Qeveria e shtetit Espirito Santo dhe policia ushtarake kanë arritur një marrëveshje për ndërprerjen e grevës
Qeveria e shtetit jugor brazilian, Espirito Santo dhe policia ushtarake kanë arritur një marrëveshje për ndërprerjen e grevës, e cila në ditët e kaluara paralizoi disa qytete të Brazilit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Marrëveshjes i parapriu greva një javore e familjeve të policëve, meqë atje me ligj është e ndaluar ndërprerja e punës së policisë.
Gratë dhe familjarët kanë mbajtur policët të bllokuar në objektet e tyre, duke kërkuar rritjen e pagave. Si rrjedhojë, qeveria ka paditur 700 policë me pretendimin për refuzimin e punës.
Me marrëveshjen e arritur është saktësuar se qeveria lokale nuk do të ngrejë kallzime kundër policëve të cilët sot do të kthehen në vendet e punës. Pagat nuk janë rritur, mirëpo qeveria është zotuar se do të analizojë sistemin e avancimit në shtet.
Disa nga familjarët e policëve kanë deklaruar për mediat lokale se nuk janë konsultuar fare për ndërprerjen e grevës, për çka ekziston rreziku që greva të vazhdojë në disa stacione policore.
Nga shkaku i grevës policore, ditëve të kaluara nuk kanë punuar shkollat, entet mjekësore, transporti publik dhe disa supermarkete.
Sindikata e cili përfaqëson policinë në Espirito Santo, tha se që nga fillimi i grevës janë vrarë 121 persona. Ky informacion është konfirmuar nga institucionet qeveritare.