Britania aprovon martesat e homoseksualëve

Ligjvënësit britanikë aprovuan martesën e të njëjtës gjini në Angli dhe Uells, pavarësisht kundërshtisë së disa dhjetëra deputetëve konservatorë.
Dhoma e Përfaqësuesve kaloi me 225 vota pro (nga 400 deputetë në total) këtë projektligj, duke i dhënë fund një debati që mbante të mbërthyer vendin prej disa javësh.

Kryeministri britanik, David Cameron e komentoi këtë ngjarje si “një hap të rëndësishëm përpara, që do të forcojë shoqërinë”, transmeton TCH.

Megjithatë, kjo votë pro nuk do të përkthehej automatikisht me hyrjen në fuqi të së drejtës së martesës së të njëjtës gjini, pasi më parë, projektligji duhet të kalojë edhe në disa hallka të tjera, si Shtëpia e Lordëve, përpara se të shndërrohet në ligj.

Në këtë seancë, ligjvënësit kishin të drejtë të votonin sipas bindjeve të tyre dhe jo në vija partiake.

Javën e shkuar, Parlamenti Francez miratoi një ligj të njëjtë, pavarësisht presionit të madh publik.

Martesa e personave të së njëjtës gjini lejohet aktualisht në Argjentinë, Belgjikë, Kanada, Danimarkë, Islandë, Holandë, Norvegji, Portugali, Afrikë e Jugut, Spanjë, Suedi dhe në disa shtete të SHBA-së, por janë disa dhjetëra vende të tjera që po debatojnë apo ndodhen në fazë aprovimi të kësaj të drejtë për komunitetin LBGT.

Artikulli paraprakLëvizja Bashkohu bëhet parti politike
Artikulli vijuesBëj mirë për nota të mira