Mattis: FSK duhet të marrë mandatin për mbrojtjen territoriale, para se të pakësohen forcat e SHBA-ve

Ambasada e SHBA-së në Kosovë përmes faqes zyrtare bën të ditur se Sekretari i Mbrojtjes James Mattis i është përgjigjur Komitetit të Senatit të SHBA-së në lidhje me Shërbimet e Armatosura për Kosovën, 12 janar 2017.

Rreth 650 trupa të SHBA-së mbeten në Ballkan si pjesë e Forcës së Kosovës (KFOR) që së pari u vendos në Kosovë në vitin 1999 dhe sot përbëhet nga mbi 4,600 pjesëtarë nga 30 shtete, transmeton Koha.net.

Çfarë linjash kryesore të përpjekjeve mendoni se duhen për ta pakësuar ose mënjanuar praninë e SHBA-së dhe të NATO-s në Kosovë?

Kosova është shembull i asaj çfarë ndodh kur bashkësia ndërkombëtare, e udhëhequr nga Amerika, angazhohet për mbrojtjen e interesave dhe vlerave të veta.

Në përgjithësi, do të rekomandoja pakësime në përputhje me situatën e sigurisë në terren, por e kuptoj që, tani për tani, Forca mbetet kritike për sigurimin e stabilitetit të rajonit. Përveç kësaj, para se të pakësohet prania ushtarake e SHBA-së, Forcat e Sigurisë së Kosovës duhet ta marrin një mandat për ta kryer sigurinë e brendshme dhe mbrojtjen territoriale, një ndërrim që do të kërkojë ndryshim kushtetues me mbështetje të parlamentit.

Sipas mendimit tuaj, a mund të luajë Bashkimi Evropian rol më të rëndësishëm në Kosovë?

Po. Përpjekjet e Bashkimit Evropian janë thelbësore për zhvillimin ekonomik dhe politik të Kosovës dhe për stabilitetin e saj, dhe duhet të inkurajohet përfshirja e saj e mëtejme.

BE-ja tashmë luan një rol të rëndësishëm në Kosovë duke ndërmjetësuar për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, përmes dialogut Beograd-Prishtinë. Dialogu u lejon të dy vendeve të ecin përpara me planet për anëtarësim në Bashkimin Evropian, me kuptimin se njohja e sovranitetit të Kosovës nga ana e Serbisë do të trajtohet para pranimit aktual të anëtarësimit.

Përveç kësaj, Bashkimi Evropian ndihmon që t’i kontribuohet stabilitetit në Kosovë përmes Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë.

Artikulli paraprakDogana ka arritur të parandaloj 56 kilogramë substanca narkotike
Artikulli vijuesBesa dhe Aleanca do e mbështesin Zaevin