Borxhi i bizneseve, KLSH: Faji i Tatimeve

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë përgjegjëse administratën tatimore për rritjen e madhe të borxheve, që bizneset kanë ndaj shtetit.

“Drejtoria e Tatimeve nuk ka mundur të vjelë detyrimet e papaguara nga subjektet tatimpaguese, pasi nuk ka krijuar kushtet për zbatimin e ligjit”, thuhet në vlerësimin e KLSH-së.

Sipas të dhënave zyrtare, në fund të vitit të kaluar, borxhi i bizneseve në shtet për taksat e papaguara, përfshirë gjobat dhe kamatëvonesat arriti në 1.1 miliardë euro.

Krahasuar me vitin 2011, detyrimet e papaguara të bizneseve në shtet janë rritur me 2.2 herë. KLSH thotë se shkaku kryesor është administrata fiskale, e cila jo vetëm që nuk e ka parandaluar krijimin e këtij borxhi, por as nuk ka qenë efektive në mbledhjen e tij.
“Administrata Tatimore nuk ka arritur të menaxhojë detyrimet tatimore të papaguara në afat dhe të zbatojë me efektivitet masat shtrënguese për mbledhjen e tyre”, vijon më tej vlerësimi i KLSH-së.

Ndonëse aktualisht numërohen mbi 140 mijë biznese debitore në shtet, pjesa më e madhe e borxheve i përket një grushtit të vogël kompanish. Sipas KLSH-së, tolerimi i tyre ka dëmtuar buxhetin e shtetit, por edhe qytetarët.

Shifra prej 1.1 miliardë eurosh të borxheve që biznesi ka në shtet është e barabartë me gati 10 për qind të prodhimit kombëtar. Nëse këto detyrime do të mblidheshin, paratë e arkëtuara do të mjaftonin që qeveria të ulte borxhin publik nga 70 për qind e prodhimit kombëtar, që është sot, në 60 për qind, pa rritur taksat mbi qytetarët dhe pa shkurtuar shpenzimet publike.
Top Channel

Artikulli paraprakVasili: Rama rropi paratë e palmave, tani do rrjepë të pishave
Artikulli vijuesBoronica e Veriut – Superfruti shqiptar më i kërkuar