Shumë pakënaqësi me listat e veteranëve, Çeku fajëson komandantët e UÇK-së

Lista me veteranët e luftës ka nxitur pakënaqësi. Një ditë pas publikimit të emrave të atyre që luftuan në zonat Llap dhe Karadak, u ngritën dyshimet e para lidhur me manipulimet e mundshme, raporton KTV.

Ish-komandanti i Zonës operative të Karadakut, Ahmet Isufi, thotë se lista e kësaj zone ka defekte, të cilat duhet përmirësuar dhe se në këtë listë duhet të hyjnë vetëm persona, të cilët kanë qenë pjesë e luftës dhe kanë dhënë kontributin e tyre.

Isufi nuk ka dashur t’i komentojë deklaratat e kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili e akuzoi atë se kishte dezertuar në kohën më të rëndë për luftëtarët e lirisë, përcjell koha.net. Sipas Isufit, këto deklarata janë të ulëta dhe ky proces nuk duhet të politizohet.

Kreu i Komisionit qeveritar për verifikimin e statusit të veteranëve, invalidëve, dëshmorëve, pjesëmarrësve dhe të internuarve të UÇK-së, Agim Çeku, për këto lista i bëri përgjegjës komandantët e zonave.

Mirëpo, këto deklarata të Çekut nuk i pëlqyen aspak ish-komandantit të Zonës operative të Dukagjinit, Ramush Haradinajt. Ai i rekomandoi Çekut që t’i identifikojë dhe t’i përmirësojë sa më parë gabimet e lëshuara gjatë përpilimit të listave.

Ndërsa 20 shkurti është dita e fundit kur pritet të publikohen të gjitha listat.

Artikulli paraprakBruksel – Liderët e BE marrin masa shtrënguese në Shengen
Artikulli vijuesPushtetarë dhe qeveritarë të vendit tim