Austri, asnjë provë ndaj shqiptarit të arrestuar për terrorizëm

Të premten, autoritetet austriake lajmëruan arrestimin e një 18-vjeçari me origjinë shqiptare dhe thanë se kishin shmangur një sulm terrorist në Vjenë.

Por një ditë më pas, ndërsa situata është qartësuar disi, duket se mungojnë faktet bindëse kundër të arrestuarit.

Shtypi austriak shkruan se i dyshuari, me nënshtetësi austriake dhe origjinë shqiptare, i identifikuar si Lorenc K., u mor në pyetje gjatë gjithë natës nga hetuesit, të cilët nuk kanë folur në detaje për atë që kanë zbuluar.

Mësohet se babai i të dyshuarit jeton gjithashtu në Austri, por duket se nuk kishte dijeni për planet e mundshme të të birit. Megjithatë, theksohet se është ende e paqartë sa i rrezikshëm, apo i padëmshëm është 18-vjeçari.

Disa avokatë të famshëm në Austri janë të gatshëm të marrin përsipër mbrojtjen e tij dhe kjo konsiderohet si një shenjë se provat dërrmuese kundër tij mungojnë, të paktën deri tani.

Në orët e para pas arrestimit të tij, policia austriake tha se veproi bazuar në informacionet e një shërbimi të huaj inteligjent dhe pasi përgjoi të dyshuarin për disa ditë vendosi ta arrestonte.

Por pas kontrollit të një apartamenti ku ai kishte qëndruar nuk u gjet asnjë mjet shpërthyes apo armë e ndonjë lloji tjetër. Hetuesit thanë se kanë gjetur disa telefona celularë të cilët po kontrollohen raporton Top Channel.

Artikulli paraprakShkodra, simboli historik i bashkëjetesës fetare
Artikulli vijuesJa vetëm disa produkte Serbe që lehtë mund t’i zëvendoësoni me produkte tona