Prishtina, 22 shtator – Deputetja e Kuvendit të Kosovës në radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri, në seancën e sotme në Kuvendin e Kosovës ka folur rreth Kishës ortodokse në oborrin e Universitetit të Prishtinës.
Nga foltorja e Kuvendit, ajo tha se në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, në asnjë vend ku ka institucione arsimore nuk do të ketë kisha e xhamia.
“Shteti ynë është shtet laik. Kisha serbe që është e ndërtuar nën regjimin e Millosheviqit, të gjithë e dinë se çfarë qëllimi kishte kjo kishë në atë kohë.
Serbët e Kosovës kanë obligim ta respektojnë Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Në asnjë vend ku është institucion arsimor nuk do ketë kisha e xhamia.
Çdo qytetar i këtij vendi do t’i nënshtrohet ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, tha Gaxherri.
Gaxherri shtoi se zëvendëskryeministri Branimir Stojanovic e ka përgatitur terrenin që të hapet kisha ortodokse në kampusin e Universitetit të Prishtinës.