Bumerangu i shifrave epike

Doan Dani

Teza e varfërimit demografik të Arbërisë në momentin e pushtimit osman, si njësi e katastrofizmit historik dhe specifik shqiptar, ka qenë rregullisht e pranishme në botimet dhe ribotimet zyrtare nga të cilat janë sintetizuar librat shkollor ose, e thënë ndryshe, mjetet e masivizimit dhe standardizimit të memories kolektive. Ajo përmbledh eliminimin fizik dhe skllavërimin, nga njëra anë, si dhe braktisjen e trojeve, kryesisht në drejtim të shteteve italiane, nga ana tjetër, pra domosdoshmërisht shprehet nëpërmjet shifrash të efekteve të qëndresës, e për rrjedhojë ndjek ose përforcon shifra të tjera të lidhura direkt, për shembull, me pjesëmarrësit në këto dekada luftimesh. Siç kam pohuar, sa më e lartë të prezantohet shifra e ushtarëve armiq – sa më i madh të jetë Golia – aq më epike do të ngjasojë rezistenca, ndërsa, përsa i përket varfërimit demografik, sa më i bymyer të jetë ai, aq më lehtësisht lulëzojnë idetë e “barbarizmit aziatik”, e “dorës së hekurt” dhe stigma të tjera, pa anashkaluar paradigmën e luftës për liri të shek. XIX-XX si vazhdimësi e epopesë së shek. XV. “Loja” me shifrat është një metodë sa antike aq edhe bashkëkohore, sa shqiptare aq edhe universale: serbët kanë shumëfishuar të shpërngulurit në “eksodet” e tyre legjendare në funksion të urrejtjes patologjike ndaj osmanëve dhe kulturës së tyre në përgjithësi, si dhe për shpjegimin e pranisë masive shqiptare në Kosovë, pasi në të kundërt nuk do të mund të propagandonin mitin e “djepit”; sot jemi të gjithë dëshmitarë si shifrat e pjesëmarrësve në një protestë, kundër politikave qeveritare, rriten nga organizatorët dhe tkurren nga ato ndaj të cilëve adresohet pakënaqësia kolektive. Mirëpo kjo është çështje interesash të ndryshme nacionaliste, partiake, gjeopolitike, në përgjithësi ideologjike ose thjesht materiale, ndërsa etika historiografike rrugëton parimisht në një plan tjetër, ndonëse ngelet thuajse vazhdimisht si monumenti të cilit të gjithë i kalojnë pranë, por asnjëri s’e vë re.
Prekshmëria e katastrofizmit

Nga fjalët e hartuesve të vëllimit I të Historia e Shqipërisë lexohet qartazi vullneti dhe projektishqiptarozhdukës i Mehmetit të II, i përforcuar nga shifra kronikash dhe përshkrime përgjithësuese: «brenda 15 ditëve që qëndroi Mehmeti i II, ushtritë e shumta turke u përpoqën të çfarosnin pa mëshirë të gjithë popullsinë e vendit»; «në këto vite u shpërngulën në masë me dhjetëra mijë familje»; «numri i të mërguarve llogaritet të ketë arritur në dyqindmijë veta», etj. Mungesa e dokumenteve justifikon enigmën e numrit të viktimave dhe skllavërimit, prandaj hartuesit kanë preferuar elasticitetin shumëpërfshirës, që përçon mjaft mirë shijen e katastrofizmit demografik, ndërsa shuma përmbledhëse lidhet me emigracionin (ASHSH 1967).

Në botimin e vitit 2002 kjo shifër mungon dhe vëmendja është zhvendosur plotësisht drejt hiperbolave biblike me «valë të papara mërgimesh». Si numër i përgjithshëm jepet popullsia e sotme (!) arbëreshe në Itali (ASHSH 2002). Përsa i përket paraleles tjetër të varfërimit demografik, edhe në këtë botim, nuk tejkalohet patosi i kronikave, çka pamundëson një kornizë numërike të lëvizjeve, megjithëse është e ndjeshme nga artificializmi letrar i rrëfimeve, sikur këto mjaftojnë dhe janë përherë objektive. Mund të na ndihmojë në këtë aspekt studimi i vëllimshëm i Aurel Plasarit, në të cilin gjejmë rreth 300 mijë viktima dhe skllevër – vetëm në territoret nga Shkodra në Berat – të shpërndarë përgjatë librit, sipas shijeve të kronistëve të ndryshëm, si të atyre që kërkojnë të nxisin opionin e aristokracisë italiane ose thjesht të ndërtojnë “barbarin aziatik” – këtu, përveç përshkrimeve italike, renditen edhe disa kronika greke – ashtu edhe të atyre që në të kundërt tentojnë madhërimin e veprimtarisë sulltanore nëpërmjet inflacionit të viktimave, në shenjë nënshtrimi, siç bëjnë kronistët osman dhe ndonjë panegjerist grek (Plasari 2010).
Arrihet kështu në një rezultat konkret dhe të prekshëm prej një gjysëm milioni individësh të zhdukur nga territori kryesisht malor i Shqipërisë së sotme – në këto konstatime vazhdon të jetë e mjegullt numërikisht përmasa e përfshirjes së arbërve të Moresë.

Enigma, paradokse dhe mospërputhje
Përse Perandoria Osmane – konkretisht Mehmeti II – projektoi dhe ngulmoi në zhdukjen e shqiptaro-arbërve? Si shpjegohen: (ri)popullimi i territorit shqiptar në fillimet e sundimit osman; etnia dominuese shqiptare e banorëve; rritja demografike në ecuri të ngjashme me Evropën Perëndimore? Përse shifrat e mësipërme zyrtare – kryesisht derivate kronikash – nuk përputhen aspak me shifrat e regjistrimeve të ndryshme?

Përgjigja më komode e pyetjes së parë ka qënë, vijueshëm, rezistenca e pashembullt e arbërve nën udhëheqjen e Skënderbeut, e cila shkaktoi shpagimin ndaj popullsisë e për rrjedhojë edhe largimin masiv. Mirëpo kjo nuk ështe bindëse për disa arsye dhe realitete të menjëhershme të nënshtrimit të Arbërisë. Vetë Akademia ka pranuar se «mërgimet shqiptare në krahun […] jugor qenë më intensive se ato veriore» dhe «vatra e nisjes së tyre qenë territoret në jug të lumit Shkumbin», duke nënkuptuar se u “boshatisën” territoret e përjashtuara nga angazhimi konstant dhe direkt në epopenë skënderbejane, territore për të cilat sulltani, sipas teorisë akademike, nuk kishte më arsyen parësore – rezistencën – të “hakmarrjes” (ASHSH 2002). Defterët e ndryshëm kanë regjistruar rritje të popullsisë së qyteteve të nënshtruara, ndërsa kronikat rrëfejnë për popullsi, të tërhequr përkohësisht nëpër male, që rikthehet drejt fshatrave dhe qyteteve, siç është rasti i Elbasanit të përshkruar nga Tursun Beu – kjo pikë do të jetë më qartë në vazhdim.

Fataliteti i këtyre interpretimeve vjen nga mospërputhja e shifrave, megjithëse eksplorimi i tyre është një terren i minosur. Përsa i takon emigracionit, botimet dhe ribotimet zyrtare, përcaktojnë dy rajone kryesore për Italinë, me disa vatra dhe vite specifike. Territoret venedikase në veri dhe ato aragoneze në jug, në vitet 1468, 1479, 1481, 1492 dhe 1506, përbënin destinacionin e lëvizjeve: «veçanërisht në krahinat e Kalabrisë dhe Siqelisë u strehuan më tepër se njëqindmijë shqiptar […], në vitet 1530-1535 në Siqeli u vendosën edhe disa dhjetëra mijë shqiptarë të tjerë» dhe «vala më e madhe migruese i përket vitit 1479, kur pas rënies së Shkodrës […] shumë luftëtar shqiptar […] u detyruan të largohen për t’i shpëtuar hakmarrjes osmane», kurse gjysma tjetër (100.000) u shpërnda nëpër krahinat e tjera italiane (ASHSH 1967, 2002).

Tek Lucia Nadin, edhe pse flitet ‹‹për disa mijëra vetë›› në 1479 – i konsideruar si vit i shpërnguljeve më të mëdha (!) –, nuk është e qartë sasia e saktë: ajo numëron 70 familje në fillim të vitit, më pas, në muajin maj, shton edhe 200 familje të tjera, duke vijuar në disa shembuj individual deri në shifrën e 1440 personave të cituar nga Marin Beçikemi. Nga e njëjta periudhë dhe në vijim Brunilde Imhaus saktëson praninë e rreth 2.938 emigrantëve, nga të cilët 637 shqiptar, 1210 dalmat dhe 932 grekë – në mesin e tyre mund të supozojmë praninë e shqiptarëve ortodoks të konsideruar si grek, megjithëse ngelet vetëm hipotezë – (Zamputi 1979; Imhaus 1997; Nadin 2002). Sidoqoftë, shifra përfundimtare e propozuar nga Imhaus luhatet rreth 5-6.000 individë, nga të cilët gjysma ishin me origjinë greke.
Komuniteti arbëresh i regjistruar në capitulat siçiliane – mjaft domethënës në aspektin sasior sipas ASHSH – numëronte në shek. XV rreth 7.500 individë dhe 8.958 në vitin 1589, pra asgjë e përbashkët me «disa dhjetëra mijë shqiptarë» të hedhur në treg: popullsia arbëreshe e regjistruar në Italinë e vitit 1861 arrinte shifrën 55.453, diçka më shumë se numri i përgjithshëm i arbëreshëve – maksimumi 45 mijë – që George Nasse ka përllogaritur, duke u bazuar mbi mesataren e popullsisë së fshatrave arbëreshe, në Italinë e fundshekullit të XV dhe fillimshekullit të XVI (Garufi 1948; Nasse 1964; Resta 1996).

Përplasja me statistikat e defterëve
Që të kemi një gjysëm milioni të vrarë dhe të mërguar natyrisht nevojitet një popullsi më e madhe, ndryshe nuk do shpjegohej prania e vazhdueshme e shqiptarëve në trojet e tyre, ose të paktën matematikisht duhet të kemi një popullsi të barabartë me shifrën e zhdukur. Defteri osman i 1431 ka regjistruar rreth 33.547 familje, që, duke i shtuar edhe 1301 shtëpi të zotërimeve venedikase në zonën e Shkodrës (1416-17), me numrin mesatar të 4,5-5,5 anëtarëve për familje, të pranuar nga medievistika perëndimore dhe disa ballkanologë, na jep një popullsi me rreth 170 mijë banorë. Edhe duke aplikuar shifrën e sforcuar prej 7,5-9 antarëve, të preferuar nga Oliver Schmitt dhe Kasem Biçoku – ky i fundit nënkupton mesataren e përgjithshme të familjeve arbërore të shek. XV duke u bazuar në dy relacione të shek. XVII mbi zonën e Pukës, Këlmendit, Pultit dhe Dukagjinit –, përsëri numri i popullatës së zhdukur është më i lartë se ekzistuesja. Eshtë gjithashtu domethënes fakti se mesatarja e popullsisë në territoret venedikase paraqitet afërsisht dy herë më e ulët se ajo e territoreve arbërore nën sundimin osman (1431), sipas regjistrave në fjalë, dhe vetëm 33% më e lartë (1467) se popullsia e zonës së Krujës, në gjendje konstante luftërash dhe gjeomorfologjikisht malore (Pulaha 1968; Zamputi 1977; Schmitt 2001, Biçoku 2005; Duka 2009). Pra, shifrat e propozuara nga vitet ’50 deri në dekadën e dytë të shekullit aktual vazhdojnë të tejkalojnë popullsinë ekzistuese. Por nuk mbaron me kaq, pasi çështja komplikohet nga defterët e mëvonshëm.

Kështu, regjistrimi i sanxhakut të Shkodrës (1485) pasqyron një numër më të lartë familjesh se Arbëria Venedike (1416-17) dhe Mali i Zi (pa pjesën bregdetare), të cilët ishin inkuadruar në këtë sanxhak – sepse, ndër të tjera, ishte shtuar edhe rajoni i Pejës – e gjthashtu numri i familjeve rritet vazhdimisht: nga viti 1488 në vitin 1491 rritja është rreth 6%. Në regjistrimin e viteve 1452-53 Shkupi numëronte rreth 5.600 familje, Tetova rreth 5.044, ndërsa në regjistrimin e vitit 1469 numëronin përkatësisht 5.800 dhe pothuajse 6.900 familje. Në vitin 1488 sanxhaqet e Vuçiternës, Prizrenit, Shkodrës, Dukagjinit, Ohrit, Elbasanit, Vlorës dhe Janinës kishin mbi 170 mijë familje dhe për tre vite shtohen rreth 6 mijë të tjera, gjithmonë të krishtera, çka nënkupton një rritje natyrore vjetore, mesatarisht për të gjithë Ballkanin osman, nga 0.65% (shek. XV) në rreth 1% (shek. XVI), një fenomen paralel me ritmet evropiane (Veinstein 1999; Minkov 2004; Biçoku 2005; Benigno 2008). Kjo rritje konflikton me tezën e projektit shfarosës osman dhe me valët e migracionit biblik në fundshekullin e XV.

Sigurisht që përgjatë zonave konfliktuale ka mjaft fshatra dhe qytete demografikisht të reduktuar ose të braktisur, siç dëshmojnë diferencat mes regjistrimeve të 1416-17, 1431, 1467 dhe 1485, sepse çdo luftë ka koston e vet humane dhe nuk mund të bëjë përjashtim ky konflikt i zvarritur, por kjo nuk është domosdoshmërisht sinonim i vrasjes, emigracionit apo projektit hakmarrës. Ka vendbanime që reduktohen, ashtu siç ka të tjerë që zgjerohen me fillimet e sundimit osman dhe kjo, thuajse përherë,çuditërisht mënjanohet në favor të apokalipsit. Ja një krahasim mes dy regjistrave në zonën e Shkodrës (1416-17 dhe 1485): Kalldruni kalon nga 50 shtëpi të regjistrimit venedikas në 32 shtëpi në regjistrimin osman; Kopliku nga 80 në 70 shtëpi, Samrishi nga 50 në 5 shtëpi, Baleçi nga 25 në 4 shtëpi, Mesi nga 17 në 9 shtëpi; Grizha nga 39 në 72 shtëpi, Shati nga shpopullimi në 30 shtëpi, Rrjolli nga 8 në 32 shtëpi, Leporoshi nga 7 në 12 shtëpi, Egreshi nga 6 në 14 shtëpi, Dobrea nga 7 në 12 shtëpi, etj (Pulaha 1974; Zamputi 1977). Si mund të zhduket një popullsi dhe njëkohesisht të rritet vazhdimisht?

Thellimi i hendekut teorik
Rritja natyrore ishte mesatarisht rreth 1%, mjaft e ulët për të shumëfishuar, për shembull, popullsinë e kazave të Krujës dhe Peshkopisë nga 1467 në 1501. Duke përjashtuar ringjalljen dhe rikthimin e emigrantëve, ripopullimi është shpjeguar në dy mënyra. Së pari, autoktonia (vazhdimësia) shqiptare e popullsisë, e mbrojtur gjërësisht nga historianët shqiptar dhe e përshkruar hollësisht, në mënyrë të veçantë, nga dy studime të Selami Pulahës, të bazuara kryesisht tek analiza antroponimike. Përveç pamjaftueshmërisë së rritjes natyrore, kjo autoktoni mund të jetë rezultat i tkurrjes së përkohshme dhe të pjesshme në zonat malore, jashtë rrezikut të luftës, për një rikthim të menjëhershëm, pas stabilizimit politik. Meqenëse të njëjtët historian sinonimizojnë vendbanimet e braktisura me rezultatin e politikës vrasëse-hakmarrëse ose antishqiptare, do të ishte koherencë me vetveten një reflektim mbi pamundësine e bashkëkzistencës racionale të katastrofizmit demografik – kështu të përshkruar – dhe rritjes së shpejtë e të njëtrajtshme, e gjithashtu, vetëdijesimi se numrat e shpopullimit janë më lart se realiteti dhe potenciali demografik arbëror ose, përndryshe, duhet të pranojnë alternativën e dytë, kolonizimin.
Mënyra e dytë, kolonizimi, ka qënë mjaft e përdorur nga shkolla serbe në justifikimin e popullimit të Kosovës me shqiptarë. I ndodhur përballë vakumit demografik, të mbrojtur me këmbëngulje gjatë gjithë studimit, Plasari nuk i ka shpëtuar tundimit të kolonizimit, sepse, pas krijimit të idesë së shfarosjes, është e pashmangshme përballja me regjistrimin e një popullsie të pranishme dhe gjithnjë në rritje. Nga vjen kjo masë? Për Akademinë, siç pohova, as që mund të diskutohet për kolonizim, e kjo mbrohet nga mjaft historianë të huaj: Speros Vryonis, për shembull, ka kundërshtuar hipotezat e Ömer Barkanit në lidhje me kolonizimin e Ballkanit dhe defterët i japin plotësisht të drejtë, të paktën për territorin shqiptar (ASHSH 1959; Vryonis 1981; Malcolm 1998; Minkov 2004). Përqindja e lartë e popullsisë së krishterë në territoret shqiptare, varfëria humane e Anadollit për të zëvendësuar popullsi të tjera, që përkthehet si pamundësi e transplantimeve demografike, si dhe nevoja perandorake për territore të shfrytëzueshme dhe taksaprodhuese, përforcojnë akoma më tepër dobësinë e procesit kolonizues.

Faktikisht Plasari nuk shkon përtej dy shembujve jetimë të kolonizimit, Gecies dhe Elbasanit, madje për rastin e dytë i referohet Tursun Beut kur ai pohon se, pas ndërtimit të kështjellës, «u dyndën njerëz islamikë nga të gjitha anët», por i njëjti kronist, disa faqe më tutje, rrëfen se «njerëzit [jo islamikët] që jetonin nëpër malet e ashpra përreth Elbasanit […] zbritën në rrafshinën e kështjellës»: në defterët e viteve 1520-35 sanxhaku i Elbasanit, edhe pse ka numrin më të lartë të muslimanëve, regjistron rreth 94,4% të krishterë. Ngadalësia e procesit të islamizimit në trojet shqiptare është gërryes i pashmangshëm i tezës kolonizuese. Nëse zhvillimet e këtij procesi anashkalohen, pyetje të tjera kërkojnë përgjigje: osmanët kanë importuar kolon të krishterë; po atëherë, osmanët e paskan favorizuar krishtërizimin; nëse po, nga i morën, si u shqiptarizuan në pak dekada? E mbi të gjitha, përse dokumentet – dhe antroponimia – nuk e konfirmojnë kolonizimin e përmasave zëvendësuese të popullsisë arbërore? Përkundrazi, defterët dëshmojnë të kundërtën, praninë e shqiptarëve edhe aty ku më përpara kemi pak e aspak gjurmë të dokumentuara, e këtë nuk po e komentojmë si meritë e sundimtarëve.

Janë regjistrat, pjesërisht edhe kronikat, që rrjedhimisht na adresojnë tek vazhdimësia demografike dhe imponojnë përjashtimin e skenave groteske: hipoteza e kolonizmit në shek. XV-XVI, ndonëse do të ishte funksionale – të kuptohemi, këtu përjashtohen administrata fillestare dhe garnizohet ushtarake –, nuk ka baza historike dhe as mundësi realizimi, fakt i cili na rikthehen tek vazhdimësia, por kjo nënkupton detyrimisht shmangien e hiperbolizimeve letrare me shifra dhe përshkrime nacional-romantike, që, me pretekstin e hakmarrjes së programuar, tjetër nuk bëjnë veçse fshijnë numërikisht gjurmët e paraardhësve. E thënë ndryshe: duke pranuar vazhdimësinë e regjistruar, zhvlerësohen njëkohësisht kolonizimi dhe shpopullimi homerik, ndërsa me “kiametin numërik”, përveç shembjes të urës lidhëse me mesjetën, vazhdojmë aktrimin nostalgjik sipas formulës «të vjedhësh armikun është akt patriotik», porse realisht është thjesht vjedhje e vetvetes.

Artikulli paraprakMijëra njerëz marshojnë kundër qeverisë maqedonase
Artikulli vijuesShembull i përkryer si nuk shkruhet një Opinion për Terrorizmin