Bulliqi: Komisioni i kaluar ka qenë i themeluar për demarkim, e jo për vijë të re kufitare

Kryesuesi i Komisionit Shtetëror për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, Shpejtim Bulliqi, ka raportuar sot para Komisionit për Integrime Evropiane, për gjetjet e këtij komisioni në lidhje me demarkacionit e kufirit të Kosovës me Malin e Zi.

Ai para të pranishmëve ka thënë se ish-Komisioni kaluar ka qenë i themeluar për demarkim, e jo për vijë të re kufitare.

“Gjatë punës së tyre, ata janë thirr në Kushtetutën e vitit 1974, në Planin e Ahtisarit, janë thirr në kadastra të Kosovës, e të cilat kanë diskrepancë me ato të Malit të Zi. Nëse është dashur veç ta definojë kufirin, është dashur t’i përmbahen standardeve të së drejtës ndërkombëtare”, ka shtuar Bulliqi.

Ai ka thënë se për fat të keq, nga ajo që kanë gjetur deri më sot, ish- Komisioni ka përdorur një bazë tjetër juridike dhe nga ajo që duhet të ketë një Komision për përcaktimin e kufirit.

“Është përdorur një ligj i brendshëm si bazë juridike dhe jo një ndërkombëtare. Në realitet ish- Komisioni i ka tejkaluar kompetencat e veta, sepse ka qenë i themeluar vetëm me një detyrë – demarkimin, shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit, dhe në asnjë formë vënien e një vije të re kufitare në praktikë, ku rezultati final na ka rezultuar vija e re kufitare në mes Kosovës dhe Malit të Zi”, ka shtuar Bulliqi.

Ai më tutje ka thënë se e di që opinioni publik e ka pritur gjatë këtë takim, duke shtuar se një çështje që mund ta thotë, është se komisioni po e bën punën me përpikëri, ndonëse kanë përballë tyre presionin e kohës, presionin mediatik dhe të opinionit publik.

“Nuk guxojmë të ngutemi në dëm të raportit, sepse çështja është shumë serioze. Nuk jemi larg, jemi afër. Keni durimin dhe shumë shpejt raportin do ta keni në dorë. Me të gjitha të gjeturat dhe faktet, besoj që do ta vlerësoni punën tonë”, ka theksuar Bulliqi.

Sipas tij, ky komision ka pasur për detyrë, dhe ajo është gjetja e fakteve të reja me analiza efektive ose kontroll efektiv.

“Për një muaj e gjysmë ka qenë edhe punë në terren për hulumtimin e materialeve brenda dhe jashtë vendit. Edhe ne jemi të brengosur për këtë proces, mirëpo po punohet në mënyrë efikase në mënyrë që të dalim me rezultate finale”, tha ai.

Artikulli paraprakSekretet e “Jakuzas”, mafia më e rrezikshme japoneze
Artikulli vijuesBorut Pahor rizgjidhet president i Sllovenisë