Shumë njerëz mendojnë se djali është më i fortë dhe i përballon më mirë gjërat. Por kjo mund të mos jetë plotësisht e vërtetë.
Sipas studimeve përkatëse, djali paraqitet më i paduruar se vajza që nga fëmijëria. Ndryshimet e vogla në jetë dhe presioni i prindërve do të shkaktojnë shqetësime më të mëdha ndaj djalit. Prandaj, në këtë material fokusohemi tek presioni psikologjik ndaj djalit dhe metodat e përshtatshme të arsimit për rritjen e shëndetshme të tij.
1.Divorci i prindërve, dëmtim i madh psikologjik tek djali
Sipas opinioneve të ndryshme, nëse prindërit divorcohen djali tregohet më gjakftohtë se vajza. Por, e vërteta është ndryshe. Divorci i prindërve sjell dëme më të mëdha emocionale për djalin. Vajzat i shprehin emocionet e tyre nëpërmjet të të qarit apo metodave të tjera, për të lehtësuar gjendjen e tyre psikologjike dhe shpirtërore. Por djali gjithnjë i mban ndjenjat e ndrydhura dhe nuk i shpreh ato. Akumulimi i këtyre ndjenjave i dëmton ata pa masë.
2. Djemtë e kanë më të vështirë të shprehin emocionet e tyre
Vajzat janë më të ndjeshme. Në moshë fare të vogël vajzat përdorin më shumë fjalë emocionale si “dashuri”, “pikëllim” etj., në krahasim me djemtë.
Këto ndryshime emocionale ekzistojnë në fëmijëri dhe rriten me kalimin e kohës deri në adoleshencë. Djemtë nuk dinë si të shprehin emocionet e tyre dhe janë të pandjeshëm ndaj reagimeve emocionale. Ata preferojnë të fshehin ndjenjat e tyre të vërteta. Si rezultat, djemtë ka raste kalojnë në periudha të vështira emocionale dhe shpirtërore apo bien në dëshpërim që mund të shkojë deri në vetëvrasje. Kur një djalë është me depresion ai tregohet i dhunshëm ndaj të tjerëve.
3. Djemve u mësohet të jenë dominantë
Djemve nuk u mungon aftësia për t’u vetëshprehur. Disa studiues kanë zbuluar se brenda gjysmë viti, djali i shpreh më shumë ndjenjat e tij. Por, kur ai arrin në moshën 5-6 vjeç ka vështirësi më të madhe për të komunikuar me prindërit apo mësuesit për të shprehur dëshpërimin e tij.
Për këtë specialistët thonë se djemtë që nga hapat e parë mësohen të bëhen dominantë, që gjithmonë të fitojnë dhe kurrë të mos qajnë edhe pse për këtë nuk e kanë të lehtë fare. Por kush mundet ti neutralizojë stereotipet negative sikurse nëna?!
Djemtë janë gjithmonë nën ndikimin e shoqërisë që të jenë të fortë dhe të mos qajnë, por aty është edhe nëna e cila i jep të kuptojë që të jesh i trishtuar është e vështirë por duhet që ndjenjat ti ndajë me dikë.
1. Shoqërimi i babait
Nëse një djalë shoqërohet nga figura e babait, ai nuk do të ecë në rrugën e gabuar. Dashuria e babait është e ndryshme nga ajo e nënës dhe ka vlera të veçanta për rritjen sidomos të djalit.
Djali mund të fitojë vetëbesim dhe të bëhet i zoti nga përvoja, komunikimi dhe shoqërimi me babain e tij. Nëna ka karakter më të butë dhe ndoshta e kufizon fëmijën nga disa aktivitete, por babai në përgjithësi është më tolerant.
Pra, djemtë që pranojnë më shumë dashurinë e babait, do të kenë më pak shqetësime të brendshme dhe mund të kenë aftësi më të forta komunikuese.
Për djalin e vogël babai është heroi i tij. Djali mëson nga veprimet e babait të tij dhe e imiton atë. Babai i kupton më mirë problemet e djalit të tij gjatë procesit të rritjes.
Megjithëse burri në familje ka më shumë detyra për të siguruar të ardhurat dhe për karrierën, ai duhet të gjejë edhe kohë për të qëndruar më shumë me djalin e tij sidomos gjatë fëmijërisë, pasi kjo është periudha më e rëndësishme për të forcuar karakterin psikologjik të fëmijës.
2. Dashuria e nënës
Ndjeshmëria dhe përkushtimi i nënës e mbron djalin nga shumë faktorë gjatë rritjes së tij. Por nëna ka disa vështirësi në rritjen e fëmijës së saj djalë, të cilat shfaqen në forma të tilla si:
Së pari, nëna është femër, ndaj ajo e kupton me vështirësi botën e brendshme të djalit. Së dyti, nëna me përkushtimin e saj për mirërritjen e djalit mund të ndikojë negativisht në rritjen e tij të pavarur dhe ta kufizojë atë në shoqërinë me moshatarët, duke penguar zhvillimin e procesit të rritjes së tij.
Këshillohet që nëna t’i japë më shumë kohë dhe hapësirë babait të djalit për ta shoqëruar atë në aktivitete argëtuese, ndeshje sportive etj. Në këtë mënyrë nëna shton praninë e babait në rritjen e djalit dhe respektin ndaj tij. Figura e babait në rritjen e djalit të tij, shembulli që jep për fëmijën janë vendimtare në formimin e tij karakterial.
3. Inkurajimi i djalit për njohjen e botës së tij të brendshme
Në shoqërinë e sotme, djali i mban ndjenjat të ndrydhura dhe ka vështirësi në shprehjen e tyre.
Prandaj, duhet ta lejojmë djalin të shprehë emocionet e tij dhe ta ndihmojmë atë të kuptojë më mirë botën e tij të brendshme. Pasi ai të ketë njohur emocionet e tij mund edhe t’i menaxhojë ato.