Gjëja më e rëndësishme për nomenklaturën është pushteti. Jo prona, por pushteti. Borgjezia është klasa me prona dhe për këtë arsye, është klasa në pushtet. Nomenklatura është klasa sunduese dhe për këtë arsye, klasa me prona.
Qëllimi është pushteti. Në një sistem kapitalist kleptokratik, prona thjesht të bie vetë në prehër
Termi “oligark” përdoret në mënyrë kaq agresive për rusët, saqë është e vështirë të thuhet se ku fillon dhe mbaron oligarkia e Rusisë, cilët ekzaktësisht bëjën pjesë në këtë grup, dhe cili rreth oligarkësh vërtiten në orbitë rreth Vladimir Putinit. Në të vërtetë, kuptimi i fjalës oligark është e vështirë që të ndahet nga Rusia. Sipas “Oxford English Dictionary”, “oligark” do të thotë “një lider shumë i pasur biznesi, me shumë influencë në politikë”. Përderisa ky definicion mund të zbatohej lehtësisht në shumicën e shteteve, Fjalori i Oksfordit bëri një shtesë: “Veçanërisht në Rusi”.
Një përmbledhje e lajmeve të fundit rreth Rusisë, më shumë ngatërron sesa zbulon. Oligarkët rusë janë bërë një spektër i gjerë. Ish-menaxheri i fushatës së presidentit të SHBA, Donald Trump, Paul Manafort bënte biznes me “oligarkin rus” Oleg Deripaska. Jared Kushner, dhëndri dhe këshilltari i Trump, kishte një marrëveshje shumë-milionë dollarëshe me një “oligark të lindur në Bashkimin Sovjetik”. Takimi skandaloz i Donald Trump Jr me një avokate ruse ishte ndërmjetësuar nga “oligarku rus” Aras Agalarov. Aksioneri kryesor i Bankës së Qipros, “oligarku rus” Dmitry Rybovlev, bleu pasuri të patundshme nga Trump. “Oligarkët rusë” janë bërë kaq emblematikë të Rusisë, saqë Stephen Colbert, një komedian amerikan kohët e fundit adoptoi qëndrimin e “oligarkut të relaksuar”, me “oligarkin rus” Mikhail Prokhorov, për të mësuar se si të ecë si “oligark rus “.
Problemi me termin oligark, si një figurë në politikën ruse është se përdorimi i saj ka ndryshuar vazhdimisht që nga koha sovjetike. Konfuzioni vjen nga dy elementët e tij, shpesh të pandashëm: pasuria dhe influenca politike. Ndërsa oligarkët janë idealisht të dyja, shumë vëzhgues të Rusisë duhet të identifikojnë vetëm një figurë me pasuri ose pushtet politik, por jo domosdoshmërisht të dyja.
Paqëndrueshmëria e domethënies së oligarkut ka bërë që disa të vënë në dyshim ekzistencën e tij. Në vitin 1998, ekonomisti Anders Aslund argumentoi se oligarkia në Rusi ishte “kryesisht një fenomen mediatik”, sepse pasuria oligarkike nuk ishte aq e koncentruar sa supozonte shumëkush. Vetëm pak vite më parë, gazetari dhe autori Masha Gessen shkruante me forcë se “nuk ka më oligarkë”, sepse Putini kishte eleminuar influencën e tyre politike.
Nga ana tjetër, eksperti i Rusisë, Andreu Veiss, deklaroi se “oligarkia e Rusisë (dmth., kontrolli i shtetit dhe ekonomisë nga një grup i vogël i brendshëm, shumë i pasur) është shëndoshë e mirë”. Pohimi i tij bazohej në simbiozën midis pasurisë dhe pushtetit. Një skanim funksionimit të elitës akademike post-sovjetike në Rusi, tregon se oligarku është një kategori sociologjike e zakonshme. Por siç sugjerojnë shembujt e mësipërm, gjithashtu përdoret pa karar, thjesht për të përshkruar rusët e pasur.
Atëherë, çfarë është një oligark në Rusi, ku e ka origjinën kjo figurë, dhe si ka ndryshuar ajo me kalimin e kohës, nëse ka ndryshuar? Përdorimi i oligarkut ose oligarkisë në kontekstin rus flet për debatin rreth vetë natyrës së sistemit politik rus. Historianët dhe politologët e kanë përshkruar prej kohësh Rusinë si oligarkike. Në esenë e tij të titulluar “Rruga politike moskovite”, historiani Eduard Keenan sfidoi pikëpamjen mbizotëruese se Rusia ishte “në vetvete e predispozuar ndaj autokracisë [dhe] e prirur për të përqafuar tiranët”. Përkundrazi, Keenan argumentoi se “sistemet moskovite, dhe më vonë ruse, prireshin të preferonin sundimin oligarkik dhe kolegjial, për të shmangur udhëheqësin e vetëm dhe për të funksionuar më mirë, kur autokrati i emëruar, ishte në të vërtetë politikisht i dobët”. Oligarkët, në formulimin e Keenan, ishin aristokratë dhe burokratë (shpesh e njëjta gjë), që kufizonin fuqinë e carit. Kishte periudha ku autokrati e “mbizotëronte” këtë oligarki, por Keenan pohonte se këto ishin përjashtime nga rregulli.
Keenan e krahasoi strukturën e elitës ruse me atë të një atomi. Cari, perandori ose sekretari i partisë qëndronin në qendër si një “bërthamë e palëvizshme”, e rrethuar nga rrathë koncentrikë të përbërë nga oligarkët. Marrëdhënia mes carit dhe oligarkëve në orbitën e tij ishte simbiotike. I pari vepronte si arbitër mbi mosmarrëveshjet dhe garantues i pasurisë, ndërsa këta të fundit i jepnin atij fuqi politike. Pushteti i një oligarku buronte prej afërsisë së tij me carin. Kishte çekuilibra periodike, sidomos gjatë tranzicioneve monarkike, dhe klanet oligarkike shpesh sulmonin njëri-tjetrin. Por, për pjesën më të madhe, oligarkia moskovite ruante kohezionin kolektiv. Kjo sidomos në sytë e publikut. “Prodhimi i bujës” (domethënë, shkëlqimi dhe rrethanat ceremoniale) siguronin legjitimitet për ruajtjen dhe riprodhimin e fuqisë dhe fitimeve.
Oligarkët brenda orbitës së Carit ishin gjithashtu pushtetarë në të drejtën e tyre. Biznesmenë më të vegjël vinin ë orbitë përreth tyre, në një teleskop koncentrik rrjetesh patron-klient që lidhnin qendrën me periferinë. Pasuria dhe pushteti ishin një motiv i oligarkëve, por grumbullimi i tyre kishte lidhje me aftësinë e tij për të siguruar favore për klientët. Në shumë drejtime, fuqia e një oligarku – madje edhe atij në krye – ishte gjithmonë e kufizuar nga klientët e tij.
Shteti rus, pra, ishte më pak vertikal autokratik se sa imagjinonte shumëkush. Përkundrazi, fuqia vertikale ishte një fasadë për të ruajtur pamjen e një strukture unitare. Në realitet, rinia ruse ishte një entitet i copëtuar politikisht, i lidhur nga zinxhirët e rrjeteve patron-klient, që vërtiteshin përreth carit. Ky model e mbajti sistemin e qeverisjes ruse relativisht të qëndrueshëm, për sa kohë që një car ishte mjaft i fortë për të ruajtur ekuilibrin. Disa momente në historinë e Rusisë ku cari ishte shumë i dobët ose shumë i fortë, përfunduan në katastrofë dhe kanibalizëm oligarkik.
Oligarkët, patronët, klientët dhe klanet ishin mjetet kryesore për të kuptuar sistemin sovjetik. Studiuesit e kohëve të sotme, e kanë quajtur edhe “ekipin” e Stalinit si një oligarki. Sundimi sovjetik oligarkik ishte veçanërisht i dukshëm nën Leonid Brezhnjevin. Bashkimi Sovjetik si një oligarki, një grup i vogël pra, në krye të një nomenklature më të gjerë, funksiononte si bord drejtorësh për një klasë më të gjerë sunduese sovjetike. Qëllimi i oligarkisë së partisë ishte të siguronte statusin e nomenklaturës. Nju Jork Tajms do ta përshkruante Brezhnjevin në vitin 1981, si një lloj princi neo-moskovit: “Një oligark i vjetër, pozicioni i tij i lartë [u sigurua] përmes ndërmjetësimit midis forcave kundërshtare në krye të partisë.” Kur ai vdiq në nëntor të vitit 1982, redaktorët e revistës “Time” shkruajtën pothuaj me dashuri për ikjen e Brezhnevit: “Oligarku që e njihnim”.
Ekonomia e Komsomol-it
Një histori që duhet thënë plotësisht është centralizimi i “ekonomisë së Komsomol-it“ në rritjen e elitës post-sovjetike të biznesit. Disa nga ata që i mprehën dhëmbët e sipërmarrjes, si të rinj komunistë në mesin e viteve 1980, si Mikhail Khodorkovsky dhe Vladimir Vinogradov, u bënë manjatë famëkëqinj të epokës së Jelcinit. Të tjerët përdorën lidhjet e tyre me burimet e Komsomol-it dhe mbrojtjen e partisë, për t’u pasuruar. Kjo histori është e rëndësishme jo vetëm për shfaqjen e oligarkut post-sovjetik, por për privatizimin e ekonomisë sovjetike në përgjithësi. Në kohën kur sistemi sovjetik kishte rënë, kooperativat e lidhura me Komsomol-in ishin të mbushura me para. Krerët e këtyre organizatave krijuan bankat e para, mjetet për të dhënë kredi, dhe kur erdhi koha, paratë për të blerë ndërmarrjet sovjetike, ose për të financuar fushatën e Boris Jelcinit, në skemën e famshme, hua për aksione.
Ekonomia e Komsomol-it u zhvillua shpejt pas një sërë vendimesh të Partisë Komuniste që filluan në fund të korrikut të vitit 1986 me krijimin e Qendrave Rinore për Shkencën dhe Kreativitetin Teknologjik (TsNTTM). Ideja ishte të eksperimentohej me reformat e tregut nëpërmjet një entiteti politik të sigurt, si Komsomol. Partia akordoi fonde për këto qendra për të ngritur kooperativa. Këto organe duhet të mbështeteshin duke u ofruar shërbime të paguara institucioneve dhe industrive sovjetike. Dy vjet më vonë, këto qendra u zgjeruan në prodhimin dhe rinovimin e elektronikës së importuar.
Siç ka thënë Ndërsa Petr Zrelov, ish-kreu i kooperativës së të rinjve, “Dialog”: “Pas blerjes së teknologjisë për Dialog për 80,000-85,000 rubla, mund ta shisnim lehtë për 180,000 rubla. Ishte po aq fitimprurëse sa tregtia me lëndët e para”.
Disa vjet më vonë, më të pasurit e kooperativave kishin filluar të shfrytëzonin burimet natyrore. Një tjetër ish-Komsomol, Sergei Kabaev, foli për mënyrën se si kompania kompjuterike IVS mori me qira një minierë qymyri në 1990 në Kuzbass dhe “kontrolloi 20 përqind të eksporteve të qymyrit në vend”. Qendrat u lejuan të mbajnë deri në 30 përqind të fitimeve dhe vetëm pesë përqind shkonin lart, tek Komiteti Qendror i Partisë Komuniste. Siç e ka thënë sociologia Olga Kryshtanovskaya, “sistemi i Qendrave Rinore për Kreativitetin Shkencor dhe Teknologjik filloi të pasurojë dy grupe biznesmenësh – shefat e ndërmarrjeve shtetërore dhe udhëheqësit e vetë TTTTM”.
Skema të tilla i dhanë ndërmarrësve Komsomol mjetet reale për të gjeneruar fitime: aftësinë për të kthyer beznalichnye-n sovjetike – një lloj paraje virtuale, që industria sovjetike e përdorte si njësi kontabël – në para reale. Fillimisht, ajo përdorej për të blerë produkte perëndimore – pajisje kompjuterike të vjetra, elektronikë, rroba, parfume, makina dhe sende të tjera, që më pas shiteshin për çmime të fryra. Por TsNTTM u transformuan shpejt nga tregtarë, në spekulantë të monedhës dhe shfrytëzuan tregun e zi të monedhës. Si e kanë shpjeguar Kryshtanovskaya dhe Stephen Uhite, “Një kompani zakonisht mund të merrte një kredi prej një milion dollarë për një muaj, të shiste dollarët në tregun e zi për (thonë) 10 rubla secilin, dhe pastaj t’ia kthente kredinë shtetit në normën zyrtare të këmbimit [e cila ishte 65 kopecks për një dollar amerikan], duke marrë një fitim prej më shumë se nëntë milionë rubla. Bankat e para tregtare, që vepronin me mbështetjen e vetë shtetit, ishin në gjendje të përfitonin në të njëjtën mënyrë. “Për shkak të kësaj, TsNTTM njiheshin në qarqet e Komsomol si “lokomotiva të inflacionit”.
Partia kishte hapur portat e përmbytjes.
Deri në vitin 1990, kishte rreth 4.000 firma private dhe 17,000 kooperativa rinore që punësonin deri në një milion njerëz. Kur shteti sovjetik legalizoi ndërmarrjet private në vitin 1989, disa prej kooperativave më të mëdha, shumë prej të cilave ishin drejtpërdrejt nën kujdesin e organizatave lokale të Komsomol dhe nën patronazhin e partisë, filluan të bashkohen në shoqëri aksionare. Disa madje kishin amerikanë si aksionarë të vegjël. Një kompani e tillë, Sovinterinves, kishte një vlerë prej katër milionë dollarë amerikanë, dhe aksionerët amerikanë kontrollonin 12 përqind. Shumë nga këto gjithashtu u krijuan nga të afërmit e anëtarëve të rangjeve të lartë të partisë. Kishte shumë skema të tjera në atë kohë, ku anëtarët e nomenklaturës sovjetike përdorën pozicionet e tyre për të filluar “privatizimin e shtetit nga shteti”, edhe para se sistemi sovjetik të shembej zyrtarisht.
Oligarkia e re – oligarkia e vjetër
Termi “oligark” është përdorur në gjuhën e përditshme sovjetike në fund të viteve 1970 dhe fillim të viteve 1980, për të përshkruar manjatët në shtetet latino-amerikane, që ishin aleatë me Shtetet e Bashkuara. Gazetat sovjetike përshkruanin punëtorët në Peru, Panama, Argjentinë ose Kili, që luftonin kundër “imperializmit amerikan dhe oligarkëve vendas”. Në lojën e madhe të Luftës së Ftohtë, oligarkët ishin agjentë të kapitalit ndërkombëtar në përgjithësi, dhe Shteteve të Bashkuara në veçanti.
Deri në vitin 1990, fjala “oligark” në gazetat ruse filloi t’i referohej zyrtarëve të partive kombëtare dhe lokale. Termi nuk mori një dimension më ekonomik deri në mesin e viteve 1990, kur gazetarët filluan të reflektojnë mbi perestrojkën, si një kohë e “kapitalit të nomenklaturës”, dhe dhanë alarmin që Rusia post-sovjetike po bëhej shpejt një “oligarki, dhe jo një demokraci “.
Mungesa e diskursit rreth oligarkëve rusë, si shumë të pasur dhe me ndikim politik në ato vite të hershme post-sovjetike, është pjesërisht rezultat i mënyrës se si u shfaq elita e re. Sipas Kryshtanovskayas, privatizimi i shtetit nga shteti nuk krijoi një elitë të re, mbi hirin e të vjetrës. As nuk krijoi domosdoshmërisht një grup që të dallohej si lojtar politik dhe ekonomik. Përkundrazi, argumenton ajo, elita ruse u bigëzua, përgjatë linjave politike dhe ekonomike. Të parët e ruajtën statusin në bazë të pozitës në shtet, ndërsa të dytët nëpërmjet kontrollit të kapitalit. Sigurisht që kishte mbivendosje, por nga mesi i viteve 1990, elita ruse ishte si një “byrek me tre shtresa”. Shtresa e lartë përbëhej nga politikanët që synonin pushtet politik në shtet. Shtresa e mesme kishte udhëheqës të biznesit, shumë prej të cilëve kanë financuar dhe lobuar politikanët dhe kanë kontrolluar mediat. Shtresa e poshtme ishin shërbimet private dhe shtetërore të sigurisë. Policia jo vetëm që ka vepruar si shkop i shtetit, por gjithashtu është angazhuar për të zbatuar kontratat e biznesit, për të zgjidhur mosmarrëveshjet dhe madje për të marrë me forcë pronën e rivalëve të punëdhënësve të tyre.
Atëherë, kur u shfaqën oligarkët? Interesante, por termi oligark u popullarizua nga Kryshtanovskaya në artikullin e janarit të vitit 1996 në Izvestiia, “Oligarkia financiare në Rusi”. Në të, ajo përvijoi gjetjet e saj mbi formimin e elitës së biznesit post-sovjetik, nga “shitës dhe ndërmjetës”, në një klasë të konsoliduar. Ajo përfundoi, megjithatë, se ky konsolidim kishte krijuar një grup të ri, më të vogël dhe më të fuqishëm. Një klasë brenda klasës. “Një oligarki është formuar në Rusi, në kushtet e regresit industrial dhe progresit të institucioneve financiare. Përqendrimi i kapitalit ka ndodhur, me bankat në rolin udhëheqës. Prandaj, oligarkia e krijuar është kryesisht financiare”.
Referencat për një “oligarkëi financiare” që sundonte Rusinë u bënë standarde. Pas vitit 1996, termi përjetoi një rritje të përdorimit në mediat ruse. Shumë gazetarë perëndimorë, veçanërisht David Hoffman i Uashington Post, morën formulimin e Kryshtanovskayas dhe filluan të raportonin mbi “oligarkët e rinj të mëdhenj të Rusisë, bankierët dhe industrialistët që janë të lidhur ngushtë me qeverinë e Presidentit Boris Jelcin”. Kjo klasë brenda klasës nuk përthithte vetëm kapitalin dhe pronën, ata ishin duke blerë vende në Duma dhe duke fituar ndikim të drejtpërdrejtë në Kremlin. Ata madje ishin personalisht përgjegjës për rizgjedhjen e Jelcinit. Ata nuk ishin thjesht super të pasur – ata ishin kingmakers. Por ata gjithashtu i kërkonin Jelcinit që të zgjidhte mosmarrëveshjet midis tyre. Krerët e kësaj oligarkie ishin disa nga figurat më famëkëqia të viteve 1990 në Rusi: Boris Berezovsky, Mikhail Khodorkovsky, Mikhail Fridman, Petr Aven, Vladimir Gusinsky, Vladimir Potanin dhe Aleksandër Smolensky. Në shtypin rus, periudha 1996-1998 quhej semibankirshchina, ose sundimi i shtatë bankierëve.
Eshtë çështje debati se sa shumë ndikim politik kishin ata. Por duket se bankierët vetë e kuptuan se ku qëndronin përballë Jelcinit. “Përfytyroni nëse Presidenti Gorbaçov do takohej me disa biznesmenë. Do të ishte absolutisht joreale sepse ata kishin një status kaq të ndryshëm shoqëror!”, i tha Mikhail Fridman gjermanes “Die Zeit” në vitin 1997. “Vetë fakti që Jelcini është duke u takuar me biznesmenët tregon një ndryshim të përgjithshëm të vendit dhe rolit të komunitetit të biznesit në shoqërinë tonë. Sot ne kemi një vend shumë prestigjioz”.
Zbutja e gërrnjarit
Në shumë drejtime, konsolidimi i një segmenti të elitës ruse në një oligarki rreth Jelcinit pasqyroi normën në qeverisjen ruse. Një grup biznesmenësh të fuqishëm në orbitë përreth një cari. Ai zgjidhte mosmarrëveshjet e tyre dhe ata kufizonin pushtetin e tij. Struktura qeverisëse ishte e ndërlidhur nga zinxhirët e patronëve dhe klientëve. Sistemi ishte i korruptuar dhe i shërbente vetes, pa dyshim, por ishte i rrënjosur në një traditë të gjatë.
Kuptimi i oligarkut në Rusinë e Putinit, megjithatë, iu nënshtrua një ndryshimi tjetër. Megjithëse Putini erdhi në pushtet si përfaqësues i oligarkisë si klasë, vitet e hershme të sundimit të tij iu përkushtua nënshtrimit të asaj klase ndaj shtetit. “Si e shoh unë”, tha Putini në një intervistë me Le Figaro në vitin 2000, “shteti ka një shkop, të cilin e përdor vetëm një herë. Dhe goditja jepet në kokë. Nuk e kemi përdorur ende shkopin. Vetëm e kemi treguar dhe gjesti ishte i mjaftueshëm për të tërhequr vëmendjen e të gjithëve. Nëse ne zemërohemi, megjithatë, do ta përdorim shkopin pa hezitim”. Shkopi u përdor me të vërtetë me shpronësimin, arrestimin dhe dëbimin e Mikhail Khodorkovskyt, Vladimir Gusinskyt dhe Boris Berezovskit në fillim të viteve 2000. “Oligarkët” që iu nënshtruan shkopit u bënë vasalë të shtetit dhe arritën të mbajnë pasurinë e tyre.
Një Oligarki e re është ngjitur nën Putinin. Dhe ndryshe nga ajo nën Jelcinin, oligarkia e Putinit është personalisht e lidhur me të. Miqtë e vjetër, anëtarët e familjes dhe aleatët politikë janë bërë humë të pasur në orbitën e Putinit. Në shumë aspekte, ajo që Thomas Graham vëzhgonte rreth oligarkisë së Jelcinit, pas kolapsit financiar të Rusisë në vitin 1998, ende është e vërtetë gjatë epokës së Putinit. “Në kundërshtim me mendimin e përhapur në Rusi dhe Perëndim, nuk po dëshmojmë vdekjen e oligarkisë apo një ndryshim rrënjësor në mënyrën se si luhet loja e politikës në Rusi … Asgjë nuk ka ndodhur që do të kërcënonte lidhjen mes pushtetit dhe pronës”.
Në të njëjtën kohë, përkufizimi i Oksfordit për “oligarkun” kërkon një rishikim të lehtë për Rusinë e sotme. Ndërkohë që figurat e quajtura oligarkë sigurisht që janë të pasura, duhet të jemi skeptikë se sa ndikim politik kanë mbi Kremlinin. Sigurisht, ata me siguri lobojnë. Figura si Arkady Rotenberg, Genadi Timchenko dhe Igor Sechin kanë qasje të drejtpërdrejtë në veshin e Putinit. Por ndoshta është mirë të shohim këta burra dhe të tjerë si ta, jo aq ndryshe nga shumica e individëve të pasur dhe të fuqishëm. Megjithatë, në disa drejtime, fuqia oligarkike në Rusinë e sotme është më afër precedentit sovjetik. Oligarkia qeverisëse ruse nuk qëndron aq shumë në sferën ekonomike, se sa në atë politike. Siç vëren Mikhail Voslesnky në librin e tij “Nomenklatura: klasa sunduese sovjetike”, për oligarkët e Putinit, që janë njerëzit në rrethin e tij të ngushtë, brenda shtetit rus, “gjëja më e rëndësishme për nomenklaturën është pushteti. Jo prona, por pushteti. Borgjezia është klasa me prona dhe për këtë arsye, është klasa në pushtet. Nomenklatura është klasa sunduese dhe për këtë arsye, klasa me prona”.
Qëllimi është pushteti. Në një sistem kapitalist kleptokratik si Rusia e sotme, prona thjesht të bie vetë në prehër. / Burimi: “New Eastern Europe”