Cameron: Nëse fiton në zgjedhje, referendum për dalje nga BE

Kryeministri britanik, David Cameron, tha se nëse partia e tij fiton në zgjedhjet e ardhshme, atëherë ai do të mbajë referendum për anëtarësinë në Bashkimin Evropian, para fundit të vitit 2017.

Zgjedhjet e ardhshme kombëtare në Britani parashihet të mbahen në vitin 2015.

Në fjalimin e tij të mbajtur sot në Londër, zoti Cameron, tha se zhgënjimi me Bashkimin Evropian në Britani është “në nivelin më të lartë në të gjitha kohërat”.

Ai ka kërkuar reforma në Bashkimin Evropian, me 27 shtete anëtare, për më tepër përgjegjësi demokratike dhe ka bërë thirrje që disa autoritete, që u janë marrë shteteve anëtare, të kthehen.

Kryeministri Cameron tha se Bashkimi Evropian duhet të ndryshoj për ta promovuar prosperitetin dhe ta ruaj mbështetjen e popullit.

Bisedat për referendumin për anëtarësinë e Britanisë në BE, kanë shkaktuar shqetësim në kryeqytete në Evropë dhe Amerikën Veriore.

Javën e kaluar, presidenti amerikan, Barack Obama, tha se “Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë Mbretërinë e Bashkuar të fuqishme në Bashkimin Evropian të fuqishëm”./rel

Artikulli paraprakIzrael: Netanjahu kthehet me mandat më të dobët?
Artikulli vijuesJahjaga – Nikoliq: Takim i vonuar, me synimin për stabilitet