Bisedimet për Sirinë, Kerry shprehet optimist

Sekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kerri tha se bisedimet me Rusinë dhe partnerët e koalicionit po i afrohen pikës së mirëkuptimit për rikonfirmimin e armëpushimit në Siri, përfshirë edhe në qytetin e Alepos.

“Po i afrohemi një qëndrimi të përbashkët, por kemi ende punë për të bërë, prandaj jemi këtu”, deklaroi Kerri në fillim të takimit me ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite, Adel al-Jubeir në Gjenevë.

Kerri do të takohet edhe me të dërguarin e OKB-së për Sirinë, Stafan de Mistura, për të diskutuar për mundësitë e ndalimit të luftimeve, sidomos në Alepo, ku situata është katastrofike.

Në të njëjtin kuadër, kryediplomati saudit tha se qëllimi i bisedimeve është të gjendet një rrugë për të ndalur luftimet, ndërsa dënoi përshkallëzimin e përleshjeve si një shkelje të të gjitha ligjeve humanitare. Jubeir  fajësoi qeverinë siriane për sulmet në Alepo dhe i bëri thirrje Presidentit Bashar al Assad që të largohet nga pushteti.

Duke konfirmuar qëndrimin e njohur të Arabisë Saudite, ai tha se Asad mund të zgjedhë që të largohet përmes një procesi politik, në të kundërt do të rrëzohet me forcë.

Artikulli paraprakSulm në Bagdad, 13 pelegrinë shiitë të vrarë
Artikulli vijuesTraditat dhe shtëpitë e pleqve – Të moshuarit shqiptarë vështirë e lëshojnë familjen!