Bëj mirë për nota të mira

Ata u japin mësim refugjatëve, ndërtojnë faqe interneti për të moshuar dhe plotësojnë formularë për handikapatë: me Service Learning studentët përdorin dijet për projekte sociale.
Anne ndodhet me rreth 20 studentë të Punës Sociale në një dhomë seminari pa dritare në Universitetin Duisburg-Essen dhe pret që të fillojë mësimi. “Menaxhimi i cilësisë në Fushën Sociale”, është titulli i seminarit të saj. Vërtet që kjo tingëllon si teori e thatë – por në këtë rast nuk është fare e tillë. Anne dhe shokët e saj kanë bashkëpunuar përtej universiteteve me të ashtuquajturat organizata jofitimprurëse, si për shembull me Caritas-in, Ndihmën për Sëmundjet Adiktive ose Ligën e Reumatizmës.

Docentja Daniela Filetti nuk ka hyrë ende mirë në dhomë, kur Anne ngre dorën. Ajo kërkon të dijë se si ka vajtur puna me pyetësorin, të cilin e hartoi grupi i saj gjatë semestrit të punës me handikapatët në një fondacion evangjelik. Në semestrin e ardhshëm, studentë të tjerë duhet të gjejnë me ndihmën e pyetësorit se cilat oferta të reja arsimore preferojnë njerëzit handikapatë. Daniela Filetti i jep studentes një përgjigje pozitive. Pyetësori kishte qenë “më shumë se në rregull”, thotë ajo. “Tani duhet të jetë institucioni që duhet të njoftojë, nëse është i përshtatshëm ky pyetësor për të.”
Docentja dhe bashkëpunëtorja e projektit Uniaktiv, Daniela Filetti

Synohet afrimi i universitetit dhe shoqërisë
Seminari i Daniela Filettit për menaxhimin e kualitetit është një nga 10 deri 14 të ashtuquajturat kurse “service-learning”, të cilat ofrohen në çdo semestër në projektin “Universiteti aktiv”, të universitetit Duisburg-Essen. “Ideja bazë e Service Learning është që ta afrojë me njëra-tjetrën shkollën e lartë dhe shoqërinë civile”, deklaron drejtuesi i projektit, Jörg Miller. Dhe me hak, mendon Milleri. Sepse shkolla e lartë ka për mendimin e tij një përgjegjësi të veçantë përballë shoqërisë – aq më tepër kur ajo financohet në pjesën më të madhe nga taksat.
Organizatat jofitimprurëse mund t’i drejtohen universitetit, kur kanë nevojë për ndihmë. Në këtë rast, studentët për shembull hartojnë koncepte marketingu për projekte sociale, vrasin mendjen për të gjetur rrugë, se si mund të studiojnë fëmijët nga familje me gjendje sociale të dobët, ose takohen me njerëz, për të filozofuar me ta.

Orientuar tek modeli amerikan
Service Learning e ka origjinën në SHBA dhe po gjen ndërkohë zbatim edhe në shkollat gjermane. Universiteti Duisburg-Essen ka këtu një rol pararojë, sepse projekti këtu u themelua që në vitin 2005 dhe u orientua fort tek modeli amerikan. Që prej atëherë janë zbatuar 75 seminare Service Learning; rreth 200 organizata jofitimprurëse kanë përfituar prej tyre.
Puna praktike sociale ka ndihmuar edhe studentët, thotë Jörg Miller. “Dijet e specialitetit të mbeten më mirë në mendje, kur lidhen me përvoja praktike”, për këtë drejtuesi i projektit është i bindur. Për të, kjo mënyrë të mësuari është një përgjigje me vend ndaj futjes së dijeve në kokat e studentëve, e cila kritikohet, dije të cilat nuk mbeten aty për një kohë të gjatë.

Veç kësaj, studentët, sipas mendimit të Millerit mund të përgatisin në bashkëpunim me organizatat e ndihmës aftësi, për të cilat ata kanë nevojë më vonë, kur të dalin në punë. Për shembull frymën e ekipit dhe talentin organizativ. Bashkëpunimi me njerëz shumë të ndryshëm u mëson atyre si të veprojnë me konfliktet, thekson drejtuesi i projektit. Dhe menaxhimi i pavarur i projekteve i stërvit ata për ta bërë si duhet menaxhimin e kohës.
Për të gjitha këto studentët nuk janë shumë të ndërgjegjshëm, kur regjistrohen për Service Learning, ka vëzhguar Miller. “Në fillim ata thjesht shohin një seminar, për të cilin mund të mbledhin pikë krediti.” Vetëm në fund të seminarit për ata bëhet e qartë se çfarë do të thotë puna e tyre për organizatat jofitimprurëse për të gjithë shoqërinë dhe për atë që ata kanë përfituar vetë./dw

Artikulli paraprakBritania aprovon martesat e homoseksualëve
Artikulli vijuesLuftime të ashpra në Aleppo, 123 të vrarë