Meksikë, mbi 26 mijë të zhdukur

Qeveria e Meksikës vlerësoi se 26 122 persona janë zhdukur që prej dhjetorit 2006, muaj në të cilin nisi lufta ndaj karteleve të fuqishme të drogës në vend.

Këto të dhëna janë shumë më të larta se sa shifra e mëparshme zyrtare, e vlerësuar në vetëm disa mijëra.

Më shumë se 70 mijë persona kanë vdekur në Meksikë në gjashtë vitet e fundit, në ngjarje të lidhura me luftën në vazhdim ndaj narkotikëve, transmeton TCH.

Sipas grupeve të të drejtave të njeriut, vetëm shumë pak prej të zhdukurve mund të jenë ende në jetë. Midis tyre figurojnë edhe disa qindra oficerë e funksionarë të policisë meksikane.

Me mijëra trupa të ushtrisë së rregullt meksikane patrullojnë në mënyrë të përditshme zonat më problematike të vendit, por kjo nuk ka penguar numrin e viktimave që të vazhdojë të rritet në mënyrë të vazhdueshme në Meksikë, një vend me 112 milionë banorë. /kohaislame

Artikulli paraprakNga Iraku në Mali: ndryshimi i llogaritjes së luftës
Artikulli vijuesDemba Ba: Jam musliman, se ndërroj me asgjë, këtu hyn edhe futbolli