Lëvizja BESA me strategji për bashkëpunimin opozitar

Lëvizja BESA ka hartuar një strategji e cila ka për qëllim bashkëpunimin pozitiv të partive opozitare në Maqedoni. Sipas zëdhënësit të këtij subjekti politik, Faton Fazliu, kjo lëvizje po ashtu ka ngritur edhe një komision i cili do të merret me këtë çështje.

“Ky komision deri tash ka treguar edhe rezultatet e veta, ka pasur edhe kontakte dhe negociata me të gjitha partitë politike opozitare dhe shpresojmë që së shpejti do të kemi rezultate konkrete lidhur me bashkëpunimin opozitar”, ka deklaruar zëdhënësi i BESËS, Faton Fazliu.

Fazliu u shpreh optimist duke thënë se presin që ky komision të sjell rezultate pozitive.

“Bazuar në bisedimet e deritanishme ne jemi shumë optimistë dhe presim që e gjithë kjo të kurorëzohet me bashkëpunim të mirëfilltë opozitar”, tha më tej ai.

Ai tha se Lëvizja Besa është në kontakt me të gjitha partitë opozitare ndërsa ditëve në vijim do të informojnë më konkretisht për këtë bashkëpunim.

Artikulli paraprakBeteja për Alepon, Obama shpreh shqetësim të thellë
Artikulli vijuesAlisetar Ramadani: Mos e fajësoni fenë islame për prapambeturinë tonë