Nga Ursula von der Leyen
Berlin – Në prill të këtij viti, Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut, do të festojë ditëlindjen e saj të 70-të. E themeluar në vitet e hershme të Luftës së Ftohtë, ajo është po aq e rëndësishme edhe sot, kur shumë njerëz mendojnë se rendi ndërkombëtar është tronditur sërish.
Në fakt, nëse NATO nuk nuk do të ekzistonte, ata që janë në favor të një bote të lire, do të duhej ta shpiknin atë. Ndërsa qëllimi kryesor i aleancës mbetet garantimi i sigurisë së anëtarëve të saj, ajo nuk ka qenë kurrë një aleancë e pastër ushtarake.
Ajo është gjithashtu një aleancë politike, bazuar në aspiratat e përbashkëta të anëtarëve të saj, të cilët siç e thotë Traktati i NATO-s “janë të vendosur të mbrojnë lirinë, trashëgiminë e përbashkët dhe qytetërimin e popujve të saj, bazuar në parimet e demokracisë, lirisë individuale dhe sundimit të ligjit”.
Sot këto parime, ndodhen nën një sulm. Agresioni rus në Evropën Lindore, sjellja agresive e Kinës në Detin e Kinës Jugore, terrorizmi i Shtetit Islamik, që përhapet nga Lindja e Mesme në kryeqytetet e Evropës, regjimet autoritare që zhvillojnë armë bërthamore –sfida këto të ndryshme, por që kanë një gjë të përbashkët:Ato lindin nga aktorë, që kundërshtojnë rendin aktual ndërkombëtar.
Ata përpiqen të minojnë, ose madje edhe të ndryshojnë rregullat, që kanë qeverisur epokën e demokracisë dhe prosperitetit, që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore. Për t’i tejkaluar këto sfida, demokracitë e NATO-s, duhet të qëndrojnë të bashkuara. Kolektivisht, ne jemi më të fortë se sa do të ishte veçmas cilido prej nesh.
Prandaj, që nga viti 2014, kur Rusia pushtoi Ukrainën, NATO është përshtatur me situatën në fjalë – siç ka bërë shumë herë gjatë historisë së saj. Në mesin e 29 shteteve sovrane, me kultura dhe pikëpamje të ndryshme politike, një përshtatje e tillë do të jetë gjithmonë e ndërlikuar dhe ndonjëherë kaotike.
Por aftësia e NATO-s për të ndryshuar prioritetet dhe strategjitë e saj, siguron që aleanca t’i qëndrojë provave të kohës. Dhe rezultatet janë të dukshme. Së pari, të gjithë anëtarët evropianë të NATO-s, i kanë rritur shpenzimet e tyre ushtarake. Për shembull, buxheti gjerman i mbrojtjes, është rritur me 36 për qind, krahasuar me kohën kur unë kam marrë detyrën në fundin e vitit 2013.
Ne ende kemi më shumë për të bërë, për të ndarë barrën në aleancë, dhe jemi të përgatitur të bëjmë më shumë. Por gjithashtu duhet të mos harrojmë, se ndarja e barrës nuk është vetëm për para, por edhe për aftësitë dhe kontributet. Gjermania është në këtë plan, kontribuesja e dytë më e madhe në NATO, dhe krenare që do të udhëheqë Task Forcën e Përbashkët të NATO-s të Gatishmërisë së Lartë.
Ndërkohë, NATO ka rritur praninë e saj në Evropën Lindore, luan një rol aktiv në trajnimin e forcave irakiane të sigurisë, si dhe ndihmon në mbikëqyrjen e luftës kundër Shtetit Islamik, vazhdon të mbështesë qeverinë afgane, dhe zhvillon partneritetet e saj me vende që kanë një vizion të ngjashëm si Australia dhe Japonia, përveç shumë gjërave të tjera.
Në përmbushjen e 3 detyrave të saj kryesore – mbrojtjes kolektive, menaxhimit të krizave dhe partneriteteve – aleanca është një gur i pazëvendësueshëm për një rend ndërkombëtar që favorizon lirinë dhe paqen. Mbi të gjitha, NATO nuk është një organizatë trans-atlantike vetëm në emër.
Ajo përfaqëson një lidhje të veçantë, madje edhe emocionale midis kontinenteve amerikane dhe evropiane. Për një gjerman, imazhet e rënies së Murit të Berlinit, janë të lidhura ngushtë me aleancën, dhe vendi im është veçanërisht mirënjohës për sigurinë dhe mundësitë që NATO ka ofruar për dekada të tëra.
Pra, përveç përfitimeve praktike nga bazat, strukturave dhe trupat, NATO ka një vlerë në vetvete. Ndoshta përfitimi më themelor i NATO-s, është se ajo siguron besueshmëri në një botë të pasigurtë. Angazhimi ynë i patundur ndaj nenit 5, dispozita e mbrojtjes kolektive të traktatit të NATO-s, bën që siguria jonë e përbashkët të jetë vërtet e pandashme.
Ne do të ndihmojmë aleatin tonë më të dobët, ashtu siç e kemi ndihmuar më të fuqishmit duke iu referuar nenit 5 – për herë të parë dhe të vetme në historinë e NATO-s – pas 11 shtatorit 2001. Pra, është mirë diçka e mirë që Bashkimi Evropian, po ndërmerr hapa të rëndësishëm për të rritur aftësitë e tij ushtarake.
Nëse anëtarët e unionit, arrijnë të harmonizojnë strategjitë e tyre të mbrojtjes dhe përgatitjes ushtarake, dhe duke i ndërthurur forcat e tyre të armatosura, atëherë e gjitha kjo do të shtojë forcën e NATO-s. Dhe një NATO më e fortë, do t’i shërbejë interesave të sigurisë të të gjithë anëtarëve.
Mbi të gjitha, ajo do të dërgonte një sinjal të qartë tek ata që e kundërshtojnë rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla:Ne aleatët transatlantikë, jemi të gatshëm të mbrojmë tokën, njerëzit dhe lirinë tonë.
Shënim: Ursula von der Leyen, është ministre e Mbrojtjes e Gjermanisë.