Bukuria dhe dashuria në jetën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.

Autor: Zeinul Abdin er-Rikabi

E para: Bukuria

Krahas shumë detyrave për të cilën u Dërgua Muhammedi [alejhis-selam], detyrë e tij gjithashtu ishte t’i mësojë njerëzit rreth bukurisë dhe ta ringjallë vetëdijen e tyre rreth saj. Në të vërtetë Allahu është i bukur, Kur’ani është i bukur dhe i gjithë universi është i bukur. Duke pas parasysh se u dërgua që njerëzit t’i mësoj rreth kësaj bukurie universale, edhe vetë i Dërguari kishte ndikimin më të bukur në zbatimin e saj. Atë e karakterizojnë cilësitë vijuese:

1. Bukuria e buzëqeshjes

Po, buzëqeshja është një lloj bukurie e jashtëzakonshme. Ajo gjithashtu paraqet gjuhën universale njerëzore, meqë nëse në TV shohim një korean, gjerman, senegalez, amerikan apo dikë tjetër duke buzëqeshur, ne mësojmë se ai (ajo) qeshet dhe ndjejmë ngazëllim, kënaqësi dhe afërsinë e njerëzve që e paraqet ajo buzëqeshje. Ajo pamje është e bukur, për dallim nga pamja e depresionit dhe trishtimit.

Për këtë shkak shprehja e buzëqeshjes është një ndër gjërat më të rëndësishme të cilat duhet t’i përvetësojnë mësojnë PR menaxherët. I mësojnë si të buzëqeshin. Linguistët thonë që buzëqeshja është shprehje e kënaqësisë.

Ndaj buzëqeshja është një formë bukurie. Dihet që i Dërguari alejhis-selam, kohën më të madhe kishte buzën në gaz. Transmetohet se Xheriri radijAllahu anhu ka thënë: I Dërguari kurrë nuk refuzoi të më shikon pasi që pranova Islamin. Sa herë që më takonte, më priste me buzëqeshje. (Buhariu)

Buzëqeshja jo vetëm që ishte vijë karakteristike e të Dërguarit alejhis-selam, por ai e promovonte buzëqeshjen dhe i inkurajonte të tjerët të qeshen. Transmetohet se ka thënë: Buzëqeshja jote në fytyrën e vëllait tënd është mirësi (sadaka). (Tirmidhi)
Gjithashtu transmetohet se ka thënë: Mos e nënçmoni asnjë vepër të mirë, madje sikur ta takoni vëllain tuaj me fytyrë të gëzuar dhe qeshur. (Muslim)

2. Bukuria e shfaqjes së këndshme

I Dërguari alejhis-selam veshte rrobat më të bukura që kishte në dispozicion. Para se të pranonte ndonjë delegacion, rregullonte pamjen e jashtme ashtu siç i ka hije atij dhe atyre; d.m.th. vishej në përputhje me pozitën dhe traditën e çdo delegacioni. Ai gjithashtu i kishte qejf parfumet. Transmetohet nga Aishja radiAllahu anha të ketë thënë: E parfumoja me erën më të bukur që kishim. (Muslim)

I Dërguari alejhis-selam ndalonte konsumimin e qepës dhe hudhrës para se të shkohet në xhami. Ai e pranoi bukurinë si një gjë që e do Allahu. Në një hadith ka thënë: Allahu është i bukur dhe e do
bukurinë.

3. Bukuria e sjelljes së butë

Transmetohet se i Dërguari alejhis-selam ka thënë: Kur tek një njeri gjendet butësia në një gjë, e zbukuron. Ndërsa nëse nuk ka butësi, e shëmton. (Muslim) Domethënë, butësia është dekorim dhe bukuri, ndërsa dhuna është një gjë e shëmtuar. I Dërguari fisnik alejhis-selam, të gjitha veprimet i bënte me butësi, qofshin ato private apo publike.

Të gjithë njerëzit do të duhej ta ripërtërijnë ndjenjën dhe vetëdijen e bukurisë e cila gjendet në fe dhe gjithë universin.

4. Bukuria e ndjeshmërisë

Shembujt e ardhshëm do të na tregojnë disa aspekte të ndjeshmërisë së skajshme të të Dërguarit alejhis-selam.

a) Sikur ta dëgjonte ndonjë fëmijë duke qarë, ai e shpejtonte kryerjen e namazit (në xhamat) duke pasur parasysh kujdesin e nënës për fëmijën e saj;

b) Një herë e ndaloi lëvizjen e ushtrisë për shkak të shpendit dhe zogjve të saj të cilat i kishin zënë ushtarët. Ushtria vazhdoi lëvizjen pasi që zogjtë iu kthyen nënës.

c) Evitonte qortimin e drejtpërdrejt. Më tepër preferonte të thoshte kështu: E ç’është me ata njerëz të cilët ndjejnë tepër krenari të bëjnë atë që veproj edhe unë?

d) Gjithmonë ua plotësonte dëshirën fëmijëve dhe bënte shaka me ta. Transmetohet se Enesi radiAllahu anhu ka thënë: I Dërguari alejhis-selam shoqërohej me ne (fëmijët) ndërsa vëllait tim të vogël duke bërë shaka i thonte: ‘Ebu Umejre! Dhe ç’bëni zogu?’ (Buhari)

e) Ai lejoi në shtëpinë e tij gëzimin. Transmetohet se Aisheja radiAllahu anha të ketë thënë: Luaja me kukullat e mia në shtëpinë e Pejgamberit, ndërsa edhe shoqet e mia luanin me mua. Kur hynte i Dërguari në dhomat e mia, shoqet fshiheshin ndërsa i Dërguari i thirrje që të më bashkohen dhe luajnë me mua. (Buhari)

f) Transmetohet se ka thënë: Asnjëherë mos thoni: ‘Shpirti im është bërë i lig!’, por le të thotë: ‘Shpirti im është ashpërsuar.’ (Buhari i Muslim)

Ibën Haxheri në veprën e tij Fethu-l Bari citon se El-Hattabi ka thënë: “I lig” dhe “i ashpër” kanë kuptim të ngjashëm, por Pejgamberi alejhis-selam e preferonte mbiemrin “ashpër” para “ligësisë”. Gjithmonë e kishte shprehi që emërtimet e pakëndshme ti zëvendëson me më të rafinuar. Nga ky hadith nënkuptohet se vokabularin e papëlqyeshëm duhet shmangur. Qëllimi është që me evitimin e shprehjes “Shpirti im është i lig”, tregohet butësi ndaj vetvetes.

g) Ndaj grave të tij tregonte respekt dhe sillej me butësi. Për shembull, gruas së tij Safijes gjithmonë i ofronte gjurin e tij kur duhej të shalonte devenë.

h) Predikonte “butësinë” Hyjnore ndaj njerëzve. Transmetohet se në një hadith ka thënë: Pasi që Allahu mbaroi krijimin, mbi Arsh shkroi: “Mëshira ime tejkalon zemërimin Tim.” (Buhari i Muslim)

E dyta: DASHURIA

Shumë fjalë të vërteta dhe të ndershme përdoren në mënyrë të papërshtatshme dhe aq shumë saqë gati janë degraduar dhe shmangen. Një nga ato fjalë të cilën njeriu e ka keqpërdorur është dashuria.

Dashuria në realitet është parim fetar.

Dashuria është origjina e lidhshmërisë njerëzore me Krijuesin e tyre. Në Kur’an përmendet: …Pa dyshim, Allahu i do ata që pendohen fort (për gjynahet) dhe ata që pastrohen. (El-Bekare, 222)
Krijuesi i Gjithëmëshirshëm i do ata që janë të durueshëm, mëshirshëm dhe të drejtë. Ai i do ata që kanë besim tek Ai dhe i drejtohen Atij.

Feja është bima e dekoruar me dashuri të cilën Allahu i Madhëruar e mbolli në zemrën e çdo besimtari. Në një ajet kur’anor qëndron: …Por Allahu jua ka bërë të dashur besimin dhe jua ka zbukuruar atë në zemrat tuaja… (El-Huxhurat, 7)

Prandaj, Pejgamberi alejhis-selam është përfaqësues i dashurisë në fjalë dhe vepra. Hadithet në vijim e vërtetojnë këtë: Cili posedon tre cilësi, do ta shijojë ëmbëlsinë e imanit: që Allahu dhe i Dërguari i Tij ti jenë më të dashura se gjithçka, që të tjerët ti do vetëm në emër të Allahut dhe ta urrej kthimin në mosbesim, ashtu siç urren hedhjen në zjarr.” (Buhari i Muslim)

Nuk do të hyni në Xhennet deri sa të besoni, e nuk do të besoni deri sa ta doni njëri-tjetrin. (Muslim)

O Zot! Më dhuro dashuri ndaj Teje, ndaj atyre të cilët të duan dhe veprave të cilat më afrojnë afër dashurisë Tënde. (Buhari)
Uhudi është mali të cilin e duam dhe na do. (Buhari)

Dëshirojmë që të gjithë ithtarët e të Dërguarit Muhammed alejhis-selam, sërish ta ringjallin ndjenjën e vete dhe vetëdijen e fortë rreth bukurisë në fe dhe gjithë universin; të kenë ndjenjë të madhe dashurie, e cila është parim në të gjitha lidhjet e hapura dhe arsyeshme. Në fund të fundit, pa bukuri dhe dashuri nuk ka përkushtim të vërtetë fetar dhe jetë të drejtë në Tokë. A thua mund të përmbushet ndonjëra përmes shëmtisë dhe urrejtjes? Përgjigja thjesht është: Jo.

Burimi: Rasoulallah.net

Përshtati: Lutfi Muaremi

(Islampress)

Artikulli paraprakSi mund që Muhammedi (a.s.) i vogël t’ju ndihmojë në edukimin e fëmijëve
Artikulli vijuesPërse hynë myslimanët në Andaluzi?