Ndërsa miliona njerëz në botë i gëzohen çmimeve të ulëta të naftës, shqiptarët ende vazhdojnë të jenë të zemëruar pasi kjo ulje nuk ndjehet shumë.
Deputeti i mazhorancës, Eduart Ndocaj, thotë se është një padrejtësi që shqiptarët e paguajnë naftën dy herë me shtrenjtë se Mali i Zi.
“Çmimi i naftës është një pengesë serioze për zhvillimin ekonomik të vendit, për zhvillimin urban”, shkruan ai.
Por ndërsa konsumatorët mund të gëzohen, ndoshta nuk është koha për të fërkuar duart.
Kryelajmi i ditës së djeshme tek BBC ishte tërmeti që ka shkaktuar në bursa rënia e ndjeshme e çmimit të naftës.
Bursat kryesore në botë e kanë reflektuar këtë dhe ekspertët thonë për Spiegel se kjo mund të provokojë një tjetër krizë financiare, njësoj si ajo e vitit 2008, plagët e së cilës po ndjehen akoma.
Jo vetëm kaq, por tërmeti mund të jetë gjeopolitik, pasi mund të provokojë kriza në disa vende të paqëndrueshme.
Shtete si Algjeria, Libia dhe Nigeria mund të përballen me trazira dhe protesta, pasi varen shumë nga të ardhurat që vijnë nga nëntoka.
Edhe Venezuela e Ekuadori rrezikojnë diçka të tillë.
Ata që janë akoma më largpamës, flasin për një burim të shterrueshëm, që po shfrytëzohet pa asnjë kriter mase në këtë kohë.
Ndërkohë, nafta në bursa ka rënë në nivelin e 28 dollarëve për fuçi.
Ulja pritet të vazhdojë, pasi në treg rikthehet Irani pas heqjes së sanksioneve.
Mirror thekson se është ironik fakti se tashmë nafta kushton vetëm 28 dollarë, ndërkohë që vetëm fuçia bosh, ku depozitohet nafta, kushton më shtrenjtë.
Pas gëzimit fillestar, njerëzit kanë nisur të komentojnë me shqetësim në Tëitter këtë fakt.