Lëvizja BESA ka reaguar në lidhje me kthimin në funksion të ministrave të VMRO-DPMNE-së, duke thënë se me këtë veprim BDI po vazhdon me shërbimet ndaj VMRO-së.
“Kësaj radhe ajo i bashkoi duart me deputetët e VMRO-së për ta suprimuar dhe vrarë Marrëveshjen e Përzhinës dhe për ta anuluar përpjekjen e gjithë bashkësisë ndërkombëtare në krye me SHBA-të dhe BE-në për arritjen dhe realizimin e saj. Me votimin e ministrave të VMRO-së, të Punëve të Brendshme dhe të Punës e Politikës Sociale, iu bë edhe një atentat Marrëveshjes dhe kështu edhe një herë u dëshmua në vepër se në cilën anë është subjekti shqiptar në pushtet – thjesht një tufë votash në duar të VMRO-DPMNE-së”, thuhet në reagimin e Lëvizjes BESA.
Me këtë rast Lëvizja BESA edhe një herë kërkon që detyrimisht të zbatohen detyrimet e Marrëveshjes së Përzhinës, ngase, sipas tyre “le që nuk mund të flasim për zgjidhje të krizës, por në këtë mënyrë vendi futet në krizë edhe më të thellë, pasojat e së cilës nuk do të mund të parashikohen”.