Bashkimi Demokratik për Integrim i është rikthyer konsultimeve partiake lidhur me pozicionin e saj pas takimit me presidentin e Maqedonisë, Gjorge Ivanov.
Nga partia e Ahmetit nuk kanë ende qëndrim nëse do të mbështesin Zaevin me nënshkrime në marrjen e mandatit apo nëse do të mbeten në aleancë me Nikolla Gruevskin. Nga BDI-ja thonë se në tavolinë janë të gjitha pesë opsionet.
Derisa partia e Ahmetit nuk ka ende qëndrim, dy partitë tjera lëvizja BESA dhe Aleanca për shqiptarët kanë konfirmuar mbështetjen e tyre për Zaevin. Orhan Murtezani nga BESA thotë se përkrahja ndaj Zaevit për marrjen e mandatit duke mbledhur 61 nënshkrime nuk nënkupton që ata me automatizëm do të pranojnë të jenë pjesë e Qeverisë së ardhshme.
“Si Lëvizje BESA jemi të gatshëm që të mbështesim LSDM-në për krijimin e një shumice parlamentare pa paragjykuar nëse do të jemi pjesë e Qeverisë së ardhshme ose jo meqë ende nuk është ndërmarrë asnjë iniciativë në atë drejtim. Nuk duam të flasim për teza hipotetike. Të presim nëse LSDM-ja do të ndërmerr një iniciativë të tillë pastaj mund të flasim edhe për gjëra më konkrete”, deklaroi Orhan Murtezani, BESA.
Qëndrim të njëjtë ndajnë edhe nga Aleanca për shqiptarët të cilët deklaruan se janë të gatshëm t’i japin mbështetje LSDM-së për formimin e shumicës por Qeveria e ardhshme si kusht duhet të ketë rregullimin e statusit të gjuhës shqipe.
“Aleanca për shqiptarët është e gatshme që të japë nënshkrimet atij mandatari i cili nuk ka qasje refuzuese ndaj deklaratës së përbashkët të partive politike, gjegjësisht ky parim vlen edhe për mandatarin eventual nëse është ai i LSDM-së Zoran Zaev. Ne jemi të gatshëm të përkrahim qeverisjen vetëm me disa kushte të cilat janë pjesë e deklaratës por fillimisht do të kërkojmë që të votohet ligji për përdorimin e gjuhës shqipe dhe mandej do të përkrahim qeverisjen”, tha Flakron Bexheti, Aleanca për shqiptarët, përcjell KP.
Të heshtur vazhdojnë të mbeten dy deputetët e PDSH-së. Pas takimit të liderëve me presidentin Ivanov, kreu i LSDM-së Zoran Zaev u deklarua i bindur që do të formojë shumicën qoftë ajo me 62 ose 67 deputetë.