Beteja për Alepon, Obama shpreh shqetësim të thellë

Presidenti amerikan Barack Obama shprehu shqetësimin e tij të thellë për situatën në qytetin rebel të Alepos, ndërsa ushtria siriane po zhvillon një ofensivë të ashpër atje.

Përmes zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë Josh Earnest, Obama tha se gjakderdhja e frikshme jo vetëm në Alepo, por në të gjithë Sirinë, është tmerruese dhe i duhet dhënë fund.

“Nga çfarë kemi parë është e qartë se regjimi i Asad dhe rusët po zhvillojnë një fushatë ushtarake për të goditur civilët dhe për ti nënshtruar ata me bomba”, deklaroi Earnest. Ndërkohë, mësohet se mjekët në Alepo nuk po përballojnë dot fluksin e viktimave të shkaktuara nga fushata më e ashpër e bombardimeve prej vitesh.

Aktivistë në terren dhe banorë thonë se avionët janë gjithnjë të pranishëm mbi qiejt e qytetit, ndërsa njerëzit nuk dalin prej bodrumeve ku janë strehuar. Raportohet se avionët po përdorin armatime nga më të ndryshmet për të bombarduar qytetin që nga bombat me fosfor, napalm dhe bomba thërrmuese.

Në këtë situatë katastrofike, as ndihmat nuk mund të shkojnë në Alepo, pasi bombardimi i karvanit humanitar të OKB disa ditë më e bëri të qartë se kjo nuk do të lejohet. Për më tepër, zyrtarë të ushtrisë, siriane të intervistuar nga AFP thanë se bombardimet do të vazhdojnë kundër terroristëve dhe ky është një vendim i pakthyeshëm. Regjimi sirian cilëson terrorist këdo që është kundër tij dhe kjo do të thotë se edhe bombardimi bëhet pa dallim.

Artikulli paraprakFëmijët e refugjatëve në Greqi, jo në shkollë me të tjerët
Artikulli vijuesLëvizja BESA me strategji për bashkëpunimin opozitar