Burimi i problemit të Lindjes së Mesme

Lindja e Mesme ka dalë në pah andej nga fundi i shekullit të 19-të dhe fillimi i të 20-it, nëpërmjet imperializmit britanik e francez. Madje koncepti i Lindjes së Mesme është përdorur për herë të parë në dokumentet britanike, në vitin 1902, dhe nga aspekti i origjinalitetit pasqyron këndvështrimin e Mbretërisë së Bashkuar. E formuar nën ndikimin e imperializmit evropian, Lindja e Mesme, këtë herë gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, trajtësohet sipas rivalitetit ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ish-Bashkimit Sovjetik. Lindja e Mesme ka vazhduar edhe më pas të jetë nën rrethin dhe efektin e sistemit global. Pas Luftës së Ftohtë, krahas fuqive perëndimore, shohim që në këtë rajon kanë filluar të hyjnë edhe fuqi lindore si Kina. Veçanërisht falë potencës ekonomike dhe asaj politike brenda Organizatës së Kombeve të Bashkuara, prania e Kinës në rajon ka nisur të ndihet gjithnjë e më shumë.

Megjithatë, për një analizë sa më objektive, nuk mjafton që Lindja e Mesme të vihet nën thjerrë vetëm nga aspekti i ndikimit të shteteve jashtë rajonit. Është e gabuar të mendohet se të gjitha problemet burojnë gjetkë, jashtë kufijve rajonalë. Realisht, suksesi i të gjitha ndërhyrjeve të jashtme është një rezultat i dobësisë së sistemit dhe shteteve të Lindjes së Mesme. Posaçërisht është një produkt i çekuilibrit të madh të forcës, që u theksua jashtëzakonisht shumë në shekullin e 19-të. Ndërkohë që Evropa dhe bota perëndimore bënin ekspansionizëm anembanë botës falë revolucioneve modernizuese të shekujve të 17-të dhe 18-të, Lindja e Mesme dhe rajonet e tjera islame nuk kishin arritur dot që t’i shpëtonin këtij procesi. Sa më shumë humbiste epërsia, qëLindja e Mesme dhe vendet islame kishin deri në atë kohë, aq më tepër bëheshin pre e luftërave për influencë me burim nga jashtë. Ky proces, po aq sa me fuqizimin e botës perëndimore, ka të bëjë gjithashtu me dobësimin e Lindjes së Mesme dhe botës islame; prandaj në burimin e problemeve të Lindjes së Mesme duhet llogaritur me doemos edhe roli i aktorëve dhe faktorëve rajonalë.

Sepse rajoni i Lindjes së Mesme është trajtësuar vetëm nga dinamikat rajonale që nga lindja e islamit në shekullin e 7-të dhe deri në shekullin e 19-të. Perandori dhe filozofi madhështore, siç ishin respektivisht omajadët, abasidët, selxhukët, dhe osmanlinjtë; jo vetëm që e kanë bashkuar Lindjen e Mesme, por edhe e kanë mbrojtur atë karshi sulmeve të jashtme për 14 shekuj me radhë. Nga ana tjetër, dinastitë safavide dhe mugale kanë qenë përcaktuese në rajonet e Indisë dhe Azisë Jugore. Këto perandori të mëdha kanë prodhuar modelet e filozofirat më të përparuara të atyre kohëve dhe, duke i jetësuar ato me organizime e politika të suksesshme, kanë nxjerrë në dritë qytetërimin e madh islam. Në këtë mënyrë është arritur mposhtja dhe neutralizimi i kërcënimeve dhe sulmeve të jashtme, që ekzistonin edhe më parë, për 14 shekuj me radhë.

Në këtë pikë lind vetvetiu pyetja: Përse dhe si i humbën ndikimet e tyre gjatë shekujve të 19-të dhe 20-të perandoritë rajonale, që e kanë qeverisur Lindjen e Mesme më parë?

Pyetje si kjo më sipër janë ngritur me mijëra herë edhe në të shkuarën. Shumë persona u janë përgjigjur atyre me qindra herë. Me qëllim zgjidhjen e problemeve të Lindjes së Mesme në veçanti dhe botës islame në përgjithësi janë hartuar projekte të panumërta dhe në këtë kontekst ekziston një oqean i tërë me libra e literaturë. Por nëse u hedhim një shikim të gjitha këtyre projekteve, në vija të përgjithshme spikasin 3 opinione. Disa propozojnë transferimin në të sotmen e modeleve dhe filozofirave të periudhave më të lavdishme të perandorive të lartpërmendura, të tjerë sugjerojnë modernizimin dhe mohimin e plotë të së kaluarës, ndërsa një pjesë e tyre shpalosin modele dhe filozofi krejt të ndryshme nga ato të së shkuarës dhe periudhës moderne. Në pamje të parë, ky pluralizëm idesh mund të duket si diçka shumë normale, e zakonshme dhe demokratike; por çuditërisht, në thelbin e problemit të sotëm të Lindjes së Mesme qëndron pikërisht shndërrimi në rivalitet politik i këtyre qasjeve të ndryshme dhe pluraliste. Idetë, filozofirat dhe modelet pluraliste, të cilat në kushte normale janë më se të pranueshme, fatkeqësisht, në Lindjen e Mesme dhe botën islame janë transformuar në burim konfliktesh. Thënë më konkretisht, në këto hapësira gjeografike përplasen hera-herës modele me cilësi fetare apo sektare, hera-herës modele me cilësi politike ose ideologjike, dhe hera-herës modele me cilësi ekonomike apo energjetike. Disa i emërtojnë këto si modeli turk, modeli iranian dhe modeli saudit.

Si rrjedhim, problemi themelor i Lindjes së Mesme është mungesa e një modeli apo filozofie të vlefshme dhe efikase në shkallë rajonale, pra një model që do ta rrethonte të gjithë këtë hapësirë gjeografike. Prania e një problemi të tillë mund të duket e çuditshme, edhe pse kultura dhe besimi mbizotërues i rajonit është islami. Mirëpo në të vërtetë problemi themelor buron pikërisht nga këtu.

Nuk ekziston një model, që të bashkojë të gjithë rajonin dhe myslimanët rreth një interpretimi të vetëm. Si shembull në lidhje me këtë mund të thuhet se për Lindjen e Mesme nuk ka një model apo filozofi, siç është “Bashkimi Evropian”, që grupon të gjithë rajonin e Evropës. A mund të zbatohet për Lindjen e Mesme një model si Bashkimi Evropian, që mundëson zgjidhjen e shumë problemeve dhe integritetin e evropianëve, të cilët kanë luftuar për qindra vjet kundër njëri-tjetrit?

Përgjigjja e kësaj pyetjeje është vështirë të jepet në rrethanat e sotme. Për këtë arsye, e pamundur është gjithashtu përpjekja për të prodhuar një përgjigje në këtë pikë. Por në vend të angazhimit në një tentativë të dëshpëruar, do të jetë më e dobishme sikur të shtrojmë pyetjet ose shpalosim elementët thelbësorë për një model rajonal. Cilido qoftë modeli, çdo nismë potencialisht e aftë për të zgjidhur problemet e Lindjes së Mesme duhet domosdoshmërish të marrë në konsideratë faktorët e mëposhtëm:

1. Si duhet të marrin fund ndasitë fetare, politike dhe ekonomike të rajonit?
2. Në ç’drejtim dhe si duhet të zhvillohen marrëdhëniet ndërmjet shteteve të fuqishme rajonale dhe fuqive jashtë rajonit?
3. Cili është qëndrimi, që duhet mbajtur ndaj imperializmit dhe interesave rajonale të aktorëve të jashtëm?
4. Çfarë rruge duhet të ndjekin popujt e vendeve të rajonit për të marrë kontrollin e qeverive përkatëse me metoda demokratike dhe qytetare?
5. Në ç’mënyrë duhet të sheshohen problemet strukturore të rajonit (Izrael-Palestinë, diktatura, humnera midis të pasurve dhe të varfërve, arsimi dhe shumë të tjera)?

Për zgjidhjen e problemit të Lindjes së Mesme duhet që këtyre dhe pyetjeve të tjera të mos u përgjigjemi një e nga një, por integralisht brenda një modeli efektiv.

 

Autor: Prof. dr. Ramazan Gozen
Pedagog i degës së Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare pranë Universitetit “Marmara” në Stamboll

Artikulli paraprakPërplasja e Qytetërimeve: Huntington është i gjallë dhe mirë
Artikulli vijuesTa ndalojmë diskriminimin e gruas me mbulesë