Kërcënon mësuesen me thikë, vihet në pranga

0
138

TIRANE-Një nxënës i shkollës së mesme është vënë në pranga për shkak se ka kërcënuar me thikë mësuesen e tij. Ngjarja ndodhi në shkollën ‘Sandër Prosi’ në Tiranë kur nxënësi me inicialet A.S, 17 vjeç pas një grindjeje me mësuesen Blerta Gjata i drejtoi kësaj të fundit thikën që e kishte në xhep. Nxënësi debatoi gjatë me mësuesen, ndërkohë që mbante të drejtuar nga ajo thikën. Të tjerë nxënës të tmerruar nga situata kanë njoftuar rojën e shkollës dhe më pas policinë. Efektivët kanë shoqëruar nxënësin 17-vjeçar në komisariat ku dhe është marrë në pyetje për ngjarjen. Ndërkohë, deklaratë për policinë ka dhënë dhe mësuesja e adoleshentit. Policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Ka qenë ky pasqyrimi që i është bërë ngjarjes që ndodhi dje në gjimnazin “Sandër Prosi” nga agjencia e lajmeve “Balkanweb”. Për të mësuar më shumë rreth kësaj historie, ne kemi marrë kontakt me drejtoreshën e kësaj shkolle, znj. Luljeta Basha.

E kontaktuar nga “GSH”, znj. Basha tha se gjithçka ka nisur gjatë orës së mësimit, pas një përpjekje të 17-vjeçarit për të prishur procesin. “Nxënësi ka qenë duke gërvishtur bankën me një biçak-thikë, mesatar në madhësi, ndërsa mësuesja i ka tërhequr vëmendjen dhe i ka thënë që ta fusë në çantë thikën sepse mjete të tilla nuk lejohen në shkollë dhe përveç kësaj, ai ishte duke penguar mbarëvajtjen e mësimit me zhurmën që po bënte.

Mësuesja ka vazhduar sakaq duke i thënë që në rast se nuk ndalon, do ta çojë çështjen në drejtori. Në këtë moment djali është çuar dhe i ka vajtur tek tryeza e punës duke i vërvitur biçakun (thikën). Mësuesja i ka kërkuar të ulet, ndërkohë që djali ka bërë rezistencë, duke i thënë: “Pse çfarë do më bësh, po s’u ula?!” – duke i drejtuar thikën.
Në këtë kohë ajo i ka thënë të dalë jashtë dhe një nga nxënësit ka njoftuar në drejtori dhe rojet poshtë lidhur me situatën. Sapo kemi mësuar mbi ngjarjen ne kemi njoftuar policinë, të cilët kanë mbërritur në shkollë brenda pak minutash”, – tha drejtoresha e shkollës “Sandër Prosi”. Ajo tregoi ndër të tjera se nxënësi ishte thirrur në drejtori pas ngjarjes, ku kishte thënë se thika nuk ishte e tij, por e një shoku tjetër. “Në këtë kohë janë vënë në dijeni edhe prindërit e tij, kontakti me të cilët ka qenë pak i vështirë në fillim, por më vonë gjithçka është sqaruar”, – ka shtuar drejtoresha.

Lidhur me masat disiplinore që do të merren ndaj nxënësit, znj. Basha ka thënë se për këtë do të vendosë këshilli i disiplinës, por gjithsesi gjasat janë që “nxënësi të përjashtohet, sepse ai ka thyer rregulloren e shkollës duke mbajtur me vete armë të ftohta, e duke iu kanosur më pas mësueses së lëndës”. 17-vjeçari e ka kaluar mbrëmjen në qeli dhe sot pritet që të vendoset masa që do të merret ndaj tij.bw/kohaislame