Bien investimet në Kosovë, rënie ka edhe në eksporte e remitenca

Raporti i fundit i publikuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), për vlerësimin e ekonomisë për 3 mujorin e dytë të këtij viti, nxjerrë në pah gjendjen ekonomike në Kosovë.

Gjitha vlerësimet tregojnë se ka rënie të investimeve të huaja, rënie të eksporteve dhe remitencave.

Investimet e Huaja Direkte (IHD) të pranuara në Kosovë, deri në qershor 2016, arritën vlerën prej 97.5 milionë euro, që paraqet nivel më të ulët krahasuar me vlerën prej 163.0 milionë euro të regjistruar në periudhën e njëjtë të vitit 2015.

Deficiti në tregtinë e mallrave u karakterizua me një rritje vjetore prej 10.4 për qind në gjashtë mujorin e këtij viti, kryesisht si pasojë e rënies së eksporteve dhe rritjes së importeve.

Eksporti i mallrave në gjashtëmujorin e parë të vitit 2016 kishte vlerën prej 152.4 milionë euro, që përkon me një rënie vjetore prej 5.6 për qind. Ndërsa vlera e gjithsej mallrave të importuara në gjashtëmujorin e parë 2016 arriti në 1.3 miliard euro, që paraqet një rritje vjetore prej 8.3 për qind.

Gjithashtu, sipas vlerësimeve të BQK-së, remitencat e pranuara në Kosovë, që njëherësh paraqesin edhe kategorinë më të madhe në kuadër të llogarisë së të ardhurave dytësore, në gjashtë muajt e parë të vitit 2016 shënuan vlerën prej 329.6 milionë euro, që paraqet një rënie vjetore prej 2.7 për qind.

Sa i përket regjistrit të bizneseve, deri në qershor 2016 është shënuar rritje e numrit të ndërmarrjeve të regjistruara dhe po ashtu rritje e numrit të ndërmarrjeve të mbyllura.

Numri i ndërmarrjeve të reja të regjistruara ishte 5,697, ndërsa u mbyllën 1,384 ndërmarrje apo 448 ndërmarrje më shumë se sa në vitin paraprak .

Pavarësisht rënies në të hyra në shumë sektorë, Qeveria ka arritur të krijoj shpenzime buxhetore 716.4 milionë euro që paraqet një rritje vjetore prej 7.4 për qind.

Rrjedhimisht, buxheti i Kosovës regjistroi bilanc pozitiv buxhetor prej rreth 20.3 milionë euro krahasuar me bilancin negativ buxhetor prej rreth 21.1 milionë euro deri në qershor të vitit 2015.

Me gjithë këto parametra negativ, BQK, ekonomia e Kosovës në vitin 2016, sipas parashikimeve të BQK-së, pritet të shënojë rritje prej rreth 3.6 për qind.

Kjo rritje pritet të gjenerohet nga kërkesa e brendshme, ndërsa neto eksportet parashihet të vazhdojnë të kenë kontribut negativ në rritjen e BPV-së. /KP/

Artikulli paraprakVIDEO / Rrëfimi i 12-vjeçares që u përdhunua nga njerku
Artikulli vijuesMustafa: Me Ligjin për Trepçën hapet e ardhmja e saj