Bie në mënyrë drastike numri i migrantëve kosovarë në Hungari

Numri i migrantëve ilegalë nga Kosova në Hungari ka rënë që nga fillimi i vitit. Në të njëjtën kohë, numri i migrantëve ilegalë nga Siria, Afganistani e Iraku, mbetet i lartë, ka thënë Zsuzsanna Végh, drejtore e Zyrës Hungareze për Migrim dhe Kombësi (BÁH).
Në një trend të paprecedent, më shumë se 7,000 migrantë ilegalë kanë arritur nga këto tre vende që nga fillimi i 2015, ka thënë Végh për radion publike hungareze, transmeton Koha.net. Migrantët kanë ikur nga zona ku siguria është përshkallëzuar seriozisht, ka thënë ajo, duke shtuar se vlerësimi i aplikacioneve të tyre është proces më kompleks sesa i atyre që vinin nga Kosova.
 
Végh ka theksuar se si rezultat i bashkëpunimit ndërkombëtar në mes të autoriteteve, numri i migrantëve ilegalë ka rënë drastikisht, nga rreth 1,000 në ditë në fillim të këtij viti, në 150-200 në ditë tani. Megjithatë, numri mbetet i lartë kur krahasohet ndërkombëtarisht.
 
Deri më tani, Hungaria llogaritet si vendi i dytë me numrin më të madh të migrantëve ilegalë të regjistruar, pak prapa Gjermanisë.
 
Drejtoresha ka thënë se numri në rënie i migrantëve kosovarë të kapur në Hungari mund t’i atribuohet bashkëpunimit mes Hungarisë, Gjermanisë, Austrisë dhe pjesërisht Kosovës për të penguar migrimin ilegal, bashkë me fushatën e gjerë në Ballkan ku shtetet anëtare të BE-së kanë informuar azil-kërkuesit e ardhshëm se shanset e tyre për marrje të statusit të mbrojtjes në BE janë të dobëta.
Artikulli paraprakFacebook do ta ndal lakuriqësinë në faqen e saj
Artikulli vijuesSony Xperia Z4 do të sjell dizajn të ri