Çeki, arrestohet imituesi i Breivik

0
201

Një person i dyshuar se po përgatiste sulme të ngjashme me ato në Norvegji, të kryera nga Anders Behring Breivik, është arrestuar në Republikën Çeke.

Lajmin e kanë bërë të ditur autoritetet policore lokale, sipas të cilave agjentët kanë gjetur një pushkë automatike, eksploziv dhe municione në apartamentin e të dyshuarit.

I riu 29-vjeçar është arrestuar në qytetin lindor të Ostravës një javë më parë, për vetëm këto ditë autoritetet bënë publik lajmin për mediat.

Korrespondenti i BBC në Pragë, Rob Cameron deklaron se policia në Ostrava ishte vënë në alarm pasi i dyshuari përdorte emrin e Breivik në mesazhet elektronike.

Sipas reporterit, policia bastisi banesën e të riut pasi kishte përgjuar telefonin dhe postën e tij dhe kishte zbuluar se ai po planifikonte të shpërthente një sasi të madhe eksplozivi.

Kur u arrestua, ai po mbante në dorë një telekomandë për të aktivizuar eksplozivin në distancë, kanë saktësuar burimet policore.

Në një konferencë për shtyp, ato thanë se nuk e dinin se cili ishte objektivi i të arrestuarit, por eksplozivi dhe armët e tij ishin të gjitha funksionale.

Më 22 korrik 2011, Breivik, një militant i ekstremit të djathtë, vrau tetë persona në një atentat me bombë dhe më pas 69 të tjerë me armë zjarri në ishullin Utoja.

Kur është bërë pak më shumë se një vit nga ngjarja, në Norvegji janë rindezur polemikat për shkak të një raporti që thoshte se atentatet në fjalë mund të shmangeshin, gjë që çoi në dorëheqjen e shefit të policisë norvegjeze./tch/kohaislame