Buhariu fiton zgjedhjet presidenciale në Nigeri

Për të parën herë në të gjithë historinë e Nigerisë, zgjedhjet presidenciale i fitoi kandidati i opozitës.
 
Rezultatet përfundimtare të votimeve tregojnë se gjenerali Muhammadu Buhari ka siguruar 2,5 milionë vota më shumë se rivali i tij, presidenti në largim Goodluck Jonathan.
 
Jonathan i telefonoi kundërshtarit duke pranuar humbjen, transmeton TCh njoftimet. Menjëherë pas shpalljes së rezultatit, mbështetësit e Buharit dolën nëpër rrugë për të festuar.
 
Vëzhguesit e kanë përshëndetur në përgjithësi procesin edhe pse akuzat për manipulime nuk munguan.
 
“I premtova vendit zgjedhje të lira e të ndershme dhe e mbajta fjalën”, deklaroi Jonathan, duke shtuar se i uron gjeneralit qeverisje të mbarë. Në kampin tjetër, zëdhënësi i partisë së Buharit, APC, lavdëroi presidentin duke thënë se për lëvizjen që bëri, Jonathan do të mbetet një hero.
 
Tensionet, sipas tij, do të bien në mënyrë dramatike. Fitorja e gjeneral Buharit përbën një moment të një rëndësie të jashtëzakonshme në historinë e trazuar të Nigerisë. Kurrë më parë një president në detyrë nuk ishte mposhtur në zgjedhje.
 
Që prej pavarësisë së vendit nga Britania në vitin 1960, ka pasur një sërë grushtesh shteti dhe shumica e zgjedhjeve kanë qenë krejtësisht të manipuluara. Sigurisht, në një garë tepër të fortë do të ketë dhe shumë votues të pakënaqur me rezultatin, por i gjithë procesi në vetvete po perceptohet si shenjë se demokracia në Nigeri është duke u thelluar.
 
Votimet nxorën sërish në sipërfaqe dallime të rrezikshme fetare e rajonale dhe kërcënimi i dhunës vazhdon të mbetet i pranishëm. Njeriu që nuk u votua më në krye të shtetit, Goodluck Jonathan, luajti një rol të jashtëzakonshëm në parandalimin e një shpërthimi të saj.
 
Edhe APC-ja lëshoi një deklaratë pas fitores ku apelohej për festime të qeta e paralajmëroheshin simpatizantët të mos sulmonin kundërshtarët.
 
“Ai ose ajo që bën një gjest të tillë, nuk është në krahun tim”, u shpreh presidenti i zgjedhur.
 
Artikulli paraprakAmbasadori i Izraelit, Levy: Ne jemi miq
Artikulli vijuesVdiq personi më i vjetër në botë