Bumi energjitik ndikon tek ekonomia

Bumi i prodhimit të gazit natyror dhe i naftës në Shtetet e Bashkuara ka ndryshuar pikëpamjen për energjinë në mbarë botën. Pjesëmarrësit në konferencën vjetore HIS-CERA në Houston diskutuan për shtimin përherë e më tepër të karburanteve jo-konvencionale në mbarë botën, pra lëndët djegëse që nuk nxirren nga thellësitë e tokës dhe që i kanë dhënë drejtim rritjes ekonomike dhe zhvillimit në shekullin tonë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Greg Flakus njofton nga Houston-i.

Falë shtimit të prodhimit të gazit natyror në Teksas dhe në disa shtete të tjera amerikane, e ardhmja e enrgjisë në SHBA duket e mirë. Por transporti, sektori i ekonomisë që përdor më tepër energjinë, vazhdon të mbështetet kryesisht tek nafta dhe produktet e saj. Drejtuesi i kompanisë General Motors, Daniel Akerson, thotë se pajisja e konsumatorëve me stacione për furnizimin me gazit natyror në shtëpi mund të ndihmojë në këtë aspekt.

“Në se mendojmë se kjo do të shtonte shitjen e këtij produkti dhe në se do të nxirrnim fitime, sigurisht që do ta bëjmë këtë gjë.”

Por zoti Akerson thotë se kjo do të ndodhë, vetëm në se qeveria amerikane mbështet krijimin e më tepër stacioneve të furnizimit me gaz në mbarë vendin.

“Duhet nxitja e qeverisë për industrinë e energjisë, në mënyrë që të ndërtohet infrastruktura e nevojshme. Ne nuk mundet ta kontrollojmë këtë pjesë të ekuacionit. Por njëkohësisht, ne nuk mund të prodhojmë, pa patur siguri tek mbështetja infrastrukturore”.

Ngaqë makinat dhe kamionët që përdorin gazin natyror si karburant janë të shtrenjta, kryeekonomisti i Institutit Amerikan të Naftës, John Felmy, thotë se çdo ndryshim duhet të fillojë me automjetet e mëdha. Ai thotë se ka kuptim të nxitet eksporti i gazit natyror të lëngshëm, për t’i dhënë prodhuesve një shtysë për t’u zgjeruar.

“Në se i hedhim një vështrim operacioneve të gazit në mbarë vendin, tani për tani vihet re një numër jashtëzakonisht i madh eksplorimesh për shpimet për gaz. Ndërkohë, shpimet për zbulimin e rezervave të reja të gazit nuk kanë ndodhur, për arsye të çmimit relativisht të ulët të këtij produkti.”

Ai thotë se eksportimi i gazit do të pakësonte edhe deficitin tregtar të SHBA, do të krijonte vende të reja pune dhe do të kishte vetëm një ndikim të vogël tek çmimi që paguajnë konsumatorët. Por ky zhvillim nuk është i mirë vetëm për Shtetet e Bashkuara. Biznesmenë si Mikhail Smirnov i kompanisë ruse Cryogenmash dëshiron t’i shesë gaz natyror të lëngshëm kompanive amerikane.

“Ne jemi entuziastë për këtë projekt, ngaqë do të rritej ndjeshëm numri i tregtuesve private të gazit dhe i klientëve privatë, të cilët do të kenë nevojë për gaz të lëngëzuar në sasi të vogla”.

Në konferencën e Hjustonit erdhën zyrtarë të energjisë nga shumë vende, për të mësuar mbi mënyrat e shtimit të prodhimit të gazit natyror në vendet e tyre.
Për shumë vende, shfrytëzimi i rezervave të gazit natyror lidhet me luftën kundër varfërisë, thotë Arsenio Mabote, Drejtor i Institutit Kombëtar të Naftës në Mozambik.

“Kur ka burime energjie, mund të gjenerosh, për shembull, energji elektrike, dhe të furnizosh me të popullsinë… dhe kjo sjell zhvillim.”

Ekspertët thonë se vendet në mbarë botën do të kenë nevojë për energji nga një numër burimesh, përfshirë naftën, gazin natyror, qymyrin dhe burimet e ripërtëritshme, për të plotësuar kërkesat në dekadat e ardhshme./voa

Artikulli paraprakAsad: Unë po e mbroj shekullarizimin
Artikulli vijuesA mos jetojmë vetëm që të konsumojmë?!