Lëvizja BESA ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në vend. Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes BESA, Afrim Gashi ka deklaros sot në një konfernecë për gazetarë se vetëm para një muaji e disa ditë, më saktë më 18 janar, kur Nikolla Gruevski në Komitetin e tij të VMRO-DPMNE-së vendosi ta shpërbëjë Kuvendin, në mbështetje të tij i pari doli Ali Ahmeti me deputetët e BDI-së, të cilët votuan PRO vendimit për shpërbërje të Kuvendit dhe, rrjedhimisht, për organizimin e zgjedhjeve më 24 prill të këtij viti.
“Ndonëse të gjithë e dinim se lista zgjedhore nuk ishte pastruar dhe nuk ishte miratuar as ligji i ri për media, ndërsa në ato pika insistonin pareshtur edhe SHBA-të edhe BE-ja, asokohe Ali Ahmetit nuk i bëri syri “PËT” dhe pa kurrfarë hezitimi mes SHBA-ve e BE-së, nga njëra anë, dhe Nikolla Gruevskit, nga ana tjetër, ai zgjodhi të jetë në anën e parterit të tij qeveritar disavjeçar, me të cilin deri tash kanë realizuar shumë projekte antishqiptare, si “Shkupi 2014”, “Monstra”, “Lagjja e Trimave”, pra në anën e VMRO DPMNE-së dhe të Nikolla Gruevskit”, ka deklaruar Gashi.
Ndërkaq sot, kur është e qartë se agjenda për të cilën insistojnë SHBA-të dhe BE-ja nënkupton zgjedhje të lira dhe demokratike në Maqedoni, BDI-ja dëshiron ta kapitalizojë këtë fakt duke u shfaqur se gjoja është në anën e ndërkombëtarëve, duke ndryshuar qëndrimin dhe duke u shfajësuar, sikur neve na ka lënë mbamendja plotësisht, se ajo gjithnjë ka qenë në anën e ndërkombëtarëve, ka vlerësuar Gashi.
“Por, shqiptarët tashmë e kanë të qartë se nga cila anë është BDI-ja dhe Ali Ahmeti dhe nga cila anë janë shqiptarët. Ne, si shqiptarë në Maqedoni, e kemi të qartë agjendën dhe partneritetin tonë dhe e dimë shumë mirë se cilët janë miqtë tanë e nga na vjen rreziku. Shqiptarët janë popull proamerikan dhe proeuropian dhe ata e kanë zgjedhur rrugën e vet të integrimit në BE dhe NATO dhe në këtë rrugë asnjë shqiptarë nuk ka hezitim”, ka deklaruar Gashi.
Në fund, Gashi ka deklaruar se vetëm ata që janë lidhur aq ngushtë me Gruevskin dhe ecin në rrugën e tij proruse, vetëm ata nuk mund të qëndrojnë në këtë rrugë dhe detyrohen ta luajnë lojën e dyfytyrësisë. “Por, kjo gjë te shqiptarët më nuk kalon. Ranë maskat dhe ra ky mort e u pamë”, ka deklaruar Gashi. /SHENJA/