Helmohen nxënësit e Gjimnazit në Skenderaj

Njëmbëdhjetë nxënës të klasës XI/8 drejtimi natyror të gjimnazit “Hamzë Jashari” në Skenderaj, janë helmuar të premten pasdite nga një materie e dyshimtë, që supozohet se ishte hedhur në klasë.

Nëntë femra dhe dy meshkuj, të cilëve u ishte vështirësuar frymëmarrja dhe kishin pasur ngërçe, janë dërguar në QKMF-në e Skenderajt, të shoqëruar nga disa profesorë, të cilët nuk kanë ditur t’i shpjegojnë shkaqet e helmimit.

Mjekët në QKMF-në e Skenderajt, të cilët i kanë trajtuar të helmuarit kanë thënë, se nxënësit janë sjell në Qendrën Emergjente në gjendje të rëndë dhe të lehtë, por 6 prej tyre, të cilët e kishin gjendjen shëndetësore më të rënduar janë dërguar në QKUK.

Pesë prej këtyre nxënësve në gjendje më të rëndë janë transportuar për në Qendrën Emergjente të QKUK-së.

Mjekët ende nuk i dinë për shkaqet se si janë helmuar, simptomat e para ata i kanë pasur gjatë procesit mësimor në shkollën e tyre.

Avdush Bajgora, mjek në Qendrën Emergjente të QKUK-së, ka thënë për Kosovapress se rreth orës 16:00, në këtë qendër janë sjell pesë nxënëse që të gjitha me simptoma të njëjta, porse nuk janë në rrezik për jetën.

“Sot në orën 16:00 në Qendrën Emergjente janë sjell pesë fëmijë të gjinisë femërore me ankesa, dhimbje koke, skuqje e syve, djegie të fytit dhe tugë. Në pranim pacientët janë reanimuar dhe i është dhënë terapia adekuate, i janë marrë analizat bazë dhe hemogrami. Fatkeqësisht ne në Kosovë nuk disponojmë me laborator të toksikologjisë i cili do t’i eliminonte të gjitha dyshimet për natyrën e intoksikimit të fëmijëve që janë sjell këtu”, ka thënë ai.

Saranda Hoti, njëra nga nxënëset e helmuara, ka thënë se kanë qenë në orë të mësimit kur ka ndodhur rasti. Ajo dyshon se është hedhur ndonjë lëndë në klasë.

“Kemi qenë në orë të mësimit dhe ka ardhur një ajër shumë i rëndë dhe kemi pas nxënie të frymës, kollitje, djegie të syve dhe e kemi humbur vetëdijen dhe nuk më kujtohet asgjë tjetër. Mund të jetë ndonjë sprej”, ka thënë ajo.

Mjeku, Bashkim Meha, i cili ka përcjellë nxënësit nga Qendra e Mjekësisë Familjare të Skenderaj, për në emergjencë, tregon për Kosovapress se në gjendje të rëndë janë sjellë gjithsej 11 nxënës, kurse 6 prej tyre janë duke u trajtuar në Skenderaj.

“Në qendrën tonë kanë ardhur diku 11 nxënës me ekipet tona emergjente i kemi transferuar këtu në QKUK 5 nxënës, ndërsa 6 tjerë kanë mbetur për trajtim në qendrën tonë në Skenderaj. Ne si mjek dyshojmë që është hedhur ndonjë lëndë, apo edhe prej erës së dyshemesë”, ka thënë ai.

Sipas tij, gjendja e tyre e përgjithshme nuk është në rrezik, por ka rekomanduar një trajtim të kujdesshëm shëndetësor.

Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes, ka marrë deklaratat e disa nxënësve dhe të drejtuesve të shkollës, ndërkohë që janë duke i zhvilluar hetimet.

Sido që të jetë, ende nuk është vërtetuar zyrtarisht se çfarë me të vërtetë ka ndodhur në gjimnazin “Hamëz Jashari” në Skenderaj.

Janë helmuar nëntë nxënës të gjimnazit “Hamëz Jashari” në Skenderaj, të cilët fillimisht janë alivanosur.

Disa nga nxënësit e helmuar janë duke marrë trajtimin në spitalin e Skenderajt, kurse disa janë dërguar në Qendrën Klinike të Universitetit të Prishtinës.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, ka konfirmuar për Telegrafin se nëntë nxënës të gjimnazit “Hamëz Jashari” në Skenderaj kanë kërkuar ndihmën mjekësore si pasoje e alivanosjes.

“Nuk kemi informacion për shkakun e alivanosjes, kjo pritet të konfirmohet prej mjekësisë. Duhet t’i presim ekzaminimet e para, dhe pastaj të dalim në përfundim pse ka ndodhur alivanosja. Shkaktarin e vërtet duhet ta mësojmë në ndërkohë”, ka thënë ai.kohaislame

Artikulli paraprakOpozita kërkon edhe dorëheqjen e Beqajt
Artikulli vijuesHocevar: Papa nuk do ta njoh Kosovën!?