Prokuroria nuk ka mundur të paraqesë dëshmitë e duhura për dënimin e Haradinajt, pohon ish – kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës për krime në hapsirën e ish-Jugosllavisë, Carla del Ponte.
DW: Zonja del Ponte, ju keni qenë kryeprokurore e Tribunalit të Hagës, kur u ngrit aktakuza kundër Ramush Haradinajt, i cili u lirua si i pafajshëm. Në Kosovë dhe në Serbi nuk është befasuar askush me vendimin e Tribunalit për lirimin e Haradinajt. Po Ju a u befasuat?
Carla del Ponte: Jo, nuk jam aspak e befasuar. Haradinaj është shpallur i pafajshëm edhe në procesin e parë, ndërsa ky ishte tani procesi i dytë. Unë i kam ndjekur të gjitha hetimet kundër tij dhe në bazë të tyre kam përpiluar aktakuzën. Aktakuza është konfirmuar nga një gjykatës i Tribunalit por gjatë procesit ka qenë shumë e vështirë nxjerrja e dëshmive. Disa dëshmitarë nuk janë paraqitur në proces, ndërsa të tjerët kanë ndryshuar deklaratat e tyre. Ky ka qenë problemi kryesor, ndaj Haradinaj është shpallur i pafajshëm. Gjykata e apelit më pas ka vendosur që procesi të përsëritet. Por edhe në procesin e dytë problemi ka mbetur i njëjti: nuk janë paraqitur dëshmitë e nevojshme për dënimin e Haradinajt.
DW: Si e shpjegoni zhdukjen e disa dëshmitarëve e madje edhe vrasjen e tyre?
Carla del Ponte: Unë nuk kam njohuri për rezultatet e hetimeve, që janë bërë në Kosovë lidhur me këto raste, sepse nuk jam më në Hagë. Por fakt është që dëshmitë nuk kanë mundur të paraqiten në Hagë.
DW: Vendimet e fundit kanë shkaktuar në Serbi reagime të shumta negative. Si mund t’u shpjegohet tani serbëve se në Tribunalin e Hagës zotëron drejtësia, sepse atje janë dënuar kryesisht vetëm serbët. Në Serbi nuk i beson më askush këtij Tribunali?
Carla del Ponte: Kjo është e vërtetë dhe unë kam mirëkuptim për Serbinë. Por Serbisë duhet t’i shpjegohen në veçanti të dhënat për rastin Haradinaj – se si erdhi deri te ky vendim. Duhet kuptuar se jo gjithmonë para gjykatave mund të prezantohen dëshmitë e duhura dhe kjo ka si pasojë lirimin e personit të akuzuar. Ajo që mua më shqetëson është vendimi lidhur me procesin e Gotovinës. Ky vendim ishte për mua një befasi shumë e madhe, ndaj Serbia natyrisht që ka pasur të drejtë kur ka reaguar aq ashpër siç ka reaguar. Edhe unë kam qenë e shokuar. Në instancën e parë Gotovina është dënuar dhe dëshmitë ekzistojnë. Kjo natyrisht që nuk është e mirë për drejtësinë ndërkombëtare.
DW: Rasim Ljajiq ka deklaruar se Serbia do ta ulë nivelin e bashkëpunimit me Tribunalin në një nivel teknik. Çfarë do të thotë kjo?
Carla del Ponte: Nuk do të thotë shumë, sepse tani kanë mbetur të përfundojnë edhe proceset e fundit. Kjo nënkupton dërgimin e dëshmitarëve në Hagë, ndërkohë që dëshmitë janë janë depozituar atje prej vitesh. Besoj se ulja e nivelit të bashkëpunimit në një nivel teknik nuk ka asnjë domethënie. Bashkëpunimi teknik do të mjaftojë për vazhdimin e këtyre proceseve.
DW: Pas vendimeve të fundit, raportet mes Serbisë dhe Kroacisë janë acaruar, ndërkohë që disa politikanë në Beograd tani kërkojnë ndërprerjen e dialogut me Prishtinën. Duket se këto vendime po i influencojnë edhe raportet mes shteteve në Ballkan?
Carla del Ponte: Unë nuk mund të deklarohem lidhur me këto gjëra, sepse këto janë çështje politike. Prokuroria e ka kryer punën e vet dhe këtë punë e ka kryer siç duhet. Ndërkohë që përgjegjësinë për vendimet i ka gjykata. Unë mendoj se prokuroria e ka kryer mirë punën e vet.
DW: Deri kur do të vazhdojë punën Tribunali i Hagës?
Carla del Ponte: Atje tani po zhvillohen proceset e fundit dhe besoj se Tribunali do të mbyllet në vitin 2014.
You Might also Like
Çka është cikli i varfërisë?
Në ciklin e varfërisë një numër faktorësh dhe ngjarjesh fillojnë dhe futin një person ose…
By
Redaksia
5 Min Read
Departamenti Amerikan i Mbrojtjes punëdhënësi më i madh në botë?
Departamenti Amerikan i Mbrojtjes mbetet sërish në vend të parë si enti publik apo provat…
By
Redaksia
1 Min Read
Pakistani, vendi ku gërshetohen shumë popuj dhe kultura
Pakistani i larmishëm në aspektin gjeografik, i cili shtrihet në rripin e maleve të larta…
By
Redaksia
3 Min Read
Perëndimi po perqafon Islamin me të madhe…
Shëndërrimi në dhunë i protestave që nisën bashkë me shfaqjen e filmit antiislam dhe fyes…
By
Redaksia
3 Min Read
Gjuha arabe gjuha e katërt më popullore në botë
Sipas Qendrës Ndërkombëtare të Gjuhës Arabe “Mbreti Abdullah” në Rijad, (KAICAL) ka zbuluar se gjuha…
By
Redaksia
3 Min Read
Serbia theri 70.000 shqiptarë dhe dogji 600 fshatra shqiptare
Jam i nderuar që, në emër të Kryesisë së Shoqatës së Muhaxhirëve të Kosovës, t’ju…
By
Redaksia
13 Min Read
