CAPUSSELA:HOXHAJ DUHET TË SHKARKOHET, ISHTE I PËRFSHIRË NË SKANDALIN E AUK-UT

Ish-shef i sektorit ekonomik në Zyrën Civile Ndërkombëtare, Andrea Lorenzo Capussela, ka thënë se shkarkimi i ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, do të shërbente si akt i rëndësishëm simbolik i luftës ndaj korrupsionit në Kosovë.

Në një opinion të shkruar për “Balkanist.net”, Capussela thotë se emërimi i Hoxhajt si Ministër i Jashtëm ka paraqitur Kosovën si një vend që nuk brengoset fare për “korrupsionin endemik” që e ka kapluar vendin.

Kjo për shkak se sipas tij, Hoxhaj ishte i përfshirë në një skandal për ndarje pronash gjatë kohës sa ka qenë Ministër i Arsimit, ndërsa u emërua si njeriu që do të përfaqësoje Kosovën në botë vetëm një muaj pasi EULEX-i bëri publik detajet e atij rasti.

“Në një anë, zgjedhja e një personi të tillë për të përfaqësuar një nga vendet më të korruptuara të Evropës para bashkësisë ndërkombëtare ka qenë një veprim i sinqertë. Kështu, me këtë zgjedhje, Qeveria dhe Parlamenti i Kosovës i kanë thënë botës “Po, ne jemi të korruptuar, por ne nuk kemi asnjë problem me këtë”, shkruan Capussela.

Capussela i është referuar një vendimi të EULEX-it të vitit 2010-2011, që ka të bëje me dyshimet për transferim të jashtëligjshëm të një parcelë toke tek një universitet privat, Universiteti Amerikan në Kosovë, duke dëmtuar kuletën e shtetit në vlerë mes 15 deri në 20 milionë euro.

Ai nënvizon se megjithëse Hoxhaj nuk është shpallur i fajshëm për rastin, në vendimin e EULEX-it thuhet qartë që Hoxhaj dhe Ministri i Financave i asaj kohe, kanë qenë të përkushtuar për të realizuar transferimin e asaj prone.

“Dr. Hoxhaj nuk ka provuar që të demantojë këto dhe të pastroj emrin e tij. Do të kishte qenë e vështirë për të bërë një gjë të tillë për shkak se provat (të cilat unë i kam dhënë EULEX-it) janë fare të qarta. Pra, edhe pse Dr. Hoxhaj nuk ka kryer asnjë krim në atë rast -sepse transferimi është detyruar të ndalet -ne mund të jemi arsyeshëm të sigurt se qëllimi i tij ka qenë për të bërë një gjë të tillë”, shkruan Capussela.

Capussela ka kritikuar edhe bashkësinë ndërkombëtare që sipas tij nuk kanë reaguar lidhur me emërimin e Hoxhajt në pozitën e kryediplomatit. Sipas tij, deklaratat e ambadadorëve të shteteve të rëndësishme perëndimore për luftën ndaj korrupsionit në Kosovë janë deklarata boshe nëse nuk mbështetet me veprime konkrete.

Dhe, një akt konkret sipas Capusselas, mund të konsiderohet vetë shkarkimi i Hoxhajt nga pozita e ministrit.

“Qeveritë perëndimore janë bërë më të zëshme kohët e fundit për të denoncuar korrupsionit dhe me thirrjet e tyre ndaj autoriteteve kosovare që ta luftojnë atë. Fjalët e tyre do të ishin më të besueshme nëse ata do të ndërmerrnin masa konkrete për të treguar pakënaqësinë e tyre për atë akt simbolik. Dr. Hoxhaj vazhdon të jetë ministër i Jashtëm i Kosovës ndërsa thirrjet e perëndimit për të luftuar korrupsionin do të jenë thirrje boshe”, shkruan ai.

“Zëvendësimi i tij, do të dërgonte mesazh shumë më të fortë tek shoqëria”, përfundon shkrimin Capussela./Insajderi.

Artikulli paraprakEDHE OKB-JA KUNDËR DONALD TRUMP
Artikulli vijuesÇdo muaj më i shtrenjtë se tjetri