetëm LDK-në, por edhe Berishën.

Në një postim në Facebook, Berisha shkruan se vizita e Ramës në Kosovë ishte përçarëse dhe një ngjarje e tillë kurrë nuk do të duhet të ndodhte.

“Te dashur miq, Kryeministri i dekretuar, z.Rama, zgjodhi Kosovën për vizitën e tij të parë zyrtare. Një kryeministër i dekretuar nuk mund të bëjë vizita zyrtare, por mendoj se ky rregull nuk ka vlerë në rastin e dy kryeministrave të kombit tonë” ka shkruar Berisha.

“Mirëpo në një akt përçarës të paimagjinueshëm z.Rama injoroi tërësisht në fjalën e tij në Parlamentin e Kosovës rolin e Presidentit Rugova, arkitektit të Kosovës së Pavarur. Me këtë qëndrim të pashembullt z.Rama detyroi deputetët e LDK të braktisin sallën e Parlamentit gjatë fjalës së tij dhe lëndoi thellë jo vetëm qytetarët e Kosovës, por dhe mbarë kombin shqiptar”, citon orainfo.

“Roli dhe vepra e pavdekshme e Presidentit Rugova është unike në tërë historinë tonë kombëtare. Ai me forcën e pathyeshme të besimit tek e drejta e popullit dhe vendit të tij shpalli, nën pushtimin e egër serb, pavarësinë e Kosovës, ngriti pushtetin paralel të shqiptarëve kundër pushtetit të okupatorit, mbrojti çështjen e drejtë të Kosovës në Shtëpinë e Bardhë dhe kancelaritë e mëdha të Europës. Pas çlirimit të Kosovës nga UÇK, luftëtarët e saj të lirisë dhe NATO, si presidenti i parë i Kosovës së lirë ai udhëhoqi me mençuri dhe vendosmëri vendin drejt Pavarësisë. Nder përjetë veprës së pavdekshme dhe kujtimit të ndritur të Presidentit Rugova!”, ka shkruar Berisha në profilin e tij në Facebook.

Artikulli paraprakSHBA-ja po modernizon armët bërthamore në Europë
Artikulli vijuesQeveria ia merr lejen e ndërtimit xhamisë në Veternik