Bogdanovic: Është koha të pajtohemi me shqiptarë

“Ka ardhur koha për një marrëveshje mes shqiptarëve dhe serbëve. Mjaft me konflikte. Është momenti për pajtim”, ka thënë ish-ministri për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanovic.

Ai shprehet se Beogradi e Prishtina duhet të gjejnë një zgjidhje kompromisi, duke vazhduar dialogun e nisur me ndërmjetësimin e BE-së dhe duke zbatuar marrëveshjet që janë arritur deri më tani.

Sa i takon dialogut të nisur, Bogdanovic vlerëson se Beogradi dhe Prishtina duhet të gjejnë ndonjë zgjidhje kompromisi, me të cilën do të ishin të kënaqur të dy palët dhe në radhë të parë populli serb dhe shqiptar. Ndërkohë, thekson se Serbia nuk do e njohë kurrë pavarësinë e Kosovës.

“Ne kemi nisur një rrugë të mirë. Kemi nisur dialogun dhe kemi arritur disa marrëveshje. Ndërsa Qeveria e re tani duhet të zbatojë këto marrëveshje, ndonëse disa prej tyre janë realizuar në kohën e qeverisë sonë. Sfidat më të mëdha janë tani administrimi i integruar i vijave administrative, liria e lëvizjes dhe çështja e veriut. Pa zgjidhjen e çështjes së veriut nuk mund të ketë asnjë përparim në raportet mes Prishtinës dhe Beogradit”, deklaron Bogdanovic për DW, transmeton “Express”.

Ai mendon që në veri të Kosovës është e rëndësishme të vendoset sundimi i ligjit, që të sigurohet liria e lëvizjes, që EULEX-i dhe KFOR-i të lëvizin të lirë, që të neutralizohen dhe eliminohen grupet ekstreme serbe dhe shqiptare në veri, që fajtorët dhe kriminelët të nxirren para drejtësisë.

“Më e rëndësishmja është që të shkojnë në drejtim të pajtimit. Konflikte dhe probleme ka pasur mjaft. Kanë kaluar 13 vjet nga konflikti dhe ne nuk kemi arritur asgjë – jo vetëm serbët, por as shqiptarët të cilët po ashtu kanë mbetur pa punë dhe jetojnë në gjendje të rëndë sociale. Ndaj, sa më parë duhet të zgjidhim çështjet politike në mënyrë që të përmirësojmë gjendjen ekonomike dhe njerëzit të fillojnë të jetojnë normalisht, nga puna e tyre”, përfundon intervistën e tij, Bogdanovic.kohaislame

Artikulli paraprakSamsung nxjerr prototipin e serisë 9 me rezolucion 2560×1440
Artikulli vijuesFondi pensional vazhdon të mbetet në Serbi