Besoj në Zot, nuk e dëmtoj askënd, Kaq (video)

Hoxhë Bekir Halimi

Dikush mjaftohet me të qenët besimtar me zemër i Zotit Fuqiplotë dhe me mosbërjen dëm askujt. Këtu përfundon i gjithë besimi dhe feja e tij. Sigurisht që kjo është e gabuar për shumë arsye.
Feja islame e ndihmon besimtarin të rregullojë raportet e tij me Krijuesin e vet, e ndihmon të rregullojë raportet me vetveten dhe me shoqërinë në përgjithësi.

Ai thotë se beson, por besimi i tij, raporti i tij me Krijuesin është i mangët sepse në fakt raporti ndërtohet mbi dy parime bazë, të cilat janë besimi dhe vepra. Thënë ndryshe, trekëndëshi i përkufizimit të besimit është: besimi në zemër, shprehja me gjuhë dhe vërtetimi me gjymtyrë.
Nga ana tjetër, rregullimi i raporteve të njeriut me shoqërinë nuk ndërtohet vetëm mbi parimin e të mos bërit dëm askujt. Ky është vetëm njëri prej parimeve, i cili pastaj plotësohet edhe me parimet e tjera, si për shembull bërja mirë njerëzve, të qenët i dobishëm për njerëzit e të tjera.

Profeti Muhamed sal-lAllahu alejhi ue sel-lem na ka treguar se feja islame ndërtohet mbi pesë shtylla.
1. Dëshmia se s’ka Zot tjetër që meriton të adhurohet me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem është rob dhe i Dërguari i Allahut.
2. Falja e namazit.
3. Agjërimi i muajit Ramazan.
4. Dhënia e zekatit.
5. Kryerja e haxhit.
E, këto janë vepra! Jeta në mesin e shoqërisë kërkon që t’u sjellësh dobi njerëzve, të jesh i dobishëm për familjen tënde, për rrethin tënd, për shoqërinë tënde, për vendin dhe për popullin tënd dhe të mos mjaftohesh me faktin e vetëm që mos t’u bësh dëm atyre. Ky edukim fetar islam e transformon njeriun nga besimtar apo njeri pasiv në njeri aktiv për të mirë.
Shohim se shumë të rinj dhe të reja janë aktive, mirëpo fatkeqësisht në gjëra të dëmshme, në gjëra që i sjellin të zeza popullit. Sot kemi nevojë që kjo energji që gjendet tek i riu dhe e reja të shndërrohet në energji pozitive për t’i sjellë njerëzimit mirësi.
Muhamedi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thotë: “Më i miri prej jush është ai që është i dobishëm për njerëzit.”
Po të shfletojmë Kur’anin Fisnik, do të vërejmë shumë ajete kur’anore që flasin për besimin tek Allahu dhe kryerjen e veprave të mira. Ata që besuan Allahun bëjnë edhe vepra të mira, sepse këto dy gjëra janë të pandara nga njëra-tjetra. Slogani “unë besoj dhe nuk i bëj dëm askujt!” është i mangët dhe nuk përfaqëson apo nuk tregon personalitetin e plotë të një njeriu, të një besimtari.
I nderuar vëlla i ri dhe e nderuara motër e re, mundohu të kalosh nga kjo fazë në fazën e besimtarit që u bën dobi njerëzve dhe flijohet për të mirën e të gjithëve. Ai fillimisht flijohet për Zotin Fuqiplotë, por ky veprim vetvetiu është në dobi të mbarë shoqërisë.
E lus Allahun Fuqiplotë të na bëjë të këtillë dhe të kemi të rinj dhe të reja aktive në vepra të mira dhe që rrezatojnë energji pozitive për të gjithë shokët dhe shoqet e tyre kudo që të jenë.

 

Artikulli paraprakZgjedhjet në Ramazan?!
Artikulli vijuesParalajmërohet katastrofë humanitare në Gaza