Cilësi negative të natyrës së njeriut që përmenden në Kuran
Në rast se do të dish, o njeri se çfarë cilësishë negative ke vetë apo të tjerët që të rrethojnë prej llojit tënd, nuk mund të gjesh përshkrim më të mirë se sa përshkrimi i Krijuesit tënd Allahut të Madhëruar.
Kjo sepse Allahu duke qenë Krijuesi yt, di çdo detaj të botës tënde të brendshme dhe të jashtme siç e ka theksuar ai vetë në Kuran: “A nuk e di (Allahu) atë që e ka krijuar, ndërkohë që ai di të imtën dhe të fshehtën” suretu El-Mulk: 14.
Ky ajet tregon për dijen e Allahut në dy mënyra:
E para: duke i kujtuar njeriut që je krijesë dhe Krijuesi di gjithçka rreth krijesës së tij si çdo punëtor për çfarë i kanë punuar duart.
E dyta: duke e njoftuar njeriun me dy emra specifikë të tij se ai di edhe të imtën që nuk kapet me sy dhe të fshehtën që bëhet pas syve.
Atëherë bazuar në këtë parathënie mund të themi se për të njohur cilësitë negative në natyrën e njeriut duhet ti kushtojmë rëndësi të veçantë çdo përshkrimi që Allahu i ka bërë atij në Kuran dhe ne duke lexuar ajetet e Kuranit gjejmë këto përshkrime:
1- [Dhalum] zullumqar që do të thotë cenues i të drejtës së tjetrit.
Fjala [Dhalum] është përmendur në disa ajete prej tyre: “Ne ia paraqitëm amanetin qiejve, tokës, maleve dhe ato refuzuan ta mbajnë. Atë e mbajti njeriu i cili është zullumqar (dhalum) dhe i padijshëm (xhehul)” suretu El-Ahzab: 22.
Ky ajet kritikon njeriun i cili pasi u zotua se do ta mbante amanetin e Allahut nuk e mbajti dhe ja çfarë thotë Ibn Abasi -radiallahu anhu- në komentimin e tij: [Amaneti në këtë ajet është bindja, Allahu ia paraqiti atë qiejve tokës dhe maleve para se tia paraqiste Ademit alejhi selam të cilin nëse do ta ruanin do ti shpërblente dhe nëse nuk do ta ruanin do ti dënonte dhe ato nuk e pranuan nga frika se nuk do ta ruanin dot. Pastaj ia paraqiti atë Ademit (alejhi selam) dhe i tha: Merre atë! Nëse do ta ruash do të shpërblehesh dhe nëse nuk do ta ruash do të dënohesh, ai e pranoi dhe pa mbaruar dita ra në gjynahun e tij. Dhe kjo është fjala e Allahut në Kuran: “Atë e mbajti njeriu i cili është zullumqar dhe i padijshëm”].
2- [Xhehul] injorant i padijshëm sepse nuk di të dallojë të saktën nga e gabuara dhe as të mirën nga e keqja.
Në ajetin e lartpërmendur të sures Ahzab cilësia e dytë për shkak të secilës njeriu theu zotimin e tij para Allahut është padija [Xhehul] sepse njeriu i padijshëm nuk di ç’bën dhe humbet në të kotën ose përzien mes të kotës dhe të vërtetës.
3- [Jeus, Kanut] dy fjalë me kuptim i pashpresë sepse shumë shpejt e humbet shpresën se mund të arrijë te e mira dhe ndryshimi mes tyre është se [Jeus] ka të bëjë me gjendjen shpirtërore kurse [Kanut] më shumë tregon për ndikimin e humbjes së shpresës mbi pamjen e tij të jashtme dhe që është përulësia dhe shkatërrimi.
Fjala [Jeus] është përmendur në disa ajete prej tyre: “Nëse ne i japim mundësi njeriut të shijojë rahmetin tonë, pastaj ia marrim atë, ai bëhet i pashpresë (Jeus) dhe mohues” suretu Junus: 9.
Ibn Kethiri thotë: Njeriun kur prekë e keqja pas të mirës atij i ndodhin dy gjëra: e humb shpresën se do ti vijnë të mira në të ardhmen dhe mohon të shkuarën sikur të mos kishte pare ndonjëherë mirësi me sy.
Të dyja fjalët [Jeus] dhe [Kanut] janë përmendur në një ajet tjetër së bashku ku thuhet: “Njeriu nuk lodhet nga kërkimi i së mirës dhe kur e prekë e keqja humb shpresën (Jeus) dhe përulet (Kanut)” suretu Fussilet: 41.
Ibn Kethiri thotë: njeriu nuk lodhet duke iu lutur Zotit të tij për të mira: pasuri shëndet etj dhe kur e prek e keqja: sëmundja dhe varfëria shndërrohet në i pashpresë dhe i përulë sepse mendon se më pas nuk i vjen më mirësi.
4- [Kefur, Keffar, Kenud] tre fjalë me kuptim mohues i mirësisë së tjetrit dhe ndryshimi mes të trejave është se [Kefur] quhet ai që ka arritur kulmin e mohimit dhe [Keffar] quhet ai i cili vazhdon në mohim duke e përsëritur atë përherë kurse [Kenud] quhet ai i cili i numëron fatkeqësitë dhe harron të mirësitë.
Fjala [kefur] është përmendur në disa ajete prej tyre: “Ne kur ia mundësojmë njeriut të shijojë prej rahmetit tonë, ai gëzohet dhe kur e prek e keqja, njeriu bëhet mohues (kefur)” suratu Esh-Shura: 48.
Dmth: bëhet mohues i mirësisë së kaluar duke mos njohur veçse fatkeqësinë e tashme siç ka thënë profeti -alejhi selam- në lidhje me gratë: “O gra, duhet të jepni sadaka sepse ju kam parë të jeni shumica e banorëve të zjarrit! Një grua i thotë: pse, o i dërguari i Allahut? Ai i tha: sepse ju i shpeshtoni ankimet dhe i mohoni mirësitë (e burrave). Nëse ndonjërës prej jush do ti bëhej mirësi gjithë kohës dhe lihet një ditë, ajo thotë: nuk kam parë kurrë hajër prej teje” e transmeton Muslimi.
Ibn Kethiri thotë: kjo është natyra e shumicës së njerëzve veç atyre që Allahu i ka udhëzuar, i ka frymëzuar për në të drejtën dhe ka besuar dhe punuar punë të mira sepse besimtari është siç ka thë profeti -alejhi selam-: “E çuditshme çështja e besimtarit se ai gjithmonë është në mirësi. Kur e prekë ne gëzueshmja, falënderon dhe kjo është mirësi dhe kur e prek dëmshmja, duron dhe është mirësi për të ” e transmeton Muslimi.
Fjala [keffar] është përmendur në ajetin: “Nëse do donit ti numëroni mirësitë e Allahut, nuk e bëni dot. Me të vërtetë njeriu është zullumqar dhe mohues (keffar)” suretu Ibrahim: 34.
Talk bin Habib (prej dijetarëve asketë i vdekur në vitin 190H) thotë: “Haku i Allahut është më i rëndë se mundësia e robëve. Mirësitë e Allahut janë më shumë se sa të numërohen. Prandaj gdhini të penduar dhe ngrysni të penduar”.
Ndërsa fjala [kenud] është përmendur në ajetin: “Njeriu ndaj zotit të tij është mohues (kenud)” suretu El-Adijat: 6. Dmth: mohues e mirësisë së zoti të tij.
Dijetari i madh El-Hasen El-Basrij në lidhje me këtë fjaë thoshte: Kenud është ai i cili numëron fatkeqësitë dhe harron mirësitë.
Vijon……….
Shkroi Dr,Abdullah Nabolli